Nga Ornela Memushi
Shqipëria para dy dekadash ishte vendi me popullsinë më të re në Evropë me një moshë mediane mbi 20 vjeç, ndërsa sipas të dhënave të fundit të INSTAT për këtë tregues, në vitin 2016 mosha mediane e popullsisë arriti në 35 vjeç. Gjithashtu, numri i të moshuarve me moshë 65 vjeç e lart parashikohet të rritet shumë, ndërsa numri i fëmijëve me moshë më pak se 15 vjeç do të vazhdojë të bjerë dhe popullsia në moshë pune (15 deri 64 vjeç) do të pësojë rënie.
Sipas projeksioneve të popullsisë 2011-2031 të INSTAT, skenari i rritjes së mesme parashikon një rënie prej 11% deri në 1.753.129 deri në vitin 2031 të popullsisë në moshë pune. Numri i të moshuarve me moshë 65 vjeç e lart rritet me 84% në krahasim me vitin 2011 për të arritur ndërmjet 570.445 dhe 604.693 individëve në vitin 2031. Numri i individëve shumë të moshuar (me moshë 80 vjeç e lart) pritet të dyfishohet sipas të gjitha skenarëve, duke arritur në më shumë se 120.000 në vitin 2031.
Burimi: INSTAT
Plakja e gjeneratave të njëpasnjëshme, ulja e lindshmërisë dhe emigrimi i lartë i popullsisë do të transformojnë strukturën e moshës së popullsisë shqiptare. Sipas të dhënave të grafikut të mëposhtëm, vihet re ndryshimi i madh që ka patur dhe do të ketë popullsia e vendit tonë. Nga viti 2011 deri në vitin 2021, popullsia në moshë pune dhe popullsia mbi 65 vjeç rritet, megjithatë mund të themi se popullsia mediane është akoma në moshë të re. Ndryshime shumë të mëdha vihen re nga viti 2011 në vitin 2031, ku baza e piramidës së popullsisë tkurret ndjeshëm dhe rënia e numrit të popullsisë nën moshën 15 vjeç është shumë e madhe, ndërsa maja e piramidës zgjerohet ndjeshëm ç’ka do të thotë se numri i popullsisë në moshën e pensionit (mbi 65 vjeç) rritet jashtëzakonisht shumë.
Burimi: INSTAT
Rritja e numrit të individëve pensionistë dhe ulja e numrit të individëve në moshë pune paraqet sfidën e madhe të pagesës së pensioneve. Sipas statistikave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për 6 mujorin e parë të vitit 2017 të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë 41.785 miliardë lekë, shpenzimet e sigurimeve shoqërore janë 53.874 miliardë lekë ndërsa subvencioni nga buxheti i shtetit është në masën 12.088 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2016, të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë 38.242 miliardë lekë, shpenzimet e sigurimeve shoqërore janë 50.374 miliardë lekë ndërsa subvencioni nga buxheti i shtetit është në masën 12.132 miliardë lekë. Vihet re një rritje e të ardhurave të sigurimeve shoqërore në vitin 2017 si pasojë e rritjes së kontributeve nga personat fizikë dhe juridikë (kjo është rrritje e numrit të personave të punësuar ose të deklaruar) si dhe rritje e kontributeve me destinacion nga buxheti i shetit. Gjithashtu, shpenzimet për përfitime nga sigurimet shoqërore janë rritur që do të thotë se është rritur numri i individëve që përfitojnë pension pleqërie apo pensione të tjera. Sipas projeksioneve të popullsisë, mosha mediane deri në vitin 2031 pritet të rritet mbi 41.5 vjeç ndërsa numri i popullsisë me moshë 0-15 vjeç nga viti në vit pëson një tkurrje jashtëzakonisht të madhe. Tkurrja e numrit të popullsisë relativisht të re, vjen si pasojë e rënies së lindshmërisë, uljes së numrit të martesave dhe rritjes së numrit të divorceve (shumica e të cilëve vjen për shkaqe ekonomike), rritjes së lartë të emigracionit të të rinjve që janë në moshë riprodhimi, kushteve ekonomike dhe sociale.
Në periudhë afatgjatë, skema e pensioneve do të shkojë në krizë të thellë sepse një kontribues do të mbulojë vetëm një përfitues pensioni dhe duke qenë se numri i të moshuarve shkon në rritje ndërsa numri i forcës punëtore në ulje, buxheti i shtetit duhet të rritë subvencionet për sigurimet shoqërore. Zgjidhja që mund të gjendet për këtë problem është liberalizimi i tregut të pensioneve me kompanitë private të sigurimit. Vendosja e një tarife të caktuar si kontribut i cili do të shkojë për sigurimet shoqërore në buxhetin e shtetit dhe mundësia që secili individ të zgjedhë për të kontribuar në fondet private të pensioneve mund të rregullojë hendekun që do të krijohet në buxhetin e shtetit për subvencionin e pensioneve.
Ndryshimet demografike që priten të ndodhin do të sjellin pasoja në gjithë ekonominë shqiptare. Rritja e numrit të të moshuarve do të kërkojë orientimin e ekonomisë dhe shërbimeve drejt nevojave që ka kjo grupmoshë. Gjithashtu, njësitë ekonomike do të gjenden përballë një mungese të madhe të kapitalit human të aftë për punë çka do të rrezikojë edhe mbylljen e shumë prej tyre. Tashmë sfida e çdo qeverie shqiptare duhet të jetë ndryshimi demografik i popullsisë dhe rritja e shpresës së shqiptarëve për një ekonomi më të mirë. Plakja e shpejtë e popullsisë duhet të pengohet sa më shumë të jetë e mundur me politika stimuluese sociale për rritjen e lindshmërisë nëpërmjet pagesave për çdo bebe të lindur deri në një moshë të caktuar, leje për prindërit e rinj që mund të shfrytëzohet në rastet kur fëmija është i sëmurë, fleksibilitetit të orarit të çerdheve, kopshteve dhe shkollave publike me orarin e punës në sektorin publik dhe privat, pakësimit të shpenzimeve arsimore për të gjithë fëmijët, rritjes së pagave dhe çka është më e rëndësishmja zhvillimi i një ekonomie të qëndrueshme ku besimi dhe shpresa e qytetarëve të jetë rritur! /tesheshi.com/