Mungesa e të dhënave për politikën e jashtme që do të ndjekë administrata e ardhshme e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka vendosur në pozicion pritjeje diplomacinë europiane. Në një artikull interesant, “Politico.eu” paraqet situatën konfuze në BE, ku të gjithë prisnin që të fitonte Hillary Clinton:“Diplomatët europianë në të dyja anët e Atlantikut po përpiqen të zbulojnë se cila do të jetë qasja e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve për politikën e jashtme dhe se si ai e sheh rolin e Amerikës në botë”.
Ministrat e Jashtëm të BE-së do të mbajnë diskutimet e tyre të para pas rezultateve tronditësve të zgjedhjeve në SHBA, natën e së dielës, gjatë të cilave diplomatët mblidhen edhe për një “darkë paniku” përpara se të zhvillojnë bisediem më formale për politikën e jashtme europiane dhe atë të mbrojtjes.
“Ne nuk do të kishim kurrë një darkë të tillë nëse Hillary Clinton do të ishte zgjedhur. Kjo tregon sesa shumë na ka zënë paniku”, tha një diplomat nga një prej shtetet më të vogla të BE-së.
Shqetësimet në tryezë variojnë nga çështje ekzistenciale, si skepticizmi i Trump për tregtinë e lirë dhe NATO-n, toni agresiv ndaj Kinës dhe fjalët e ngrohta për Vladimir Putinin e Rusisë, deri në çështje më të detajuara: si do të përkthehet zotimi i presidentit për të vendosur “Amerikën të parën” në probleme të tilla si genocidi armen, politika për Arktikun apo zgjerimi i BE-së? Trump nuk është zgjedhur kurrë më parë në ndonjë detyrë dhe karriera e tij në pronat e patundshme e shfaqjet televizive nuk mund të jetë bazë për orientim.
“Ai ka qenë ndoshta një nga kandidatët më të panjohur”, tha Andris Teikmanis, amabsadori i Letonisë në Uashington. Diplomatët nuk gjejnë mënyrë për të nxjerrë përfundime nga komentet provokative të Trump në rrjedhën e fushatës, duke shpresuar të kenë një ton “më racional, më konkret e më konçiz” gjatë kësaj periudhe të tranzicionit të pushtetit.
Komisioni Europian është “i paduruar për t’u lidhur me ekipin e tranzicionit”, tha një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian. Komisioni nuk ka pasur kontakte me ekipin e Trump gjatë fushatës dhe për momentin, shefja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini “nuk është në pozicionin për të informuar ministrant për atë që kërkon administrate Trump”, shtoi zyrtari.
Nëse do të kishte fituar Hillary Clinton, qeveritë e huaja do të kishin informacione të pasura nga vitet e saj në senat apo si sekretare e Shtetit, për të mos përmendur numrin e lartë të këshilltarëve që është aq i madh sa revista “Foreign Policy” shkroi se: “zyrtarët në fushatën e Clinton nuk mund të ofrojnë vlerësim të saktë të madhësisë së ekipit”.
Nuk është kështu me Trump, një rishtar, marrëdhëniet me jashtë të të cilit kanë qenë thjesht tregtare. “Nuk është e mundur të kalosh historinë dhe të dalësh në përfundime”, tha një ish-ministër i Jashtëm nga një vend i Europës Lindore. “Nuk ka të dhëna për të apo ndonjë deklaratë. Trump nuk ka menduar kurrë për gjëra të tilla”.
Por kush do ta këshillojë atë?
Heather Conley, drejtore për Europën në qendrën për Studime strategjike e ndërkombëtare thotë se ambasadat e huaja në Uashington janë përpjekur të vendosin kontakte me ekipin e Trump gjatë fushatës, por nuk arritën. “Ka shumë ankth”, thotë ajo. “Eshtë një grup vërtet shumë i panjohur”.
Ndërsa Trump nisi të kryesojë ndaj Clinton në numërimin e votave, një diplomat i BE-së në Uashington dha disa hipoteza të thjeshta në një email për Politiko : “Marrëdhënia SHBA-BE do të testohet. Një rol më ndikues i Rusisë në administratën Trump. Shumë herët për të bërë pohime të tjera”.
Vende të tjera me probleme më “personale” janë akoma edhe më të paditura. P.sh Gjeorgjia, e cila do të donte që amerikanët t’i mbronin pavarësinë nga Rusia, ka shumë pak të dhëna mbi të cilat të punojë, sipas Tedo Japaridze, i cili kryeson komitetin e marrëdhënieve me jashtë në parlamentin gjeorgjian dhe që më herët ka shërbyer si ambassador në Uashington. “Nuk mund të jem kritik apo pozitiv për Trump, për shkak se ai nuk ka thënë asgjë për ne, dhe unë nuk e di vërtet se cilët ka këshilltarë”, theksoi Japaridze”.
Tashmë, po dalin në dritë tregues se kush mund të jenë këshilltarët kryesorë të Trump -Newt Gingrich, për shembull, është kandidat për sekretar Shteti. Por diplomatët kanë nevojë për informacion për rolet mbështetëse, me të cilët ambasadat në Uashington do të duhet të punojnë në bazë ditore. Në fushatë, pyetjet e reporterëve se kush po e këshillonte kandidatin për politikën e jashtme nuk morën përgjigje, madje, edhe kur bëhej fjalë për individë si Carter Page, që mendohej gjerësisht se ishte këshilltar i tij për Rusinë.
“Ose dukeshin të ishin një tufë oficerësh të dorës së dytë në pension që askush nuk ua kishte dëgjuar emrat, ose ashtu si thoshte vetë ‘nuk kam nevojë për këshilltarë pasi kam gjithë gjykimin që kam nevojë dhe gjithë këshillimin që kam nevojë në kokën time’”, tha një tjetër ish-ambasador europian.
Shakaja që qarkullon tashmë mes diplomatëve është se kandidati me më shumë gjasa për sekretar shteti, në administratën Trump do të jetë David Sanger, një reporter jetëgjatë i “New York Times” që ka kryer dy intervista për titujt e parë për politikën e jashtme me kandidatin republikan.
“Sanger ka kaluar më shumë kohë duke diskutuar politikën e jashtme me Trump sesa çdokush tjetër në këtë planet”, thotë ish-ambasadori”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/