Nga Vajada Keçi
Eriona Xhaferaj është themeluesja e dy markave të njohura të kozmetikës, “Sekretet e Natyrës” dhe “Greenager”.
Për suksesin e saj në sipërmarrje, ajo arriti të fitonte çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Aspirational Global Woman Award 2020” në platformën “Global Woman” të themeluar nga Mirela Sula.
Por si arriti farmacistja dhe nutricionistja nga Tirana të spikasë në këtë konkurrim ndërkombëtar? Cili është mendimi i saj për të ardhmen?
Më poshtë sjellim rrugëtimin, vizionin dhe aspiratat për të ardhmen si dhe burimin e forcës së saj të brendshme. Një personazh i cili duhet ndjekur dhe vlerësuar për atë që ofron.
Kur jeton larg, shpeshherë nuk je në dijeni të personaliteteve në fusha të ndryshme të komunitetit të origjinës, të sukseseve të tyre dhe dinamikave që i rrethon. Ndaj dhe dikur, nga Italia, pata dëgjuar se në Tiranë, jetonte një vajzë myslimane e cila krijonte produkte kozmetike të cilësisë së lartë. Natyrisht që kjo më gëzoi sepse, nëse do të ishte e nevojshme, edhe unë do të mund të drejtohesha tek ajo në të ardhmen, pra, te një person me besueshmëri të lartë.
Mësova se, ajo kishte shpërndarës dhe filiale në qytetet kryesore të Shqipërisë. Si ekonomiste në zhvillim, ky element më tërhoqi, për shkak të largpamësisë së saj dhe modelit të strukturuar të biznesit që drejtonte, ndryshe nga të tjerët. Të lidhura nga rrethana rastësore, pata fatin të bisedoja me të, dhe ishte aq bukur të vëreje se sa shpejt zemrat bashkohen kur kanë rezonanca energjie të përafërt.
Lindi dëshira të rrëfeja rrugëtimin e saj me anë të syrit të një studiueseje të sipërmarrjes duke u munduar ta thjeshtëzoja dhe të bëja më të lexueshme karakterin dhe shtytjen e saj të brendshme për të arritur sukses. Ndaj, dhe biseda e shkurtër por aq e thellë me të, më frymëzoi të ndaj me ju përjetimet dhe reflektimet e mia.
Me dy marka produktesh tashmë të njohura në Shqipëri dhe Kanada, Eriona Xhaferaj, mishëron shpirtin e sipërmarrëses e cila nuk ndalet derisa aftësitë e saj të jenë në shërbim të publikut të gjerë me produkte ekselente. Vura re se ishte jo vetëm inovatore me formulimin e produkteve të saj, menaxhere e zonja në biznesin e suksesshëm, por edhe e dallueshme për nga modeli i marketingut si “passaparola” ose ndryshe “përhapja e fjalës”. Nga ana tjetër, daljet e shpeshta në televizionet kombëtare për të ilustruar produktet e krijuara, rritën perceptimin e publikut në leximin e saj si eksperte e fushës. Ndër të tjera, këto ishin elementet që spikasin më së tepërmi te profili i Erionës në kohët më të hershme, dhe më besoni, për një sipërmarrëse shqiptare, të moshës së saj të re këto ishin hapa prej gjiganti dhe vërtet të mirëmenduara.
Eriona ka arritur me intuitën e saj të mprehtë të shndërrojë një profesion plot finesë dhe intelekt siç është farmacia, në një biznes që ofron produkte elitare të cilësisë së lartë. Ka punuar pa u lodhur duke mos reshtur së studiuari dha përmirësuari aftësitë dhe dijet në profesion. Duke mishëruar edhe parimet e saj fetare, që sipas fesë islame dija duhet kërkuar nga djepi deri në varr, Eriona ka rendur nga specializimi në specializim në fushën e saj të ekspertizës, e për më tepër duket qartë që nuk ka ndër mend të ndalet.
Por si e ka marrë ajo kurajën për të kaluar nga profesioni i farmacistes, në atë të formulueses së produkteve kozmetike e tashmë së fundmi, në nutricioniste?
Në fillim, po reflektoja mbi faktin se ç’e shtyu për të ndërmarrë studime mbi farmaceutikën. Shpeshherë është e vështirë të kryesh studime në një profesion i cili nuk e di ende nëse do të të apasionojë, apo do të kesh forcën e brendshme për të dhënë maksimumin tënd larg mediokritetit. Ndaj dhe rasti i saj më tërhoqi, pikërisht sepse vepron në nivele të larta profesionaliteti.
Në bisedën tonë, plot modesti, më rrëfen se njëra nga dëshirat e saj më të thella ishte “të kalonte jetën duke i ndihmuar të tjerët të gëzonin shëndet të plotë, për të jetuar në formën më të mirë të mundshme”. Profesioni i farmacistes ishte një rrugë e cila të çonte në realizimin e qëllimit që i kish vënë vetes të ndiqte në jetë.
Në praktikë, mbas studimeve zbuloi në vetvete se nuk dëshironte të fokusohej vetëm në shitjen e thjeshtë të produkteve të cilat vinin të gatshme dhe standard nga kompanitë farmaceutike, por të ndihmonte me diçka ndryshe. Të ishte inovatore. Të krijonte vetë produktet e saj, duke i kontrolluar dhe aprovuar. Me këtë vetëdijësim, ndodhi dhe kalimi nga profesioni i farmacistes në atë të formulueses së produkteve. Ky kalim thelbësor në karrierën e saj, ndodhi pas përfundimit të Masterit në Universitetin italian të Camerinos. Studioi thellësisht se sa shumë substanca të dëmshme ndodhen në produkte të cilat ne i përdorim në përditshmërinë tonë shpeshherë edhe pa ia ditur dëmin që mund të na shkaktojnë.
Në studimin e një këndvështrimi ndryshe, mbi problemet që klientët e saj shfaqnin, Eriona, dëshironte të ofronte një produkt i cili realisht të zgjidhte një problem dhe jo vetëm të mbulonte simptomat e tij. Këtu lindën shumë produkte të “Sekretet e Natyrës”. Marka e cila prej vitesh i ofron klientëve të apasionuar, produkte të prodhuara në laboratorin e saj të parë, fine dhe elegant mu në qendër të Tiranës. Aftësitë e zhvilluara, karakteri inovator, dhe mbi të gjitha besueshmëria që përcjell si person, ndihmuan shpejt që nevoja për zgjidhjen që u ofronte problemeve “Sekretet e Natyrës” të ndihej në të gjithë vendin.
Ajo arriti kështu të krijojë në të gjithë Shqipërinë një rrjet distributiv i cili lindi natyrshëm nga nevoja dhe kërkesa e madhe për produktet e saj si dhe pamundësia për shkak të distancave të largëta, për të patur akses në dyqanin fizik. Në këtë aspekt, rrjeti distributiv i krijuar prej saj luajti një rol të rëndësishëm: jo vetëm krijoi akses në produktet e saj për më shumë klientë, por mundësoi që edhe gra të tjera të gjeneronin të ardhura nëpërmjet shitjes së produkteve të saj te klientët e tyre në mënyrë kapilare. Pra, krijoi rrjetin distributiv. Por ajo çka e karakterizonte suksesin e saj, ishte prodhimi shpeshherë i produkteve të personalizuara për individin, pikërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të promotorëve të cilët kishin kontakt të drejtpërdrejtë me klientin dhe i ofronin atij zgjidhje për problemin specifik që ato shfaqnin. Personalizimi i produktit në të tilla nivele, është e pamundur të arrihet nga firmat e mëdha sado të suksesshme që të jenë.
Rrugëtimi në Kanada drejt Holistic Nutrition
Në mes të këtij suksesi, ajo ka mundësi të transferohet në Kanada me të gjithë bagazhin e dijeve dhe aftësive profesionale. Këtu, jeta e saj merr sërish një drejtim të ri dhe të papritur, nis studimet mbi “Holistic Nutrition”. Një drejtim i ri për të, i cili nuk është shumë larg farmacisë apo formulimit të produkteve kozmetike por i tejkalon ato duke i përfshirë në vete për të krijuar një strukturë të re me anë të së cilës do t’u vijë në ndihmë klientëve të saj: atë të shëndetit të përgjithshëm të bazuar mbi mirëqenien totale të individit, si në aspektin shpirtëror ashtu edhe fizik.
I gjithë ky rrugëtim, me zhvillime të papritura, bëri të mundur krijimin e një marke akoma më të madhe, akoma më revolucionare dhe akoma më gjithëpërfshirëse siç është “Greenager”. Personalisht, admiroj faktin se Eriona, duke pasur një strukturë biznesi të konsoliduar në Shqipëri, pati vizionin dhe kurajën e jashtëzakonshme për ndërmarrjen e një drejtimi të ri dhe kaq drastik në jetën dhe karrierën e saj. Këtu shoh një sfidë të brendshme të madhe që cilindo prej nesh do ta frikësonte për nga pasiguria për të ardhmen. Në vazhdën e bisedës sonë, dëshiroja të më shpjegonte se ku e mori kurajën të hidhte hapin që do të revoluciononte jetën e saj rrënjësisht.
A nuk kishte frikë se në Shqipëri po linte më shumë se sa mund të gjente në Kanada?
Me bindjen te Zoti, më shpjegon se “Mund të ndodhë të na mbyllen të gjitha dyert për të na çuar atje ku duhet të jemi. “Greenager” është drejtimi që i Madhi Zot po më çon për të ndërmarrë rrugën që Ai do, sepse Ai e di se çka unë realisht dua të arrij”. Pak njerëz do ta kishin kurajën e tillë, të mbanin gjallë një ëndërr me shpresën e fortë dhe pa u dorëzuar e të punojë me intensitet dhe pasion për ta realizuar atë.
Rrëfimi i saj vazhdon teksa më tregon se “Greenager është dashuria e madhe dhe vizioni që kam përbrenda. Ato mirësi dhe aftësi që Zoti më ka dhënë mua, të jem e aftë t’i ndaj me të tjerët për t’u ardhur në ndihmë me kapacitetin tim maksimal. Në këtë rrugë ka shumë frikëra dhe pasiguri. Të jesh inovative dhe të nxjerrësh gjëra të reja nuk është e thjeshtë. Ndaj dhe dëshira ime është të eci përpara dhe të jem lider i mirë, duke u rrethuar me njerëz me shumë vlera që t’i japi një kompletim punës dhe kontributit tim.”
Nën simbolin e “Greenager”, Eriona po krijon produkte të rëndësishme që së shpejti pritet të kenë një shpërndarje globale. Resurset intelektuale të saj, nuk mbarojnë me kaq, së shpejti Eriona do të na surprizojë duke na ardhur në ndihmë jo vetëm me produktet ekselente fizike që ajo prodhon, por edhe duke na ndihmuar të kuptojmë se si të ndryshojmë sistemin tonë të jetesës me anë të “Holistic Nutrition”. Kurset e saj do të përqendrohen në vetëdijësimin e personave për rëndësinë e të jetuarit shëndetshëm në çdo nivel, si atë shpirtëror ashtu edhe fizik. Do të dhurojë një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit dhe të jetuarit bukur duke krijuar një strukturë dijesh të aksesueshme nga të gjithë. Mentorimi i saj privat, do të mundësojë arritjen e niveleve të larta të mirëqenies fizike.
Nga një person me vizion dhe kurajë si Eriona, presim gjëra të mëdha, ndaj dhe personazhi i saj duhet ndjekur dhe vlerësuar. Personalisht i uroj çdo të mirë dhe çdo sukses, botës dhe sidomos Shqipërisë, i duhen njerëz me vizion për të ardhmen dhe të tillë që nuk dorëzohen përballë asgjëje, me vetëdijësimin se i Madhi Zot ka për to një mision më të madh se vetja e tyre. /tesheshi.com/
*Master in “International Commerce”, Itali