Fatma Samoura do të jetë sekretarja e përgjithshme e FIFA-s. Senegalezja bëhet e para femër që zgjidhet në këtë post. Gjithashtu, për herë të parë në këtë detyrë nuk emërohet një europian.
Emërimi historik i senegalezes është bërë në kongresit e 66-të të FIFA-s, që u zhvillua në Meksiko.
“Duam të përqafojmë larminë, dhe besojmë në larminë gjinore,” deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Ajo ka administruar organizata të mëdha, buxhete të mëdha, burime njerëzore, financa,” do t’u shpjegonte Infantino anëtarëve të FIFA-s. “Ajo ka për të sjellë një erë të freskët për FIFA-n; dikush nga jashtë, jo dikush nga brenda, jo dikush nga e shkuara. Dikush i ri, dikush që mund të na ndihmojë të bëjmë gjënë e drejtë në të ardhmen.”
E porsazgjedhura si sekretare e përgjithshme e zhvillon veprimtarinë e saj aktualisht në Nigeri, ku punon për Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, 54-vjeçarja ka punuar në Afrikë për OKB-në.
Ish-sekretari i përgjithshëm, Jerome Valcke, u shkarkua në janar, i dënuar të qëndrojë larg institucioneve të futbollit për 12 vite, pas skandaleve të shpërthyera në FIFA. /tesheshi.com/