Kryeministri Edi Rama postoi të dielën në Facebook dy foto të punimeve në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, i cili, sipas tij, do të jetë më i bukuri në rajon.
“Kantieri i stadiumit të ri të Shkodrës sot! Do të jetë stadiumi më i bukur në rajon pa asnjë dyshim”, shkroi Rama.
Në stadiumin e ri “Loro Boriçi”, përveç pistës së atletikës, do të ketë dhe ambiente stërvitjeje edhe për sportet e tjera.
Sipas projektit, pritet që të shtohen 5112 vende të reja për tifozët, nga të cilat 2500 pas portave.
Me këto shtesa, kapaciteti i stadiumit të ri do të shkojë në rreth 17 mijë tifozë dhe rikonstruksioni i tij pritet të kalojë shumën e 12 milionë eurove.