Kohë më parë, VOA do publikonte dy shkrime “anti-qeveritare”, duke i mundësuar opozitës një karrikim në kauzat e saj, ku madje aksioni politik i tanishëm, i cili ka si epilog dhe djegien e mandatave, zë fill nga një shkrim i medias se njohur nga përtej Atlantikut. Është fjala për atë mbi përgjimet e Dosjes 339. Sipas PD-së, fakti që e trajtoi dhe vetë Zëri i Amerikës, tregon se vërtet ajo ka “djallin” e zgjedhjeve brenda.
Por ndërkohë, po Zëri i Amerikës i ka kushtuar një shkrim dhe rastit të kreut demokrat Basha, faktit që ky i fundit akuzohet për një aferë ruse lobimi në amerikane, e që për këtë arsye i është shmangur dhe një paraqitjeje në Prokurori.
Shkrimi:
Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe tre përfaqësuesë të tjerë të kësaj partie ju përgjigjën negativisht thirrjes së prokurorisë për t’u paraqitur ditën e sotme pranë saj në kuadër të hetimit për fondet e lobimit në Shtetet e Bashkuara. Përmes një shkrese zyrtare, zoti Basha shpjegon se thirrja në Prokurori kishte të bënte me njohjen e tyre me aktet e ardhura nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Autoriteti i Drejtësisë së Skocisë.
“Kjo kërkesë e juaja është e panevojshme, e pa mbështetur në ligj dhe e pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit. As unë, asnjë drejtues tjetër i Partisë Demorkatike dhe as Partia Demokratike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, prandaj as unë dhe as një drejtues tjetër i Partisë Demokratike nuk ka nevojë dhe ju nuk keni asnjë detyrim ta na informoni për asnjë të dhënë që mund të jeni duke mbledhur në kuadër të verifikimeve tuaja”, shkruan zoti Basha në letrën dërguar Prokurorisë. Ai shprehet ndër të tjera se “fakti që një ftesë e tillë vjen gjashtë muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike. Me thirrjen e panevojshme, keqinformuese dhe në një kohë të përzgjedhur politikisht, ju keni kompromentuar rëndë integritetin dhe paanshmërinë e hetimit”, thekson zoti Basha.
Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.
Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas një investigimi të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.
Një tjetër material investigues, i publikuar nga Top Channel, lidhur me hetimet në Skoci, bën të ditur se pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP”, janë dy shtetase ruse, Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, e para jeton në ishujt Seychelles, një vend i njohur si “parajsë fiskale” për kompanitë “offshore”, ndërsa Radysheva në shtetin Belize. Edhe këto, sipas artikulit të Top Channel, të lidhura përmes fijesh të shumta me emra të tjerë që të çojnë sërish në Rusi.
Kur vitin e kaluar shpërtheu debate mbi fondet e lobimit, pas artikullit të “Mother Jones” PD deklaroi publikisht se “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.
Megjithatë angazhimi i “Biniatta Trade LP” në favor të Partisë Demokratike, duke paguar 150 mijë dollarë, përbën një moment të paqartë. “Muzin Capitol Partners” ka deklaruar se është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politikë në Shtetet e Bashkuara”.
“Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, deklaroi marsin e vitit të shkuar zoti Basha, duke dhënë të njejtin arsyetim dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh e cila në dokumentat e Muzin rezulton e paguar nga PD. “Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, theksoi zoti Basha, ndërsa në nëntor të 2017 e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.
Por ndërsa PD ka pranuar që ka paguar vetëm 25 mijë dollarë, nga ana e saj Muzon ka deklaruar se vetëm shpenzimet e saj për nënkontraktorët e angazhuar për aktivitetetet në favor të partisë shqiptare, shkojnë mbi 100 mijë dollarë.
Marrë nga VOA