Javë e barazimeve. Xhiroja e 21-të mund të konsiderohet e tillë në kampionatin anglez të futbollit pas rezultateve të regjistruara këtë mesjavë.
Liverpool-i dhe Arsenal-i janë ndarë në paqe pas një supersfide të fiksuar në shifrat 3-3. Në duelin tjetër të kësaj jave, Manchester City dhe Everton-i ndanë pikët me ndeshjen midis tyre të mbyllur pa gola.
Në barazim u ndal edhe skuadra londineze, Chelsea, që në shtëpi lëshoi dy pikë të arta në duelin me West Bromwich Albion-in. Kjo përballje do të përfundonte 2-2.
Leicester City është skuadra e vetme nga kreu i tabelës që ka shijuar fitoren. Ekipi i drejtuar nga italiani Claudio Ranieri ka triumfuar në transfertën ndaj Tottenham Hotspur-it, me golin e vetëm të ndeshjes të realizuar nga gjermani Robert Huth.
Pas kësaj jave, Arsenal-i ndan kreun e tabelës me modestët e Leicester City-t, respektivisht me nga 43 pikë. Ndërkohë, ndjekësi i tyre më i afërt është Manchester City, që ka aktualisht 40 pikë. /tesheshi.com/