Nga reporteri ynë në këtë qytet…
Ndërkohë që Shpëtim Gjika, kryetari i Bashkisë së Vlorës i kalonte ditët nën përkujdesin e mjekëve si pasojë e një parainfrakti ndodhur fill pas një urdhër-arresti në drejtim të tij, ndaj një tjetër kryebashkiaku në jug të vendit po niste një përballje me ligjin: Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, një institucion në varësi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri Rama, ka përgatitur një dosje voluminoze me shkeljet e Flamur Bimes, duke e ka kallëzuar penalisht në Prokurori. Por ngjarjet dhe lajmet këto ditë nga kryebashkiakët e zgjedhur nën siglën e PS-së nuk mbarojnë: Artan Shkëmbi, kryetar i bashkisë së Pogradecit, nëpërmjet një deklarate për shtyp nga selia e PS-së do të komunikonte një vendim të padëgjuar deri më sot në drejtim të qeverisjes vendore: dorëheqjen nga funksioni i kryetarit të bashkisë së Pogradecit, “me qëllim për t’i hapur rrugë kandidaturave të reja dhe për të mos u bërë pjesë e përzgjedhjes së kandidaturave të kësaj partie në bashkinë e Pogradecit”. Pyetja e parë që u ngrit natyrshëm në këtë dorëheqje ishte se pse duhet të jepet dorëheqja nga selia e partisë në një kohë që z. Shkëmbi ishte i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli i Pogradecit? Në këtë kontekst, vjen një tjetër deklaratë e një tjetër kryetari bashkie të zgjedhur nën siglën e PS-së: Fadil Nasufi, kryetari i Bashkisë së Beratit, i zgjedhur nën siglën e kësaj partie për 3 mandate, do të shpërndante një komunikatë për mediat, në të cilën, përveçse përshëndeste aktin e dorëheqjes së kolegut Shkëmbi, siguronte se “do të qëndronte në krye të detyrës deri në fund të mandatit”, gjithashtu shprehte angazhimin e tij maksimal “për t’iu bindur vullnetit të partisë së tij dhe forumeve të saj drejtuese për kandidaturën e kësaj partie në zgjedhjet e 21 qershorit”.
Fadil Nasufi, ashtu si kishte qenë gjatë gjithë karrierës së tij politike një hap përpara kundërshtarit, edhe në këtë rast duket se po dëshmonte sërish një nuhatje të mprehtë: për herë të parë pas 12 vjetësh fati nuk ishte me të, ndërsa era kishte filluar të frynte në anën e kundërt të tij. Nasufi është i vetëdijshëm se ditët e tij në krye të Bashkisë së Beratit kanë filluar të numërohen mbrapsht. Po kush është Fadil Nasufi, ish-mësuesi i bio-kimisë, i lindur në një familje të varfër në Vojnikun e thellë të komunës Roshnik, i cili drejtoi Bashkinë e Beratit për 3 mandate rresht, i pashqetësuar nga kundërshatët e tij të politikës lokale, i njohur ndryshe për drejtimin e tij liberal, për gjetjen lehtësisht të gjuhës me “palën tjetër” dhe i akuzuar në masë të madhe nga të tijët për afera dhe bashkëpunim me kundërshtarët politikë në dëm të forcës së tij politike dhe në dobi të pushtetit të tij vetjak. Kjo është pyetja që shumëkush prej atyre që nuk e njohin Nasufin mund ta ngrejnë me të drejtë, sidomos në këto ditë të fundit, ku edhe media ka bërë të sajën për rickilimin e historisë së këtyre emrave, të cilët, ndoshta deri më sot, për shumëkënd kanë qenë krejt të panjohur dhe pa ndonjë interes të veçantë. Sepse cikli politik i çdo politikani natyrshëm ka një fillim, një ngritje dhe një mbyllje, ndërsa në fund ka një bilanc, i cili mund të jetë pozitiv ose negativ.
Në vitin e largët 1980 Fadil Nasufi do të mbaronte studimet e larta për bio-kimi me rezultate të larta. Pas mbarimit të shkollës, ka punuar një vit si mësues në vendlindje. E ka filluar karrierën e tij politike mjaft herët, në moshë të re, duke mos iu ndarë asnjëherë politikës dhe duke i provuar të gjitha shkallët e saj për një politikan lokal. Në vitin 1984 vjen në Berat si sekretar i dytë i rinisë, ndërsa një vit më vonë deri në fillimet e ndryshimeve të mëdha do të mbajë postin e sekretarit të parë të rinisë komuniste për rrethin e Beratit. Angazhimi i tij, karizma personale dhe fati që do ta ndiqte përgjatë gjithë karrierës së tij politike, bën të zgjidhet deputet në zgjedhjet e para pluraliste që mbahen në Shqipëri. Ata që e mbajnë mend atë kohë, nën zë thonë se Nasufi foli vetëm një herë në atë Parlament, ndërsa shprehja e tij e vetme ishte: “Të kemi njëri-tjetrin, se pasuria vete e vjen”. Intesiteti i ndryshimeve që pësoi vendi e gjen Nasufin të papërgatitur. Gjithsesi, ai një gjë e di mjaft mirë: pozicionimi i tij partiak. Kështu që gjëja e parë që bën është marrja e postit të sekretarit të PS-së së rrethit Berat, të cilin do ta mbajë deri në vitin 1998, vit në të cilin me një shumicë votash zgjidhet kryetar i PS-së së Beratit. Është pikërisht ky vit ai që shenjon përfundimisht të ardhmen e tij në politikën lokale. Në garën e vitit 2003 brenda PS-së, edhe pse bashkia Berat drejtohej vetëm prej 3 vjetësh nga një i zgjedhur vendor i majtë, Nasufi me një shumicë absolute të votave në komitetin drejtues, arrin të zgjidhet, së pari, kandidati i PS-së, dhe më pas në përballjen e tij të parë në karrierën e tij politike për një post të tillë, të triumfojë përballë kandidatit të djathtë, një mjeku të njohur në qytet. Kjo është beteja dhe fitorja e parë e Nasufit, por jo e vetmja. Të njëjtën fitore do të përsëriste edhe në dy garat e ardhshme, në atë të vitit 2007 dhe në atë të vitit 2011.
Në përballjet e tij me kundërshtarët, madje, ishte ngritur një një mit dhe një legjendë urbane ndaj tij: Fadili i zgjedh vetë ata. Se sa e vërtetë është kjo, ne nuk jemi në gjendje ta faktojmë, por mundja me lehtësi e tyre dhe mundësia për t’u goditur dhe akuzuar lehtësisht, hedh hije të forta dyshimi në vërtetësinë e legjendave që qarkullojnë në qytet për të. Nasufi është mjeshtër për menaxhimin e nëndheshëm të pushtetit të tij vetjak. I adhuruar nga të tijët dhe i anatemuar nga një pjesë e madhe e qytetit, kjo edhe përkundrejt një mentaliteti përjashtues që ekziston në Berat për të ardhurit, Nasufi ka mundur t’ia dalë me metodat dhe mënyrat e tij. 3 fitoret e tij kanë qenë, pothuajse, konstante, përsa i përket numrit të votave, ku bie në sy vetëm përballja e tij e parë me një mjek të njohur në qytet, e cila mbahet mend si diferenca më e vogël në vota. Ajo që vihet re në qeverisjen e tij lokale është aftësia e tij për ta mbajtur mirë me të gjithë kahet, në funksion të qeverisjes personale dhe në dëm të qeverisjes së qytetit. Nasufi karakterizohet nga një aftësi prej mjeshtri për ta çuar hullinë e ujit të interesave të politikës lokale në brazdën e tij personale, ndërsa shansi i tij më i madh ka qenë që rivalët e tij brenda PS-së kanë qenë më të flashkët se ai. Kur pyetëm një gazetar lokal të Beratit, i cili e ka ndjekur hap pas hapi zhvillimin politik të qytetit, lidhur me atë se si mund ta përkufizojmë qeverisjen e tij prej 3 mandatesh, na u përgjigj: “Tre mandatet e tij në krye të bashkisë së Beratit kanë qenë vertetë tre mandate për Beratin, lajm i zi. Ka vegjetuar, pa ide, pa vizion, por me iluzionin e ideatorit, me iluzionin e vizionarit dhe qytetari dokudo edhe sugjestionohet nga këta tipa.”
Përkufizimi i tij dhe shpjegimi më i mirë për drejtimin e tij lokal është ai i një prestigjiatori gjakftohtë, një xhongler serioz dhe ka luajtur rolin e njeriut të menduar, por shëndeti dhe shëndoshja e vrullshme e kanë tradhëtuar. Pra, më tepër gjatë kësaj qeverisjeje lokale mund të flitet për zvarritje se sa për arritje. Një gjë e tillë është dukur edhe në sjelljen e tij me kryeministrat e këtij vendi. Historia e tij politike e tregoi se e ka filluar karrierën me një kryeministër dhe kryetar partie si Fatos Nano, ka kaluar dy mandatet e tij më të rëndësishëm nën qeverisjen e Sali Berishës, dhe duket se karriera e tij në politikën aktive po perëndon nën drejtimin e Edi Ramës. Mjafton t’i hedhësh një sy kronikave televizive ku ish-kryeministri Berisha ka vizituar Beratin për të kuptuar aftësinë manipuluese dhe sjelljen e Nasufit kundrejt pushtetit të djathtë. Por nëse Berishën mund ta entuziazmonte një pritje dhe elozhetë në drejtimin e tij dhe të qeverisjes së tij, nuk mund të themi të njëjtën gjë për kryeministrin Rama, i cili në një vizitë para pak kohësh do ta vinte në lojë publikisht kryetarin e Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufin, për një dhuratë që ai i bëri gjatë vizitës së Ramës në qytet. Në fund të fjalës së kryeministrit Rama me rastin e ceremonisë së inaugurimit të pedonales se qytetit, në podium është afruar kryetari i Bashkisë me një dhuratë në dorë, që ishte një relike me motivacione te qytetit te lashtë, por Rama ka gjetur rastin të bëjë pak humor me kryebashkiakun socialist, duke i kujtuar se në këtë mënyrë ai priste në qytet edhe Sali Berishën kur ai ishte kryeministër.
Ky moment nuk kaloi pa të qeshura nga qytetarët e shumtë të mbledhur në sheshin kryesor të qytetin në këtë moment, ndërsa në rrjetet sociale për këtë gjë plasi gallata. Ndërkohë që shkrajmë këtë profil të paautorizuar, Nasufi një gjë ka të sigurt: pamundësinë e kandidimit. Ai është 57 vjeç, në kulmin e pjekurisë politike dhe duket se nuk mund të dorëzohet kaq lehtë. Nasufi po bën llogaritë e tij. Ndoshta miqtë e tij në PD edhe këtë herë do ta ndihmojnë, duke nxjerrë si kandidat një njeriun e afërt të tij, në biznes thuhet në rrugët e Beratit, i cili pritet të kandidojë nën siglën e PD-së, duke e çuar në këtë mënyrë edhe hakmarrjen e tij deri në fund ndaj Edi Ramës, edhe pse në mënyrën që e ka karakterizuar gjithmonë, urtë e butë. Nëse LSI merr kandidatin e Beratit, ashtu si po flitet në media, Fadili mbështet undergraund një kandidat nga opozita, ndërsa vetë synon të bëhet Prefekt i Beratit. /tesheshi.com/