Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria gjenden në një krizë politike, por dallimi qëndron në atë se opozita kosovare dëshiron me ngulm shkuarjen në zgjedhje, kurse ajo shqiptare dëshiron shtyrjen e procesit zgjedhor për një kohë të caktuar.
Politologu kosovar, Mentor Tahiri, thotë se janë ndërkombëtarët që vendosin kur do ketë zgjedhje në Kosovë, derisa sheh një koalicion të mundshëm mes krahut të luftës, kurse LDK-ja e kryeministrit Mustafa thotë se është në mjegullajë.
Tahiri, në një intervistë për tesheshi.com kritikon edhe PD-në e Bashës për të cilën thotë se përveç se frikësohet nga mossuksesi elektoral, sot i mungojnë dy guxime të vitit 90/91, ai i Azem Hajdarit dhe i Franko Kroqit.
Tahiri, flet poashtu edhe për situatën aktuale politike në Maqedoni, konkretisht për zhvillimet e fundit atje.
Intervistoi: Blendi Gashi
Politika kosovare vazhdon të jetë në krizë. Sipas jush për faj të pozitës apo opozitës?
Politika ka rënë në një rreth vicioz të cilin e karakterizojnë dy tema, Demarkacioni dhe Asociacioni, gjë që si duket po parandalon partitë të japin ide dhe të forojnë projekte konkrete të cilat do prekin vërtet jetën e përditshme të qytetarëve.
Në njërën anë qeveria e cila aktualisht përbëhet nga dy partitë më të mëdha në vend, e sheh këtë rreth vicioz si një shpëtim për t’i mos lënë hapësirë temave tjera, në radhe të parë është ajo që qytetari po e vëren çdo ditë, mungesa e shpresës, e deri te mbijetesa ekonomike e familjeve.
Megjithëse, ka një tentim që të tregohen rezultate politke për ngritje ekonomike në vend, në tërësi është duke u anashkaluar çështja e infalcionit ekonomik që ka kap vendin me vite.
Në anën tjetër, opozita po preferon të merret me këto tema, kryesisht për dy qëllime: që të tregohet më patriotike, dhe që të mbuloj boshllëkun e ideve, dhe projekteve konkrete.
Duket se kjo qasje e ka uniformuar gjithë spektrin poitikë të opozitës aktuale.
Demarkacioni flitet se do riprocedohet në Kuvend këtë javë. Nëse nuk ratifikohet, a pritni që të bie qeveria “Mustafa” dhe të mbahen zgjedhjet?
Ka shumë prapaskena që mund të duken të pakoordinuara, por jo rastësisht zërat e ashtuquajtur të rebeluar po vijnë në momentume të caktuara politike.
Demarkacioni përveç që është një presion opozitar, tani ka marrë përmasa edhe të preisonit të PDK-së karshi LDK-së. Në radhë të parë po spikaten eksponentë poltik të cilët janë të pasigurt në të ardhmen e tyre politike për shkak të veprimeve të mundshme të Speciales që mund të pasojnë më vonë.
Kjo si duket ka mobiziluar një grup të deputetëve të LDK-së, që të gjejnë një modus kompromisi për të mundësuar Demarkacionin.
Në fakt ky nuk mund të jetë asgjë më shumë se një kamuflim i brendshëm politik, pasi siç dihet ratifikimi i Demarkaciont bëhet me marrëveshje të arritur mes dy shteteve, kurse ndërhyrja në marrëveshje nënkupton një rinegociim tjetër.
A do ketë zgjedhje të parakoshme pavarësisht dëshirave të eksponentëve politik, kjo varet nga prezenca ndërkombëtare në Kosovë, e cila në një mënyrë është e qarte në qëndrimet e saj, që qeveria aktuale, konkretisht partitë që janë tani në pushtet nuk mund t’i ikin përgjegjësisë duke kërkuar shpëtim në zgjedhje të parakohshme.
A pritni që Ramush Haradinaj të jetë përcaktues në formimin e qeverisë së ardhshme? Ç’koalicion shihni pas zgjedhjeve?
Është një rirreshtim në tendencë i spektrit politik, i cili po del në opinion përmes deklarimeve që vijnë nga partitë në pozitë dhe opozitë.
Në këtë drejtim ka një afersi mes PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, gjë që paraqet edhe preferencë kryesore, brenda PDK-së për një koalicion të mundshëm paszgjedhor.
Kjo edhe mund të arrihet me një pajtim të elektoratit të këtyre partive duke e diferencuar LDK-në, si të paaftë për të shtyrë tutje proceset, e ku fokusi do jetë në çështjen e Demarkacionit.
Andaj, një verpim i mundshëm i z. Haradinaj do varet nga zhvillimet e ardhshme në Kuvend, por këtu nuk mund të neglizhohet edhe përbërja e AAK-së e cila viteve të fundit ka afruar brenda vetës jo vetëm anëtarë të LDK-së por edhe ish-funksionarë të lartë.
Kjo strukturë e dikurshme e LDK-së, që tani gjendet brenda në AAK, mund të paraqet forcën amortizuese që do të pengoj krijimin e një koalicioni me PDK-në.
Kurse, LDK aktualisht gjendet në një mjegullajë jo vetëm idoelogjike, por edhe thjesht të profilit politik, gjë që nuk lë shumë hapësirë për aleat të ardhshëm.
Duke pasur këtë parasysh një spekter i ri politik qeverisës edhe mund të formohet, me ç’rast LDK dhe Vetëvendosje do mund të përbënin boshtin e opozitës së ardhshme. Një opozitë si kjo do jetë sfiduese ngase do ishte e koncentruar me elektoratin e saj kryesisht në qendrat urbane, kurse në kuadër të këtij rreshtimi lehtë e gjen vetën edhe subjekti i ri, Alternativa.
Ky rirreshtim politik ka edhe një relacion të qartë në miqësitë individuale që kanë mes tyre eksponent vendimarrës në PDK-AAK dhe NISMA.
Kalojmë te zhvillimet politike në Shqipëri. “Çadrën” e Bashës dhe reagimet e kryeministrit Rama karshi krizës si i gjykoni?
Është e qartë se opozita në Shqipëri gjendet në krizë. Politika klienteliste e dy partive të majta në pushtet ju ka mundësuar atyre një shtrirje më të gjërë elektorale e cila siç edhe treguan zgjedhjet e mëparshme nacionale, theu bastionet demokrate.
Tani kur kanë kaluar katër vite, s’do mend se kjo tendencë ka shkuar tutje, e në anën tjetër Partia Demokratike ka krizë lidershipi. Mungon karizma e Sali Berishës, e cila gjithësesi mbetet e pranishme, por, jo si zëri i parë institucional. Lideri aktual i opozitës do sfidohet seriozisht nga personalitete të fuqishme të PD-së, kurse, përplasjet aktuale si ato që po ndodhin me Jozefina Topallin apo edhe Eduard Selamin janë vetëm një pikënisje.
PD duhet të rishikojë seriozisht politikat e saj dhe ashtu siç ishte formuar në vitin 1990 me anë të konsensusit intelektual, t’i kthehet një debati të mirëfilltë i cili edhe do shpjerë një konsensus mendimesh.
Ndryshe, forma e udhëheqjes atktuale të PD-së do të demotivoj elektoratin e djathtë nëse PD në sytë e këtij elektorati mund të mos përfaqësojë PD-në e mëparshme.
Në truqet aktuale politike që janë “pro” mospjesëmarrjes në zgjedhjet e qershorit shihet pikërisht frikë e lidershipit aktuale të PD-së, nga një mossukses elektoral i cili do shpërfaqet në rast të pjesëmarrjes në zgjedhje.
Në anën tjetër, pozita aktuale dëshpërueshëm po kërkon rrugë që të mundësojë pjesëmarrjen e PD-së në mënyrë që të fshehë autokracinë që ka kapluar Shqipërinë.
Kjo autokraci siç duket në masë të madhe është pajtuar me fatin që të “legjetimon”, ekonominë e e vendit me rrugë klandestine të bërit biznes.
Me anë të kësaj rruge në fakt po fshihet një ekonomi reale e cila nuk po rritet.
Po ç’mendim keni për kërkesën e Bashës për qeveri teknike?
Një qeveri teknike e propozuar nga Basha është në instancën e fundit e pranueshme për të majtën, sidomos tani kur e majta ka siguruar postin më të lartë, pra atë të presidentit.
Këtu ka vetëm një problem e që prodhohet nga vet karakteri i qeverisë teknike. Rëndom në qeveri të tilla roli i kryeminsitrit është krejtësisht i zbehur, gjë që me një lloj automatizimi, përqëdron autoritetin politik te presidneti, një zjarr potencial ky ndërmjet vet të majtës.
Përmes një shkrimi bërë në Facebook ju keni thënë: PD-së sot i mungojnë dy guxime të vitit 90/91, ai i Azem Hajdarit dhe ai i Franko Kroqit? A mund ta zbërtheni pak për lexuesit? Do thoni sot PD-së i mungojnë figura të tilla?
Azem Hajdari si lider i lëvizjes studentore pati guximin të ballafaqohet me liderin e atërhershëm komunist, Ramiz Alinë, duke ja thënë problemet në sy. Ai nuk kishte asnjë kompleks se qasja e tij do të reflektojë në përkrahje që masa do kishte ndaj tij.
Është e qartë se sot në PD, mungon një frymëzim i tillë siç ishte Azem Hajdari, aq më tepër Azem Hajdari mungon në formën e tij të unifikuesit dhe militantit.
Në anën tjetër PD sot po ballafaqohet me mosguxim për të matur përkrahjen elektorale e kur kemi parasysh këtë nuk ka se si të mos bije në mend, heroi i heshtur i demokracisë, Franko Kroqi, i cili pati guximin që në zonën e bllokut, mu aty ku është formuar Partia e Punës, në një betejë të pabarabartë elektorale të sfidojë diktatorin e atëhershëm Ramiz Alinë.
Një betejë elektorale në thelb të pabarabartë Franko Kroqi e përmbysi me intelektualizmin e tij të thjesht dhe racional, i cili sot po vërehet se i mungon PD-së.
Pikërisht kjo mungesë e cila është përpjekur të zëvendësohet me disa retorika të papjekura politike ka shkaktuar humbje të cilat në të kaluarën do ishin të paimagjinueshme për të djathtën në Shqiperi, e ku ka rast më ilustrativ si humbja e Kavajës.
Edhe në Maqedoni situata politike ka shpërthyer. Si i shihni zhvillimet e fundit atje?
E mira e një të keqeje, e që ishte rezultati i dobët zgjedhor i partive shqiptare në Maqedoni është unifikimi që ndodhi më pas.
Ky unifikim qëndrimesh që përgjithëisht si njihet si “platofrma shqiptare”, erdhi si impenjim matematikor në një situatë ku të gjitha partitë shqiptare së bashku mezi arritën të sigurojnë 20 deputet.
Por, ja që e tëra mori një kahje pozitive e cila po duket të jetë e tillë, sidomos tani kur është zgjedhur kryeparlamentari i Maqedonisë, pikërisht nga radhët e një partie shqiptare.
Shpresoj që ky unifikim të vazhdoj tutje dhe të mos demantohet nga pazaret e ardhshme politike për formimin e qeverisë së Maqedonisë.
Ka një përplasje të qartë mes BDI-së, dhe partive tjera, në radhë të parë BESËS, që duhet të mos shpërfaqet së paku derisa të krijohet një bazament i fuqishëm institucional i cili do mundësoj realizimin e platformës shqiptare.
Në gjithë këtë tollovi politike është Tirana zyrtare që duhet të këtë kujdes, të ketë më shumë deskrecion politik, më shume takt, dhe jo rrahagjoksi naive politike, të cilat presidentin aktual maqedon Ivanov, ia servuan një penallti të gatshme dhe ia mundësuan atij që platformën shqiptare ta quaj si platformë e Tiranës.
Kjo nuk është platformë e Tiranës, pavarësisht spektakleve mediatike që i krijoi qeveria shqiptare.
Nëse kryeminsitri aktual shqiptar, Edi Rama, pjesë përbërëse të fjalimeve politike ka konstituiditetin e shqiptarëve në Maqedoni, duhet që të mënjanoë që për fajin e tij, dikush të trajtojë shqiptarët e Maqedonisë si pakicë kombëtare.
Kurse vendimarrësit politikë shqiptarë në Maqedoni duhet edhe psikologjikisht ta kenë të qartë se ata nuk janë pakicë kombëtare për të cilët mund të vendosë Tirana zyrtare, gjë që me duket se ata tani e kanë kuptuar së paku politikisht. /tesheshi.com/