Nga Feti Mehdiu
Me 28 korrik 2020, u nda nga kjo jetë autorja e veprës “Xhemile Bupasha”, apo siç e njohin dashamirët e filmit “Xhemilja e Algjerisë”, që është shfaqur në Prishtinës, në vitin 1962/63.
Lexuesi shqiptar e njeh Gisele Halimin me fragmentin Xhemilja , Rilindja, 18 gusht, 1977, dhe fragmentin tjetër, botuar në Koha, Titograd, nr. 6, 1980.
Në shenjë respekti për kontributin e saj në mbrojtjen e luftëtares për çlirimin dhe pavarësinë e Algjerisë, nga vepra e saj zgjodhëm këtë fragment:
Gisele Halimi (1927-2020)
Xhemilja – 4*)
Kur e mora letrën nga një Xhemal Bupasha, kam qenë në Rabat. Më kishin thirrur të mbroja luftëtarë të FNÇ.
Mbante datën 29 mars 1960. Kjo letër kishte kaluar rrugë të gjatë e të tërthorta nëpër drejtime të ndryshme deri sa arriti te unë. Bupasha ishte internuar në llogorin Bossuet(Oran).
Menjëherë lajmërova me telegram, me 14 prill: “Xhemile Bupasha, e burgosur në burgun civil në Algjer. E zgjedhur nga familja, pranoj të jem mbrojtëse e juaj. Të lutem shkruaji gjyqit, lajmëroje për zgjedhjen e avokatit – pikë- njëkohësisht më shkruani edhe mua. Me dëshirat më të mira,
Gisele Halimi, avokat
Xhemal Bupasha nuk më pati informuar me asnjë hollësi lidhur me natyrën e akuzës që ishte ngritur kundër motrës së tij Xhemiles. Cenzurë e rreptë, vëzhgon me kujdes tërë korespodencën ndërmjet algjerianëve që “ishin vendosur aty” dhe opinionit të jashtëm: nuk i kursejnë aspak as avokatët dhe letrat e tyre.
Xhemal Bupasha, e shprehu thjeshtë: “Nuk dyshoj, doktoreshë e dashur, se ndihma juaj do të jetë ngushllim i madh për motrën time të re, e cila për shkak të situatës time është përjshtuar nga çdo ndihmë”.
Iu përgjigja sapo e pranova këtë mbrojtje.
Letrën e parë të Xhemiles e kam pranuar me 26 prill. Në një lëtër të shënjuar, me të cilën burgu civil në Algjer – i njohur me emrin Barberousse – furnizon të burgosurit, e konfirmoi pranimin e telegramit tim. Më tërhoqi vërejtjen se prindërit e saj, në të njëjtën kohë, kanë angazhuar edhe një avokat algjerian, por ajo zgjedhje nuk i kënaq. Më luti, në fund, që ta vizitoj.
Letra ishte e shkurtër, joceremoniale.”Të falemnderës që keni pranuar mbrojtjen time; Jam shumë e kënaqur që do të jem klienti juaj.”
Asnjë shprehje iluzore lidhur me ndodhitë konkrete, për sjelljen, datën e procesit: dukej sikur nuk i interesonte asgjë.
Vëllai i saj, në ndërkohë ishte transferuar në llogorin Lodi, shumë qartë shprehte entuziazmin:” Do të jem i qetë dhe i lumtur, kur të më lajmëroni se po vini në Algjer.”
Me tre maj, Xhemile Bupasha, e entuziazmuar, plot vullnet, më ktheu përgjigje për letrën time: Nuk di si t`ua shpreh gëzimin që më ka sjellë kjo letër e jotja.
Shumë më vonë, kur me orë të tëra bisedoja me te, kam hasur në ndryshime të hovshme të fazave depresive, në të cilat, “ajo ana” e mbyllur në vete, thellësisht, gati si entuziazëm mistik i luftëtarit të ri algjerian.
Me 9 maj, lajmërimi i Gjyqit të përhershëm të Forcave të armatosura në Algjeri, më lajmëroi se “klienti Xhemile Bupasha ka zgjedhë opsionin që unë të jem mbrojtëse e saj.”
Në informatë është theksuar se “Gjyqi do të mbahet me 18 maj, 1960 në orën 8, 30, në gjykatën ushtarake, Rruga Cavaigne nr. 5.”
Do të thotë se edhe një herë duhet të kthehem në Algjer. Edhe një herë u detyrova të lejoj që vullnetarisht të më lejohet udhëtimi. Nga fillimi i kësaj lufte sjelljet kanë qenë njëlloj vazhdimisht. Në prefekturën e policisë, nëpunës të papërshtatshëm pranojnë lutjet e avokatëve dhe i përcjellin te shërbimet më të larta, në reparte edhe më të papërshtatshme, të cilave duhet drejtuar… Ndonjëherë leja thjeshtë e pastër refuzohej, pa kurrfarë shpjegimi. Më së shpeshti, afati i qëndrimit caktohej sipas informacioneve që kishte policia, për tri ditë, tetë ditë; më rrallë për afat më të gjatë. Kësaj here administrata misterioze më lejoi katërdhjetë e tetë orë.
“Nga 17 deri me 19 maj, ashtu është!”, më tha në prefekturë shefi i repartit, nga i cili kërkova sqarim. Duke e përplasur në tavolinë lejen me të cilën kërkoja të ndërrohet, shtoi, pa luajtur fare vendit, pak më i skuqur se sa kur hyra: “Kështu është kjo… nuk kam tjetër send çka u them…nuk kam as kohë për të humbur!”
Lidhur me këtë, menjëherë lajmërova kryetarin e Dhomës së avokatëve, se ky qëndrim prej 48 orësh, praktikisht më mundëson të punoj vetëm dy a tri orë.
Udhëtimi: aeroport – qytet, shkuarja në arkiv për të marrë lejen për vizitë të shkosh nga Algjeri në Barberoussa – burgu është vendosur në një bulevard jashtë qytetit – kontrollimet në hyrje-dalje… Tëra këto ceremoni të panevojshme do të ma marrin orarin e punës së nesërme. Më mbetet – që brenda kësaj distance kohore të takohem me Xhemile Bupashën të përpunoj e të studioj dosjen e Xhemiles, që është një nga kushtet themelore për mbrojtje.
Arkivat bëjnë shaka, aq sa në thirrjet për seancë, që ua dërgojnë avokatëve, u tërheqin vërejtjen se dosjet i kanë në dispozicion për çdo ditë, në orë të caktuara, përveç ditës kur mbahet seanca.
Kjo do të thotë përveç një dite, kur për këtë rast më është lejuar të shkoj në Algjer. “Kjo është fare pa lidhje”, tha Kryetari i Dhomës së avokatëve.
Ky ishte, njëmend, shpjegim inkurajues.
Arrestimi i avokatëve që u bëjnë ballë pengesave algjeriane, ndjekja dhe burgosja, që u ndodhin gjatë kryerjes së detyrës së tyre, tërë kjo, përkundrazi argumenton vullnetin e çeliktë të tyre që në Algjeri t`i hapin sytë dhe t`i lirohet rruga drejtësisë të luajë parodinë e vet, pa dëshmitarë.
Si një zotëri i madh, La Chancellerie, dha leje edhe për njëzetekatër orë shtesë.
Kjo koprraci ka filluar të më brengosë.
Ndoshta e kisha kuptuar – nëse nuk e kisha pranuar – se po më detyrojnë që sapo të kryhet seanca të largohem prej këtu, përkundra faktit se avokati, pas seancës, duhet patjetër ta takojë klientin e vet, pastaj ta informojnë për mundësinë e thirrjes eventuale, dhe gjithsesi ta ngushëllojë me praninë miqësore.
Mirëpo, deshën shumë qartë të më pengojnë në studimin seriozisht të dosjes dhe të përgatis mbrojtje të suksesshme.
Përkundër tëra këtyre, vendosa të udhëtoj: nëse e shoh se ka nevojë, do të kërkoj shtyrjen e seancës. Para gjykatës ushtarake të Algjerisë, të arrish anulimin është aq vështirë, gati njëlloj sikur ta lirosh ose të plotësosh informatën…
Këtë realitet e përtypa edhe ca, kur aterova me Caravelle-n e Algjerisë, më 17 maj në orën 13 në aeroportin Maison Blanche të Algjerit.
T., avokat në Algjer, më priti me veturë. Nëna e Xhemile Bupashës së pari përshëndeti atë.
Po, në Francë … Kryengritja dështoi… Në mure
dhe anët e rrugës që çon nga aeroporti për në qytet janë mbuluar me vizatime, figura të punuara me kujdes.
Pasi që shkurtimisht ia shpalosa vështirësitë rreth marrjes së pëlqimit për qëndrim më të gjatë në Algjeri, fillova ta inkuadroj në bisedë kolegun.
Kurrgjë nuk është ajo, tha ai, me një theksim që nuk mund të imitohet: ai është rast fare i thjesht… ajo ka vënë bombën në kafene dhe “halas”
A konsiderohet ajo fajtore?
Ajo e ka pranuar! Mbrojtja nuk mund të zgjasë më shumë se dhjetë minuta.
Mënyra se si më udhëzonte në këtë çështje, m`u duk se ishte shumë e ngutshme.
Çka ka në dosje përveç pranimit?
Asgjë! Tre procesverbale… do ta shihni: një shikim dhe kjo do t`u mjaftojë.
Nuk e zgjata më tepër!
Algjeria shtrihet në gjirin e vet. E kam pritur këtë erë, kripë e përzier me rërë që po na mbush veturën.
Sapo arrita në hotelin Aletti, lash valixhen dhe shpejtova për në gjykatë, të marr lejen për vizitë.
Shfletova faqet e dosjes; T… kishte pas të drejtë. Pranim imtësisht i përsëritur.
Kjo algjeriane e re njëzetetre vjeçare ka vënë një bombë në bufenë e Fakultetit. Për fat arkëtarja ia ka hequr kapsollën para se të eksplodonte. Atë 27 shtator 1959, do të thotë, nuk pati viktima.
Me 11 mars dhe me 15 mars para gjykatësit hetues, Xhemilja gjërë dhe gjatë e sqaroi, si, pse dhe kundër kujt e ka bërë krimin.
Duke lexuar procesverbalin, dukej se është aq lehtë ta kryesh krimin, sikur që edhe ta pranosh. Madje ta rikonstruktosh me 16 mars 1960.
Dita e 15 marsit ishte e gjatë, ditë përplot ndodhi.
Gjykatësi hetues Berard e filloi dhe e përfundoi hulumtimin e rastit me 15 mars.
Madje është kryer edhe kontrolli mjekësor, ngase Xhemilja i padiste për akt të dhunimit. Kjo ishte me shumë interes, sepse në procesverbal kishte katër faqe tekst të shtypur me makinë, e mandejin fine, dy vija të befasishme: “Kërkoj të më kontrollojë mjeku. Kam qenë e maltretuar”.
Si dukej kjo vajzë e shkujdesur?
U mundova ta parafytyroj, derisa isha duke pritur në dhomën e femrave për pritje, në Barberous. Fotot nga dosja ishin të mjegulluara: paraqisnin një vajzë ngjyrë gështenje, topolake, me fytyrë pak si të mbushur, me sy të turbullt.
Në oborrin e shkëlqyer nga dielli, vura re algjerianet që më përshëndesnin miqësisht me dorë dhe më përcillnin puthjet me maje të gishtave.
Më në fund u paraqit mbikëqyrësja: “Doktoreshë, nuk mund të qëndroni në oborr”, më tha si kalimthi. Kurse të dënuarve: “Ju atje poshtë, kujdes… ”
As që e kisha vënë re të burgosurën e re, e cila mbahej pas saj.
Xhemile Bupasha? Unë jam Gisele Halimi, avokati yt…
Do të thotë, dorëshkrim i bukur, tërheqës, heshtje e këtyre rreshtave të shqetësuar, shprehje e largët, kjo kishte qenë ajo..
Ajo kishte qenë ajo, e krehura vetëm në një anë, me flokët e zeza, sytë e mjegulluar, në sjellje, kjo këmishë e ndritshme dhe e hapur…
Jam e kënaqur që keni ardhë, tha si gjakftohtë dhe e qetë. Motrat kanë pas dëshirë të të shohin…
I afrova cigare, ajo e refuzoi me lëvizje të kokës.
E pyeta për risitë në burg për familjen e saj.
Ajo përgjigjej shkurt, pa u shqetësuar. Po, ato ishin të organizuara, në parim kishin të drejtë të marrin gazeta, libra, por kjo nuk ishte e rregulltë. Varej nga disponimi i gardianëve. Ashtu ishin edhe sot “të dënuara”, ishte ndërprerë shtypi, paketat, vizitat.
Një vëlla u likuidua në mëngjes, (ajo u shpreh: “është vrarë»). I tërë burgu ishte i zgjuar: meshkujt dhe femrat me orë të tëra kanë kënduar ilahi e këngë patriotike.
Vëllau nuk është i vetmuar kur e ekzekutojnë: ne e përcjellim deri në momentin e fundit…
Xhemile Bupasha për herë të parë foli me zë të ndryshuar. U ul këmbëkryq, hovshëm; ma zuri syri një plagë mbi nyje të këmbës.
E dini, unë jam agjent i FNÇ dhe do të vdes për pavarësinë e Algjerisë.
Me ashpërsi bukur të theksuar: Këtë duhet ta dini pa tjetër.
Ka ardhur momenti që asaj t`i flitet për atë bombën, ta pyes si pret ajo të mbrohet.
Ju e keni pranuar veprën…
– Po, e kam pranuar… tërësisht e kam pranuar.
– Një heshtje. Pastaj vrullshëm shpërtheu.
Vajza drejtoi shikimin kah unë me ata sy që shkëlqenin, dhe, me një zë të dridhur, gati duke belbëzuar, tha:
Më kanë bërë dhunë… aq dhunë… në El- Biar, shikojeni krycën time! Më ka pare nëna ime: kurrsesi nuk kam mundur të eci drejt, vertikalisht, kam pasur aq dhimbje…
Ajo vazhdoi:
Po grushtimi e shkelmimi… oh, babai im… i lëshuan rrymën në trup: “nuk ka humanitet për arabët”, i thanë. Ata ishin barbar, qeshnin, në Husejn Dej… pështynin mbi mua…kam qenë lakuriq… më stërpiknin me birrë… telat e rrymës, kur m`i ngjitën… e dini si? Me letër ngjitëse, në maja të gjinjëve të mi… mbi… ehhëëë, nuk mund ta them dot… Gjithkund, a e kuptoni? Ai i trashi – ai që flet me “r” – thoshte, do të shohish ti çka është shkalla e dytë…
U zbeh befasisht dhe heshti. Nuk fola asnjë fjalë. Sigurisht se e kuptoi se duhet të m`i thotë të gjitha, por heshti. Vuri kryet ndërmjet dy pëllambëve. Nuk i fola agjë. Çka mund të thuhet në atë gjendje?…
Flokët e saj preknin mbi letrat e mia. E putha në ballë. Mezi u tërhoq. Penda më ra për toke: më fal, tha menjëherë, dhe u përkul ta merrte. Nuk e lejova, ia ngjita për dore.
Xhemile, fol, të gjitha mund të m`i thuash; e din mirë se unë jam këtu për shkak tëndin.
Ajo përsëri u shtang:
Po,… por ajo është gjë e tmerrshme. Ata më kanë futë shishe… E din, i kam shkruar komisarit të shtetit që të më kontrollojë mjeku.
Por unë kërkoj ndonjë femër. Nuk mund t`i tregoj të gjitha mashkullit, më kupton. Në letër ka shkruar “Dëshiroj të më kontrollojë për shkak të virgjinitetit tim.”
Pastaj, duke shprehur brengën për pasojat e mundshme për këtë sjellje, shtoi:
A kam bërë keq? Është dashur pa tjetër të të pyesja më përpara, por nuk kisha mundësi t`i shkruaja të gjitha… Nuk e dija si… e mandej, nuk e dija se a do të kem mundësi që një ditë përsëri të flas për këtë…
Xhemilja ka qenë e shpëtuar. Më në fund foli, brenga e saj ishte aty, përpara saj, në këtë fletë të bardhë, të cilën e plotësova. Ajo, të paktën, nuk ishte kjo e vetmja brengë që e brente përbrenda.
Në tavolinën e vogël prej një lloj druri të bardhë në sallën për biseda në Barberouss kam shkruar dy orë. Xhemilja përgjigjej në pyetjet e mia; e lodhur nga pyetjet e mia që kërkoja hollësi, përsëri e kapi fillin e rrëfimit të vet. Në një moment e shpërthekoi këmishën: në kraharorin e saj, gati në nivelin e sisës së djathtë, shiheshin plot shenja të plagëve nga djegia, ca shenja të rrumbullakëta…
Me shtypje të shpejta, ata kishin shtyp cigaret e ndezura në trupin e saj. Në krahun e djathtë të saj, sigurisht cigarja e ndezur, kishte qenë shumë më e fortë. Rrethi ishte më i hapët.
Prapë iu ktheva shënimeve të mia. Më vinte nxehtë, droja se mos po shënoj gabimisht shenjat e plagëve, emrat e oficerëve, kohëzgjatjen. Grumbullimi i hollësive ishte shansi jonë i vetëm.
Sepse, pak nga pak, zbulova realitetin e padurueshëm të këtij rasti. Kurrsesi nuk ishte fjala për ndonjë rast banal, siç më kishte informuar T… kolegu algjerian. Isha e preokupuar me zemërimin dhe turpërimin. Edhe një herë, ndodhi krimi. Dhe ky krim, edhe një herë, ishte posaçërisht i tmerrshëm dhe i pafalshëm. Gjykatësit duhej të informohen për këtë patjetër. Jo vetëm gjykatësit. Doemos ta dijë e tërë Franca. Kjo duhej bërë për shkak të Xhemiles, për shkak të algjerianëve, për shkak tonin, heshtjes dhe qyqarësisë tonë. Për shkak të fytyrës tonë. E ndërpreva Xhemilen. Mezi vendosa që ta ndërpres. I thash:”Do t`i akuzojmë! Do të bëjmë ankesë. Do t`i detyrojmë të hapin hetime. Do të duhet të thërrasim me zë të lartë…”
– E sheh,- vazhdoi Xhemilja, duke ma marrë dorën dhe ma çonte me zor t`ia prek krycat nën këmishë, sikur sot, kjo nuk shihet… Por unë nuk do të mund të veshi xhemper për shtati…
Një lloj ënjtje e theksuar, nën kraharor, kishte deformuar krycën e majtë të kësaj vajze të re.
– Ai kishte qenë një kapiten parashutist. Më pyeti a më vjen keq që i kam ndihmuar dhe i kam pranuar vëllezërit… E shikova nën syzet e tij… Iu përgjigja se për asgjë nuk më vjen keq. Atëherë ma ndezi këtu, (e kapi me dorë bistekun), ja kështu, dhe filloi grushtimin, ma përdrodhi qafën, ma përplaste kryet për muri. U shtrira për tokë.
Nuk bëri shumë lëvizje. Zëri i saj përsëri mori ngjyrë neutrale sikur në fillim.
Pastaj më ka ndrydhur krycat me thembër, prandaj kjo është e ënjëtur… ja këtu…
Është detyruar të shprehet me kujdes në rrëfimin e saj. Unë kam shënuar:
Kur je burgosur?…
Natën e 10 shkurtit.
Mos është gabim? Akti i burgimit mban datën 15 mars, nga dita kur ke dalë para gjygjit.
E korrigjova:
Do të thuash me 10 mars?…
Ajo ndërhyri: Jo, por me 10 shkurt… Natën. Gjatë kohë më kanë ruajtur, përgjuar, vështirë ka qenë… nuk mund ta dish… shumë rëndë…
Unë përfundova me marrjen e shënimeve. U ngrita, pa e ditur se si do t`ia them, t`ia rrëfej tmerrin që ndjeja.
Fjalët ishin njëlloj. Prej kohës kur në Algjeri zbatohet dhuna, fjalët e njëjta, sjelljet e njëjta, shprehjet e pakënaqësisë njëlloj, premtimet njëlloj. Ky mekanizëm as e zvogëloi numrin e elektrodave, apo, as që i shmangu esencialisht ata që i përdornin këto.
Në El – Biar, Alleg ka përjetuar proces hetimor. Audin është ngulfatur.
Në El-Biar, tre vjet më vonë, Xhemilja iu dorëzua njerëzve të cilët mosdënueshmëria i ka bërë edhe më monstruoz.
Në ndërkohë, në Paris, i gradonin me Legjionin e Nderit.
E hapa derën e kthinës për biseda.
Eh..! fshani ajo befasisht… Dua të them diçka të rëndësishme… dhe m`u afrua.
Prindërit e mi nuk e dinë. Dëshiroj të ta them, ata dinë, por jo të gjitha… ata nuk dinë për shishen. Nuk u kam thënë asgjë. Kjo është tepër e rëndë për ne…
Xhemilja u ul me shpejtësi.
Nuk e di a jam më vajzë… Më kupton? Kam qenë pa vetëdije. Kur më kthyen në qeli kam pas gjakderdhje.
Pa fije dyshimi këtë pyetje ia kam bërë vetes njëqind herë.
Ty si të duket? Të duket se më nuk jam vajzë? Ma thuaj sinqerisht… çka mendon?
Më ka ardhur shumë rëndë për fjalët që duhej t`ia them, sigurisht, para se të ndahesha nga ajo. Ta bindja, t`i mbjellja bindje, besim, se do të luftojmë… t`i them, por si?
Xhemilja ndreqi rrudhën e këmishës, lidhi sandalet me gajtan ngjyrë ari, siç përdoret në det, të kthehet në qelinë e saj.
Unë arrita t`i them vetëm fjalët:
A e merr një bonbon? E kam një në çantë…
Xhemilja refuzoi. Kishte qenë e uritur tërë ditën. Këtu të gjithë të burgosurit politikë kishin uri: ashtu ishte puna, nga agimi, si edhe pas çdo ekzekutimi.
E shtërëngova në gji.
-Mirë u pafshim Xhemile, do të vij shumë shpejt që të nënshkruash ankesën.
Duke u kthyer, ajo e konfirmoi dhe eci. Prej së largu, përkundër kontrollit nga gardianja, e cila e tërhoqi me rrëmbim, ajo zëshëm shtoi:
Tash është bukur, fantastike. Mirë u pafshim…
Në hotel u ktheva në këmbë. Duke kaluar kah parku publik, trupova parkun e Algjerit.
Në dhomën time sistemova shënimet e mia dhe fillova ta përpiloj përshkrimin kronologjik të maltretimeve që kishte paraqitur Xhemile Bupasha. /tesheshi.com/