Zyrtarët në Moskë njoftojnë se Rusia do të prodhojë 200 milion doza të vaksinës së koronavirusit deri në fund të vitit 2020, megjithatë, shumë besojnë se shanset për këtë janë të vogla, shkruan BBC.
Në mes të korrikut, Kirill Dmitriev, drejtor i Fondit të Investimeve Direkte Ruse, i cili financon zhvillimin e vaksinës, njoftoi se prodhimi masiv i vaksinës do të fillonte në gusht.
Deri në fund të vitit, Rusia duhet të prodhojë 200 milion doza për t’u përdorur në të gjithë botën, njoftoi ai.
“E çuditshme”, është se si Anton Gopka, drejtori i ATEM Capital, një kompani që merret me investime në kujdesin shëndetësor, e sheh njoftimin.
“Në një muaj, ata arritën të përfundojnë fazën e parë të testimit, që është një rekord, por është një njoftim i çuditshëm që vaksina do të jetë e gatshme gjatë vjeshtës, sepse faza e dytë e testimit zgjat të paktën disa muaj”, tha Gopka për BBC.
“Vaksina është e gatshme,” tha zëvendësministri i Mbrojtjes Ruslan Tsalikov në një intervistë për një gazetë ruse.
Sidoqoftë, Ministria ruse e Shëndetësisë njoftoi se ekzaminimet janë ende në vazhdim, raporton BBC në rusisht.
“Faza e dytë e testimit të vaksinave është duke u zhvilluar,” tha Aleksi Kuznetsov, një ndihmës i ministrit të Shëndetësisë të Rusisë.
Universiteti Sechenov, ku vaksina po testohet, njoftoi se deri tani 38 vullnetarë kanë marrë vaksinën dhe se do të jetë nën mbikëqyrje për gjysmë viti.
Vetëm pas kësaj, Instituti Gamalej, i cili po zhvillon vaksinën, duhet të vendosë për rrjedhën e mëtejshme të testimit.
Svetlana Zavidova, drejtore e Shoqatës së OJQ-ve ruse të Provave Klinike, është gjithashtu skeptike ndaj njoftimeve.
“Faza e parë e testimit filloi në qershor dhe nuk besoj se ata mund të mbledhin të gjitha të dhënat për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës deri në gusht,” i tha Zavidova për BBC në serbisht.
Gazetari rus i BBC, Oleg Boldirev thotë se kjo nuk është hera e parë që zyrtarët “nxitojnë duke thënë se gjithçka është gati”, megjithëse nuk është ashtu.
Pavarësisht njoftimeve në titujt e gazetave, Boldirev thekson se tani për tani dihet se Rusia sapo ka përfunduar fazën e parë të testimit.
“Eshtë e sigurt që vetëm faza e parë e testimit ka përfunduar, me ndoshta një pjesë të fazës së dytë, por kjo do të thotë që të tre fazat e testimit nuk kanë mbaruar,” thotë ai.
Procesi i testimit të vaksinës së re përbëhet nga katër faza, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit.
OBSH ka njoftuar se aktualisht ka 140 vaksina në botë në testet paraklinike, 10 në fazën e parë dhe 9 në fazën e dytë, dhe katër vaksina kanë arritur në fazën e tretë, të fundit të testimit.
Vaksina kundër virusit të koronës në Rusi është duke u zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Institutin Gamalej – qendra kombëtare kërkimore për epidemiologji dhe mikrobiologji.
Zhvillimi i vaksinës financohet nga Fondi i Investimeve Direkte. Grupi i parë prej 38 vullnetarëve mori vaksinën në gjysmën e dytë të qershorit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Ruse.
Vullnetarët zhvilluan antitrupa dhe kaluan pa efekte negative në 28 ditët e para pas marrjes së vaksinës, shkruhet në njoftim, dhe shtohet se vullnetarët do të duhet të kthehen 42 ditë pas marrjes së dozës në mënyrë që të kryejnë testime të mëtejshme.
Sidoqoftë, drejtori i Fondit për Investime Direkte, Dmitriev, më parë njoftoi se faza e dytë e testimit të vaksinës do të jetë gati në fillim të gushtit, dhe se faza e tretë do të zhvillohet jo vetëm në Rusi, por edhe në vendet e tjera.
Dmitriev njoftoi gjithashtu se prodhimi masiv i vaksinës do të fillonte në vjeshtë.
“Që vaksina të jetë e sigurt, duhet të dimë se ajo është testuar në mijëra njerëz,” paralajmëron Zavidova. /tesheshi.com/