Ujërat e kristalta dhe plazhet e arta të Shqipërisë i kanë dhënë asaj titullin “Maldivet e Evropës”, shkruan Esther Marshall në të përditshmen britanike “MailOnline”.
“Vendi i bukur mesdhetar po shndërrohet shpejt në një nga destinacionet kryesore turistike të Evropës – pasi numri i vizitorëve ndërkombëtarë është rritur me 56% midis 2019 dhe 2023″, sipas Organizatës Botërore të Turizmit e Kombeve të Bashkuara.
Por për disa, vendi ballkanik apelon për një qëndrim më të gjatë sesa vetëm për pushime.
Kostoja e ulët e jetesës po e bën atë një opsion gjithnjë e më tërheqës për pensionistët britanikë.
“Shqipëria nuk është ende në radarin kryesor për shumë njerëz, por duhet të jetë. Është një vend i bukur – me një vijë bregdetare që rivalizon vendpushimet e Italisë ose Kroacisë. Dhe kur bëhet fjalë për koston e jetesës është e jashtëzakonshme”, tha për “MailOnline” Jennifer Stevens, redaktore ekzekutive në “International Living”.
Revista “International Living” ofron informacione rreth udhëtimit global, jetesës, daljes në pension, investimit dhe pasurive të paluajtshme.
“Ajo që shumë qytetarë të huaj mund të gjejnë këtu – është se ndërthurja e përballueshmërisë, motit të mirë dhe cilësisë së jetës në përgjithësi, dhe normave jashtëzakonisht të ulëta të taksave. Kjo tërheq me shumë emigrantët në përgjithësi”, tha Sara Alimehmeti, redaktore në “Magic Towns”, revista e këshillave të ekspertëve dhe njohurive lokale.
“Dhe muajt e fundit, kryesisht për qytetarët britanikë – frika e tyre lidhet me rritjen e taksave në BM”, shtoi ajo.
Për pensionistët britanikë të tunduar për t’iu bashkuar vendit, në udhëzuesin tonë renditen vendet më të mira për të jetuar në Shqipëri, si të merrni një vizë, kostot e strehimit dhe se si funksionon sistemi i kujdesit shëndetësor…
Vizat dhe përfitimet tatimore
“Pensionistët britanikë mund të aplikojnë për ‘opsionin e dedikuar të vizave të daljes në pension të Shqipërisë për qytetarët jo anetarë të BE/ZEE”, tha William Cooper, drejtor marketingu në kompaninë britanike të Sigurimeve Shëndetësore “William Russell”.
“Hapat fillestarë të aplikimit përfshijnë marrjen e një vize ‘D’, e cila lejon një qëndrim të zgjatur ndërkohë që aplikimi juaj për qëndrim është duke u përpunuar”, tha ai.
“Më pas, ju mund të aplikoni për leje qëndrimi përmes portalit e-Albania. Për ta bërë këtë, zakonisht duhet të përfshini vërtetimin e akomodimit, dëshminë e mjeteve tuaja të mjaftueshme financiare dhe mbulimin e sigurimit shëndetësor”, tha ai.
“Për të siguruar vizën, pensionistët do të duhet të tregojnë se kanë të ardhura të rregullta mujore nga pensioni prej të paktën 120,000 lekësh shqiptare (1,011 £/1,271 dollarë)”, tha William.
Për sa i përket përfitimeve tatimore, ekspertët e “Magic Towns” shpjegojnë se për pensionistët e huaj në Shqipëri, të ardhurat nga pensionet, përfshirë pensionet shtetërore, private dhe të huaja, janë zakonisht pa taksa.
Politika dhe kultura
Shqipëria ishte nën sundimin e një diktature komuniste nga viti 1946 deri në fillim të viteve 1990. Në atë kohë ajo ishte e mbyllur dhe e njohur si “Koreja e Veriut e Evropës”.
Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë – dhe Shqipëria tani është një demokraci parlamentare – me një president si kreu i shtetit dhe një kryeministër në krye të qeverisë.
Kryeministër aktual është Edi Rama, i cili është në këtë rol që nga viti 2013.
Shqipëria është një vend laik pa fe zyrtare, por në regjistrimin e vitit 2023 të kryer nga Instituti i Statistikave, 53% e popullsisë identifikohen si myslimanë, 16% si të krishterë, 17% si jofetarë dhe 16% si të padeklaruar.
“Shqipëria vuan nga keqperceptimet e vjetruara. Njerëzit dëgjojnë “Shqipëri” dhe mendojnë – “A nuk ishte një vend komunist – a është akoma?”, tha Jennifer nga “International Living”.
“Megjithatë, Shqipëria ka qenë një shtet demokratik që nga fillimi i viteve ’90. Është një vend miqësor për të vizituar – ku mund të shijoni një cilësi të lartë jetese për një çmim relativisht të ulët”, tha ajo.
“Vendi ka numrin më të lartë të kafeneve për frymë në botë”, tha Sara nga “Magic Towns”.
Aeroporti i Tiranës ofron fluturime direkte për/nga aeroportet e Londrës, Luton dhe Stansted, si dhe drejt Birminghamit dhe Mançesterit.
Strehimi dhe ku të jetoni
Ekspertët në “Magic Towns” thonë se tregu i pronave në Shqipëri ofron një gamë të larmishme opsionesh – nga komplekset e apartamenteve luksoze deri te shtëpitë e stilit otoman apo italian.
Ata thonë se Tirana – kryeqyteti – dhe dy pika bregdetare – Vlora dhe Saranda – janë opsione të shkëlqyera për pensionistët.
Tirana
“Si kryeqytet, Tirana ka infrastrukturën më të mirë, shumë investime dhe mundësitë më të shumta të kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Do të thosha se është një zgjedhje e shkëlqyer për pensionistët që gëzojnë një mënyrë jetese aktive – me shumë kafene, restorante, bare dhe ngjarje kulturore”, tha Sara nga “Magic Tows”.
Kostoja: Një apartament me një dhomë gjumi kushton rreth 400-700 euro në muaj në qendër të qytetit, ndërsa jashtë qendrës është afërsisht 250-500 euro.
Çmimet e pronave variojnë nga 1500-3000 euro për metër katror.
Vlora
“Vlora është një qytet bregdetar përgjatë Rivierës së famshme Shqiptare dhe destinacioni i përsosur për pensionistët që duan të jetojnë buzë detit. Ka një komunitet emigrantësh në rritje, një lungomare (shëtitore bregdetare) dhe akses të lehtë në disa nga plazhet më të bukura të Shqipërisë”, tha Sara nga “Magic Towns”.“Është më e qetë se Tirana, ka gjithçka që ju nevojitet, duke përfshirë një qendër urbane. Në verë bëhet më e gjallë pasi mbushet me turistë të huaj dhe vendas”, shtoi ajo.
Kostoja: Çmimet ndryshojnë në bazë të afërsisë me detin, por pronat buzë detit mund të arrijnë 1200-2500 euro për metër katror. Qiraja është përgjithësisht 20-30% më e ulët se Tirana.
Saranda
“Saranda është më e ngrohta nga të treja këto qytete dhe prej kohësh është e preferuara e pensionistëve”, shpjegon Sara.
“Ekziston një ndjesi e ngjashme me Vlorën, me pamje të mrekullueshme bregdetare dhe atmosferë të këndshme të një qyteti bregdetar”, shtoi ajo.
Kostoja: Çmimet ndryshojnë në bazë të afërsisë me detin, por pronat buzë detit mund të arrijnë 1200-2500 euro për metër katror. Qiraja është zakonisht 20-30% më e ulët se Tirana.
Kostoja e jetesës
Sipas “Numbeo”, kostoja mesatare e jetesës në Shqipëri është 50% më e ulët se në BM, ndërsa qiraja është rreth 70% më e ulët.
Kostoja e jetesës është gjithashtu 11% më e ulët në Spanjë, një destinacion popullor për pensionistët britanikë.
Sara shpjegon se një vakt në një restorant të nivelit të mesëm mund të kushtojë 8-15 euro për person, ndërsa kafeja zakonisht është rreth 1 euro.
Ajo shtoi se një çift mund të shpenzojë lehtësisht 250-400 euro në muaj – për produkte ushqimore, në varësi të stilit të jetesës, ndërsa energjia elektrike, uji dhe interneti zakonisht kushtojnë rreth 100 euro në muaj.
Kujdesi shëndetësor
“Shqipëria operon një sistem shëndetësor universal të financuar nga kontributet e detyrueshme dhe vullnetare, të plotësuara nga buxheti i shtetit”, tha William nga kompania “William Russell”.
“Kujdesi privat shëndetësor ka pasur rritje të konsiderueshme dhe objektet zakonisht sigurojnë një standard më të lartë kujdesi”, tha ai.
“Ne ramë në dashuri me njerëzit dhe bukurinë e vendit”
Banorët miqësorë dhe të përzemërt të Shqipërisë janë një nga arsyet që Deborah dhe James Riley, të dy në të 70-at, po shijojnë pensionin në një fshat jashtë qytetit port të Durrësit.
Ata u zhvendosën në Shqipëri nga Bloomington, Indiana, në vitin 2020.
“Sapo erdhëm këtu, gjetëm një ngrohtësi, dashuri dhe miqësi. Ne thjesht ramë në dashuri me njerëzit dhe bukurinë e vendit”, tha Deborah.
“Njerëzit këtu janë shumë mikpritës krahasuar me vende të tjera”, tha James.
Çifti shpjegoi se ata shpenzonin deri në 6,67 euro në ditë për ushqim, i cili përfshin ushqim për katër kafshët e tyre shtëpiake dhe kafshët e tjera në lagje.
“Të gjithë kanë shumë fruta dhe perime që rriten në oborret e tyre, dhe kështu çdo gjë është e freskët në dyqanet e vogla ku ne shkojmë të blejmë”, tha Deborah.
“Shqipëria është një nga vendet më të bukura që mund të keni parë ndonjëherë”, shtoi James. /atsh/