Me përhapjen e pushtimit gjerman në Evropë, Gestapo (shkurtesa e Geheime Staatspolizei, Policia Sekrete e Shtetit) u bë krahu politik i SS, dhe u përhap edhe jashtë Gjermanisë. Më pas, në periudhën e pasluftës dhe në mesin e Luftës së Ftohtë, shumë oficerë, të cilët i shpëtuan gjyqeve të Nurembergut, u rekrutuan si agjentë sekretë nga fuqitë perëndimore dhe Bashkimi Sovjetik.
1. Nuk ishte një shpikje e nazistëve
Me palltot e tyre prej lëkure, agjentët e Gestapos kanë hyrë në imagjinatën tonë nga filmat e shumtë mbi nazizmin. Në fakt, kjo strukturë nuk ishte një shpikje e Hitlerit, por një evolucioni i policisë politike të Rajhut Prusian (një nga më efektivët në fund të shekullit XIX), e cila në vitin 1933 iu besua Hermann Göringut nga Adolf Hitleri.
2. Kontrollohej nga SS
Në vitin 1934, Gestapo u vendos nën kontrollin e drejtpërdrejtë të SS (dhe në veçanti të Shërbimit të Sigurisë). Komandanti i SS, Heinrich Himmler, donte që të krijonte një strukturë inteligjence brenda korpusit elitar të partisë naziste.
Ai zgjodhi në krye të tij ambiciozin Reinhard Heydrich, që brenda pak vitesh u bë udhëheqësi i padiskutueshëm i Gestapos dhe u shndërrua në një nga njerëzit më të frikshëm të Rajhut nazist. Duke filluar nga viti 1936, Heydrich ia besoi atë “drejtorit të përgjithshëm” Heinrich Müller.
3. Punët e pista të kësaj policie
Në Gestapo kishte një zyrë për çdo nevojë: identifikimin dhe kapjen e hebrenjve, kontrollin politik mbi sektet dhe kishat (përfshirë masonerinë), gjuetinë ndaj kundërshtarëve politikë (me departamente kushtuar komunistëve, por edhe liberalëve dhe “reaksionarëve”), mbikëqyrjen e emigracionit dhe imigracionit, kontrollin e kufijve, autorizimin për të punuar në fabrika dhe zyra, spiunazhin dhe luftën kundër sabotimit të brendshëm.
4. Nga nazistë në agjentë sekretë të SHBA-së
Pas vitit 1939, ajo që supozohej të ishte policia sekrete shtetërore u përhap edhe jashtë vendit. U krijuan departamente të posaçme në vendet e pushtuara, ku Gestapo vepronte si krahu politik i SS-së. Për shembull, në Francë, Klaus Barbie (1913-1991), komandanti i Gestapos me nofkën “xhelati i Lionit”, luajti një rol të spikatur.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Barbie, si shumë ish-figura të rëndësishme të Gestapos, shpëtoi pasi u rekrutua nga kundërspiunazhi amerikan. Por në vitin 1987, ai u dënua me burgim të përjetshëm në Francë. E njëjta gjë ndodhi edhe me kriminelët e tjerë nazistë të luftës që ishin pjesë e Gestapos dhe më pas u shndërruan në agjentë sekretë gjatë Luftës së Ftohtë nga fuqitë perëndimore dhe Bashkimi Sovjetik.
5. Ku i mbyllnin të burgosurit?
Burgjet e Gestapos ishin de fakto kampe përqendrimi. Në Berlin, policia sekrete caktoi një zonë të aeroportit Tempelhof si burg për kundërshtarët e regjimit. Quhej Columbia-Haus. Të burgosurit jetonin në kushte çnjerëzore brenda 156 barakave prej druri, të cilat ishin gjithnjë të mbipopulluara.
Shumica e të internuarve ishin hebrenj, komunistë, socialdemokratë, intelektualë dhe homoseksualë. Pjesa më e madhe vdiqën si pasojë e rrahjeve, torturave dhe privimeve që pësuan. Gjithsej rreth 8 mijë njerëz u burgosën atje deri në 1936-ën, vit në të cilin Ministria e Aviacionit të Rajhut vendosi ta mbyllte kampin e përqendrimit për të lejuar zgjerimin e aeroportit. Të burgosurit u transferuan në kampin e përqendrimit aty pranë, Sachsenhausen, ndërsa Columbia-Haus u shkatërrua në majin e vitit 1938. /tesheshi.com/