Nga Blendi Gashi
Ndërsa janë bërë një muaj ku top-lajm mbetet përçarja e madhe në Vetëvendosje, fat të tillë po e pret sërish PDK-në. Kjo parti rrezikon që për herë të dytë të përçahet, pasi një herë është ndarë kur Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi dhe shumë mbështetës të tyre u larguan nga PDK, gjatë kohës sa partinë e drejtonte Thaçi.
Dhe gjasat që të ketë një ndarje të re në krye të partisë edhe me Kadri Veselin, janë tejet reale.
Kriza e re ka nisur të martën, më 23 janar, mu në zemrën e PDK-së, pra në Drenicë, konkretisht në Skënderaj, ku vijnë pothuajse gjithë themeluesit e kësaj partie.
Është një prej njerëzve më të forte në PDK, Sami Lushtaku, kryetar i degës së kësaj partie në Skenderaj që siç duket ka nisur pastrimin e partisë nga disa figura me ndikim në këtë rajon.
Kjo degë e drejtuar nga Lushtaku ka marrë vendim për shkarkimin e deputetit Bekim Haxhiu i njohur ndryshe edhe si “Kamishi” nga funksioni i nënkryetarit të degës dhe përjashtimin e shtatë asambleistëve komunalë nga PDK, me arsyetimin se kanë ndikuar në përçarjen e partisë.
“Vendimi ka ardhur për shkak të mos respektimit të vendimit unanim të organeve të partisë lidhur nominimin e kandidatit të PDK-së për kryesues të Kuvendit, duke u rreshtuar krah subjekteve opozitare në Kuvend, dhe duke shpërfillur madje edhe ftesat për konsulta nga organet drejtuese të PDK-së. Këto veprime, Kryesia e degës i cilëson si shkelje flagrante të Statutit të PDK-së, neni 65 paragrafi 1, sipas të cilit “Të gjithë anëtarët e PDK-së, përfshirë edhe ata që janë në pozita të larta udhëheqëse brenda PDK-së të cilët shkelin statutin, vendimet e organeve të PDK-së, programin, devijojnë nga politika e PDK-së, se në ndonjë formë tjetër shkelin parimet dhe vlerat e PDK-së, ndaj tyre shqiptohen masa disiplinore”, paragrafi 2 “masa disiplinore “. Pika (f), “ Përjashtimi nga PDK.
Gjithashtu Kryesia e degës, me propozim të kryetarit Sami Lushtaku ka marrë vendim që të shfuqizojë vendimin e më hershëm për emërimin e Bekim Haxhiut nënkryetar i degës së PDK-së në Skënderaj. Në bazë të këtij vendimi z.Bekim Haxhiu që nga dje nuk është nënkryetar i degës së PDK-së në Skënderaj, ndërsa i njëjti vazhdon të jetë anëtar i Kryesisë së degës së PDK-së në Skenderaj. Në arsyetimin e propozimit, të votuar unanimisht, z Sami Lushtaku ka thënë se z Haxhiu ka nxitur përçarje brenda PDK-së dhe nuk ka përfillur vendimet dhe qëndrimet politike të organeve legjitime të PDK-së dega në Skenderaj”, thuhet në njoftimin e degës së PDK-së në Skenderaj.
“Lufta” Lushtaku vs “Kamishi”
Me të dëgjuar lajmin për shkarkimin e tij, Haxhiu, ka reaguar duke thënë se Lushtaku nuk mund ta shkarkojë dhe se do mbetet në pozitën e nënkryetarit të degës së PDK-së në Skenderaj.
“Mua mundet të më shkarkoj vetëm qytetari. Ai vendim i Sami Lushtakut po me vjen keq me thënë por është i barabartë me zero. Kurrfarë efekti juridik e kurrfarë peshe për mua nuk ka. Ai vetëm e ka treguar frikën e tij për shkak të zgjedhjeve të brendshme që i kemi në parti, karakterin e tij”, ka deklaruar Haxhiu për mediat kosovare.
Por Lushtaku i është kundërpërgjigjur “Kamishit”, duke thënë se është kryetari i degës dhe vendimet e tij janë definitive për të gjithë.
“Është vendim i Kryesisë së partisë. Ka ndikuar për përçarje në Partinë Demokratike të Kosovës, në Skënderaj”, ka thënë Lushtaku për “Insajderin”.
Lushtaku kundër Lushtakut
Ndaj vendimit të Sami Lushtakut ka reaguar nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Nuredin Lushtaku i cili është edhe anëtar i PDK-së, i cili e vlerëson të padrejtë vendimin për shkarkimin e “Kamishit”, duke thënë se Samiu po iu hakmerret të gjithë atyre që i qëndruan afër kryetarit të tanishëm të Skenderajt, Bekim Jashari.
Nuredin Lushtaku paralajmëron se partinë e tij nuk po e presin ditë të mira dhe po shkon drejt shpërbërjes, por shton se nuk do rri duarkryq.
“Nuk e di se cili është synimi i tij (Sami Lushtakut), përveç që këto zhvillime shkojnë kah shkatërrimi i partisë dhe nëse dikush e ka këtë synim le të provon.
Të heshtur nuk do të qëndrojmë karshi kësaj ngjarje, me i përjashtu njerëzit që janë zgjedhur nga populli nuk është e drejtë dhe nuk ka qenë kryesia ajo e cila e ka marrë këtë vendim por këtë e ka bërë në një mbledhje ku zakonisht kështu veprohet kur duan të vendosin kundër dikujt”, ka deklaruar për mediat kosovare Nuredin Lushtaku.
Kush do fitojë…
Nga këto deklarata shihet se kjo pakënaqësi rrjedh që nga zgjedhjet lokale kur Bekim Haxhiu (Kamishi) haptas përkrahu kandidaturën e Bekim Jasharit për kryetar të Skënderajt, edhe pse Sami Lushtaku rishfaqi dëshirën e tij për të udhëhequr edhe për një mandat këtë komunë, pas lirimit të tij nga burgu.
Megjithatë, më i zëshmi kundër Sami Lushtakut ishte Nuredin Lushtaku, i cili kishte një marrëveshje “sekrete” me Kadri Veseli që ai të mos merrte pjesë në zgjedhje të parakohshme parlamentare por të kandidohej për kryetar të Skenderajt.
Pasi Veseli nuk e mbajti fjalën, Nuredin Lushtaku haptas tha se do të mbështes një kandidat tjetër në atë mënyrë që t’i pamundësohej fitorja e Sami Lushtakut. Këto zhvillime ndikuan që PDK-ja të tërheq kandidaturen e saj në këtë komunë, dhe përkrahi kandidatin e pavarur Bekim Jashari, i cili edhe doli fitues.
Nga këto deklarata shihet qartë se të “fuqishmit” e PDK-së në Drenas kanë nisur një luftë të re mes tyre për të pasur nën kontroll këtë parti.
Mbetet të shihet se si do të reagojë Kadri Veseli dhe nëse do të arrijë ta qetësojë situatën, apo përçarja do thellohet dhe më shumë. Dhe nëse kjo e fundit ndodhë pasojat mund të jenë të mëdha për PDK-në. /tesheshi.com/