Forcat azerbajxhanase kanë vazhduar të avancojnë në rajonin e Nagar-Karabakut të okupuar nga armenët, duke marrë kontrollin e pozicioneve strategjike në zonë. Në mes të përshkallëzimit të konfliktit midis dy vendeve, Armenia akuzoi Turqinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake në sulmet e forcave azerbajxhanase.
Ministria e jashtme e Armenisë tha se Turqia ka “një prani të drejtpërdrejtë në terren, me ekspertë ushtarakë turq që luftojnë në anën e Azerbajxhanit”. Jerevani gjithashtu deklaroi se Azerbajxhani përdor armë turke, përfshirë F-16 dhe dronët turq Bayraktar.
Shpejtësia dhe serioziteti
Mbështetja turke për Azerbajxhanin karakterizohet nga koordinimi, hapja, shpejtësia dhe serioziteti, sikur sulmi të drejtohej kundër Ankarasë. Në Turqi, kjo çështje ka marrë vëmendje në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe mes njerëzve. Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar kërcënoi se Armenia do të “paguante çmimin për sulmet e saj në territoret e Azerbajxhanit”.
Pas vizitave dhe koordinimit në nivelet më të larta ushtarake, Ismail Demir, presidenti i Administratës së Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë, njoftoi se sektori i tij ishte gati të ndihmonte Azerbajxhanin. “Industria jonë e mbrojtjes, me të gjithë ekspertizën, teknologjitë dhe aftësitë e saj, nga dronët te municionet, raketat dhe sistemet e luftës elektronike, është gjithmonë në dispozicion të Azerbajxhanit.” Ai gjithashtu premtoi ndihmë në modernizimin e ushtrisë Azerbajxhanase.
Në fund të korrikut, Turqia tregoi se po kalonte nga fjalët e mbështetjes për Azerbajxhanin në lëvizje praktike dhe parandaluese, ndërsa të dy vendet mbajtën stërvitje të përbashkëta ushtarake të quajtur “Shqiponja turko-azerbajxhanase” në atë kohë.
Sipas të dhënave zyrtare ushtarake të lëshuara nga ministritë e mbrojtjes turke dhe azerbajxhanase, të dy ushtritë iu nënshtruan trajnimit për pastrimin e disa territoreve strategjike nga një armik imagjinar, mbështetjen e përbashkët të zjarrit për forcat tokësore, uljet e helikopterëve dhe detyrat themelore ajrore të tilla si bombardimet tokësore, përgjimet dhe sulmet ditën dhe natën.
Ushtrimet përfshinin ekzaminimin e gatishmërisë së avionëve luftarakë të forcave të armatosura të të dy vendeve, shqyrtimin e gatishmërisë së forcave për të kryer komandat ushtarake dhe gjuajtjen e automjeteve të blinduara, artilerisë dhe mortajave në shënjestrat e armikut imagjinar. Ato gjithashtu përmbanin stërvitje me municion të drejtpërdrejtë dhe mbulonin zonat kufitare me Armeninë. Në fund të stërvitjes ushtarake morën pjesë ministri i Mbrojtjes dhe komandantë të rangut të lartë të ushtrisë turke, i cili ishte një mesazh i qartë se Turqia është e gatshme të ndërhyjë në rast se Armenia vazhdon të sulmojë. Presidenti i Azerbajxhanit e konsideroi atë si një “gjë të frikshme për Armeninë”.
Por pyetja që shtrohet është: A u kthyen forcat e mëdha turke dhe pajisjet ushtarake, të cilat morën pjesë në manovrat ushtarake të forcave të armatosura turke dhe azerbajxhanase në Baku, një muaj më parë, apo ishte stërvitja që kishte për qëllim mbajtjen e forcave në zonë për të të përgatitur për ndonjë përballje në të ardhmen?
Nga ana e tij, Jerevani nxitoi të siguronte pajisje ushtarake të ngjashme me atë që mori Baku-ja nga Ankaraja, por nga Lindja e Mesme, këtë herë nga Jordania, dhe kjo garë vazhdon.
Gatishmëria e ushtrisë turke
Në këtë kontekst, Ismail Hakki, një ish-zëvendës shef i inteligjencës ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm Turk, përmend se nën marrëveshjen e sigurisë dhe bashkëpunimit ushtarak Ankara-Baku, ushtria turke dërgoi këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar homologun azerbajxhanas në konfliktin aktual kundër Armenisë, për t’i siguruar atij trajnim.
Hakki nuk e mohoi që ushtria azerbajxhanase përdori armë turke, përfshirë F-16 dhe dronë Bayraktar, në konfliktin aktual, por konfirmoi se Azerbajxhani i kishte blerë ato më herët me paratë e veta.
Ai theksoi se armët e rënda të përdorura nga ushtria turke në manovrat e përbashkëta me homologen azerbajxhanase u kthyen në Turqi pas përfundimit të stërvitjes të mbajtur në Baku.
“Turqia nuk do të marrë pjesë në terren me ushtrinë dhe trupat e saj në konfliktin aktual, përveç nëse ushtria armene bën përparim në tokë, pushton zona të reja dhe kërcënon projekte turke atje, të cilat do të zhvillohen në koordinim me Baku-në,” tha ish-zëvendës shefi i inteligjencës ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm Turk.
“Rusia nuk është në favor të Armenisë në këtë konflikt dhe ne kemi informacion se ajo nuk do të ndërhyjë në terren në një të ardhme të parashikueshme,” shtoi Hakki.
A do të sulmojë Turqia Armeninë?
Ibrahim Karagul, një kolumnist turk pranë qeverisë, beson se nëse loja që Rusia, Franca dhe Emiratet e Bashkuara Arabe luajnë përmes Armenisë ka sukses, portat lindore të Turqisë do të mbyllen plotësisht. Prandaj, Turqia po ndërhyn për të penguar rrethimin nga lindja, pa marrë parasysh sa do të kushtojë, tha ai.
Karagul shtoi se manovrat ushtarake të Turqisë me Azerbajxhanin mund të bëhen realitet kur të jetë e nevojshme, dhe frontet e Azerbajxhanit do të jenë gjithashtu fronte luftarake të Turqisë.
“Ne po përballemi me një skenar të ri që synon dobësimin e Azerbajxhanit dhe mbylljen e daljeve lindore në Turqi. Me këto sulme, armiqtë tanë po provojnë forcën e Turqisë dhe rezistencën e Azerbajxhanit, korridoret e trafikut dhe tubacionet e naftës në Detin Kaspik dhe Kaukazin e Jugut. Prandaj, Turqia nuk do të largohet nga Azerbajxhani, sepse sulmet e Armenisë në thelb drejtohen kundër Turqisë. Çështja nuk ndryshon shumë nga sulmet e kryera nga ISIL dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK),” shtoi ai.
Karagul pretendon: “Mbrojtja e Azerbajxhanit është mbrojtja e tokës turke. Eshtë identiteti ynë dhe vetëdija jonë politike. Këto janë strategjitë tona të mbrojtjes dhe mënyra jonë e të menduarit gjeopolitik.”
Rusia heziton
Një nga udhëheqësit e Partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Birol Demir, thotë se Armenia ka nevojë për Moskën në dritën e armiqësisë historike midis saj dhe Turqisë, por se Rusia heziton të afrohet me të, pavarësisht se ka arritur një aleancë afatgjatë për të mbajtur bazën ushtarake të Rusisë aty deri në vitin 2044. Sipas agjencisë ruse Sputnik, Moska ka një bazë ushtarake në Armeni, e cila ka rreth 5000 mijë ushtarë.
Demir tha se përplasjet e rinovuara ishin një mesazh rus që synonte provokimin e Ankarasë dhe një përpjekje për ta ngatërruar atë në disa fronte rajonale. Ai shpjegon se për shkak të kësaj, përgjigja e Turqisë ishte e qartë: jo vetëm që qëndroi pranë Azerbajxhanit, por gjithashtu përshpejtoi koordinimin e vizitave dhe pozicioneve në nivelin e komandës ushtarake.
Ai tërhoqi vëmendjen për faktin se Rusia po përdor konfliktet etnike në rajonin e Kaukazit të Jugut për avantazhin e saj dhe strategjia e saj reflektohet në parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit. Sidoqoftë, ajo dëshiron ta mbajë situatën të tensionuar në mënyrë që Azerbajxhani dhe Armenia të mos ndihen aq të fortë sa të ndiejnë pavarësinë.
Demir tregon se prania e një baze ushtarake ruse i bëri armenët të ndjejnë mbështetjen ruse, ndërsa azerbajxhanasit mendojnë se Turqia është me ta, sepse Ankaraja ka një bazë ushtarake në Azerbajxhan dhe gjatë gjithë historisë ka qenë me Baku-në kundër Jerevanit. /tesheshi.com/