Nga Blendi Gashi
Viti 2016-të do mbetet mend shumë gjatë për ngjarjet që ndodhën në skenën politike kosovare. Duke nisur nga tensionet politike në Kuvend, skandali i “përgjimeve”, vdekja e mistershme e aktivistit të VV-së Astrit Dehari derisa ishte në duart e shtetit, ngritja e aktakuzës ndaj një prej njerëzve më të fuqishëm Azem Syla, si dhe për dështimet, si moskrijimi i ushtrisë, mos liberalizimi i vizave, Asociacioni e Demarkacioni.
Top-skandalet
Prania e gazit lotsjellës në pjesën e parë të vitit në seancat plenare në shenjë kundërshtimi të ratifikimit të Demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, ka qenë një prej ngjarjeve kryesore që dominoi skenën politike, dhe njëherit bëri që mazhoranca të improvizoj mbajtjen e seancave në mënyrë “ilegale” në sallën alternative.
Vlen të përmendet 26 shkurti, ditën kur u zgj[dh Hashim Thaçi president ku u zhvilluan protesta brenda dhe jashtë Kuvendit. Gazi lotsjellës u ndërpre tek në muajin shtator, por pasojat në funskionimin e institucionit ligjvënës kanë mbetur.
Sulmi ndaj Kuvendit dhe vdekja e Astrit Deharit
Më 4 gusht u sulmua Kuvendi për çka u akuzuan aktivistë të VV-së, në mesin e tyre edhe tashmë i ndjeri Astrit Dehari, i cili vdiq në rrethana të paqarta derisa po qëndronte në burgun e Prizrenit.
Një valë e re protestash të organizuara nga shoqëria civile tuboi me mijëra qytetarë të cilët marshuan rrugëve të Prishtinës duke kërkuar drejtësi për Deharin. Ngjarjet më lidhje me vdekjen e këtij aktivisti ende kontestohen dhe mbesin mister, derisa Prokuroria e Shtetit së fundmi ka ngritur aktakuzë ndaj katër aktivistëve të VV-së derisa kanë pushuar hetimet ndaj të ndjerit Dehari dhe një aktiviste tjetër.
“Pronto 2” me kryeprotagonist Adem Grabovci
Skandali i përgjimeve e njohur si “Pronto 2”, me kryeprotagonist Adem Grabovcin dhe krerët e PDK-së, tronditi jo pak seknën politike, ku edhe u argumentua se si bëhen punësime me direktiva të pushtetit, derisa eleminohen nga konkurenca njerëz që janë jopartiak. As ky skandal nuk bëri që Grabovci të japë dorëheqje nga pozita e deputetit, ai vetëm u largua nga pozita e kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së. Ndërsa Prokuroria e Shtetit ka hapur rast ndaj Grabovcit që ndërlidhet me dyshimet e bazuara për veprimtari të kundërligjshme.
Bllokada e serbëve në veri bërë Mustafës
Një skandal tjetër është moslejimi i ministrit të Financave, Avdullah Hoti të shkoj në veri nga serbët lokalë, dhe shkuarja e kryeministrit Mustafa në përurimin e një ure përmes rrugës alternative, gjë që dëshmoi se strukturat paralele bëjnë “ligjin” në atë pjesë e jo shteti ynë, pavarësisht deklarimeve të Mustafës.
Ministrat serb kundër shefit Mustafa
Ministrat e Listës Serbe gjatë gjithë vitit të kaluar treguan “dhëmbët” e tyre ku në vazhdimësi punuan për interesat e Beogradit, ndërsa u paguan nga taksat e qytetarëve të Kosovës.
Krejt në fund të vitit plasi skandali kur ministrat serb haptaz deklaruan se “kryeministër i yni është Aleksandër Vuçiq e jo Isa Mustafa”.
Muri
Ndërtimi i murit në dhjetor nxiti reagime të ashpra në Prishtinë, ku tri partitë opozitare theksuan se muri ishte produkt i dialogut të vazhdueshëm ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Megjithatë, zyrtarët qeveritarë gjithashtu menjëherë e dënuan ndërtimin e murit, duke kërkuar ndihmë nga Bashkimi Europian, ndërmjetësues i dialogut dhe premtuar heqjen e tij, por që nuk ndodhi një gjë e tillë.
Fyerjet ndaj grave politikave
Një super-skandal mbetet edhe fyerja që ju bë grave politikanet nga “burrat”, duke i quajtur me emra kafshësh si “lopë”, “qurë”, “hijenë”, etj.
Në fund të vitit ndodhi dhe një tjetër skandal në Kuvend ku drejtuesi i veteranëve të UÇK-së Hysnei Gucati, fyejti nënkryetaren e këtij institucioni Aida Dërguti të cilës iu drejtua me fjalët “ta shti gishtin në gojë”, ndërsa diskutohej për ligjin për veteranët, ku Dërguti akuzoi krerët e shoqatës se nuk i përfaqëson të gjithë veteranët.
Lladrovci…përplasjet
Zgjedhjet në komunën e Drenasit ku për herë të parë shkoi në balotazh kjo komunë, bastion që nga paslufta i PDK-së është një ndër top-ngjarjet e vitit, dhe më pas “përplasjet” nga distaca të tashmë kryetarit Ramiz Lladrovci me deputetin e VV-së, Rexhep Selimi dhe më pas me drejtuesin e NISMA-s, Jakup Krasniqi dhe gazetarin Milaim Zeka, për ngjarjet që kanë ndodh në luftë.
Ja top-dështimet politike të 2016-tës
Mosliberalizimi i vizave edhe pse i premtuar prej vitesh padyshim se është një prej dështimeve më të mëdha të politikës.
Ndonëse Bekim Çollaku, ashtu si shefi i tij Hashim Thaçi premtoi heqjen e vizave një gjë e tillë nuk ndodhi. Duke parë dështimin, Çollaku u largua dhe la bosh pozitën e ministrit të Integrimeve Evropiane, që vazhdon të mbetet e tillë, pasi PDK ende nuk ka emëruar një zyrtarë të saj në këtë detyrë.
Tjetër dështim i madh është mosthemelimi i ushtrisë edhe këtë vit. PDK dhe LDK fajësuan për këtë partnerin e koalicionit qeverisës Listën Serbe, pasi për të ndodh transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës nevoiten edhe votat e komunitetit serb.
Mosratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi mbetet një dështim i radhës i koalicionit PDK e LDK edhe pse këto të fundit në vazhdimësi kritikuan opozitën dhe deputet të caktuar të tyre për mos dhënien e votave.
Një dështim tjetër është edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe e njohur si “Zajednica”, për çka deputetët serbë të koalicionit institojnë se duhet themeluar, ndërsa vazhdon të refuzohet nga opozita.
Hyrja e shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq në shtetin tonë përkundër se vizita e tij nuk u lejua nga institucionet tona është një dështim jo i vogël, për çka më pas ngacmoi edhe kreun e qeverisë duke thënë se edhe ai “lëviz në veri njëjtë si Mustafa”. /tesheshi.com/