Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës sot kanë bastisur pesë organizata joqeveritare, që i përkasin besimit shiit, në dy lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe në Prizren.
Në Prishtinë OJQ-të: “Nisa”, “Bregu i Diellit” dhe “Ibni Sina”, ndërsa në Prizren janë bastisur OJQ-të: “Kurani” dhe “Ehli Bejti”.
“Bastisja është kryer për shkak të dyshimit për veprën penale: “Shpëlarja e parave”, nga neni 308 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 24 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Parandalimin e Financimit të Terrorizmit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Në këtë komunikatë thuhet se gjatë bastisjes janë sekuestruar përkohësisht sende që mund të jenë prova gjatë procedurës penale.
“Aksioni i sotëm është njëri nga veprimet e ndërmarra në një rast që është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të terrorizmit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.