Nga Blendi Gashi
Në përballjen e dytë “kokë më kokë” me deputetët opozitarë, kryeministrit Haradinaj i është dashur të bëhet “avokat” i një serbi, fjala është për ministrin e tij nga Lista Serbe, Nenad Rikallo i cili nga disa banorë të lagjes “Dardania” akuzohet se i ka keqtrajtuar shqiptarët gjatë luftës së fundit, gjë që është mohuar nga ai.
Në interpelancën e thirrur nga LDK-ja, opozitarët akuzuan kryeministrin Haradinaj se po mban në kabinetin e tij një njeri që dyshohet se ka rrahur shqiptarët, andaj është dashur të pezullohet derisa të flet drejtësia, por pasi një gjë e tillë tashmë ministri në fjalë duhet të shkarkohet.
Por Haradinaj i cili doli disa herë në foltore kërkoi nga ligjvënësit që të mos bëhen hapa të gabuar e të priten vendimet e organeve të drejtësisë.
“Të shkarkohet Rikalo”
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, si parashtrues i kërkesës për interpelancë, kërkoi përgjigje se si qeveria ka trajtuar deklaratat e banorëve të lagjes “Dardania” në Prishtinë, të cilët kanë shfaqur dyshime se ministri Nenad Rikallo, bashkë me familjen e tij gjatë luftës ka fyer dhe përdorur dhunë ndaj këtyre banorëve.
Sipas tij, fakti që kryeministri nuk ka vepruar tregon pafuqinë e tij në vendimmarrje si rezultat i varësisë ndaj Listës Serbe, “por në të njëjtën kohë tregon degradimin institucional dhe përbën fyerje për qytetarët”.
“E kam kryer punën time”
Menjëherë reagoi Haradinaj i cili tha se si kryeministër ka kërkuar informacione zyrtare nga mekanizmat përgjegjës dhe kam marrë këtë përgjigje nga Prokuroria Speciale, Agjencia Kosova për Intelegjencë, dhe Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë se nuk kanë raste të raportuara në sistemin informative për personin në fjalë.
“Reagimi im ka qenë obligim dhe kur janë dalë lajmet shqetësuese që një pjesëtar i kabinetit mund të ketë kryer këto vepra, kam kryer detyrën zyrtare dhe kam kërkuar informata te mekanizmat e vendit,. Në përputhje me këto të gjetura, gjendja është kështu si jemi sot”, tha Haradinaj.
“Përplasja për komandantët”
Pas kryeministrit fjalën e mori deputeti i Vetëvendosje-s, Xhelal Sfeqla, i cili parafrazoi pak nga dëshmitë e dy djemve të cilët kishin dëshmuar lidhur me këtë rast, me ç’rast tha se Rikalo jo vetëm që duhet të dëbohet por duhet të gjykohet dhe të burgoset nga organet e drejtësisë në vend, pasi tha se
“Të gjithë dëshmitarët deklarojnë se Rikallo gjatë kohës së bombardimeve vazhdimisht është parë me uniformë dhe kallashin e tij në supe, banorët e lagjes Dardania ndër të tjera përmendin edhe thyerjet e lokaleve, banesave, garazheve e veturave të shqiptarëve në Dardani. Po ashtu ata përmendin se si Rikallo me kamion kanë shpërndarë armatim për serbët, banorë të Dardanisë. Ai njihet për gjuajtjen në ndërtesë, ku ende janë shenjat. Ka qenë pjesë e bandave, që ka rrahur shqiptarët mbi kurriz. Nëse nuk u përgjigjeshin serbisht, ka pasuar dajaki. Deklaratat tona të cilat janë publikuar nëpërmjet medieve janë mëse të vërteta dhe do të ndërmarrim secilën rrugë ligjore që të dihet e vërteta. Jemi dëshmitarë të krimeve të Rikallos, dhunuesit nuk kanë as nacionalitet as përkatësi fetare apo kombëtare. Rikallo, në vitin 1998, i përkiste grupeve që malltretonte shqiptarët. Paramilitarët dhe kriminelët e tjera i furnizonte me armë, nuk duam ai që na ka dhunuar tash të na përfaqësoje. Një kriminel i tillë nuk na jep frymën e lirisë. Ju jeni zëri i atyre që i masakruan u dëbuan, kërkojmë nga ju t’i dilni zot këtij vendi, dhe neve që kemi parë terrin me sy, ta shkarkoni Rikallon dhe kërkojmë nga Prokuroria e Kosovës që pa ndikim politik ta zbardhë rastin për të ndriçuar lirinë, dy dëshmitarë të rastit”, tha Sfeqla.
Ai ka thënë se drejtësia po është tjetër për shqiptarë e tjetër për serbë.
“Vetëm me dëshmitarë, e pa prova janë dënuar vëllezërit Kiqina, Sylejman Selimi, është mbajt në burg Sami Lushtaku, e shumë ushtarë të tjerë të UÇK-së. Drejtësia po bëhet tjetër për shqiptarët e tjetër për serbët, dikush në burg e dikush ministër”, ka thënë Sveçla.
Por, kryeministri mori sërish fjalën ku tha se ai ka bërë punën e tij dhe ka pyetur institucionet gjegjëse për rastin në fjalë, ku kërkoi të mos bëhet lojë.
Haradinaj më pas i reagoi Sfeqles duke thënë se partia e tij janë gëzuar kur komandantët e UÇK-së janë dënuar.
Sfeqla, më pas reagoi duke e quajtur insinuate akuzën e Haradinajt duke thënë se kur komandatët e UÇK-së janë arretuar, VV ka dalë kundër arrestimeve të tyre dhe kjo dëshmohet me mos votimin e Speciales.
Kryeministri Haradinaj sërish mori fjalën me ç’rast tha se të gjithë deputetët duan ta dijnë të vërtetën, ndërsa e ngacmoi sërish Sfeqlën për komandantët e UÇK-së.
“Unë nuk e di si me ja u hek dilemat, por nuk kemi nevojë me marrë yrys pa e ditë se ç’farë jemi duke bërë. Ndërkaq për komandantët, po është e vërtet se kur janë dënu nuk kanë qenë të dinjitetshme qëndrimet”, u kundërpërgj Haradinaj.
“Shkarkojeni ose protesta”
Më pas shkarkimin e Rikalos e kërkuan edhe deputetë të tjerë opozitarë ku disa prej tyre paralajmëruan edhe protesta nëse nuk ndodh një gjë e tillë, për çka reagoi sërish Haradinaj.
Armend Zemaj, deputet i LDK-së, tha se dhjetra banorë e bëjnë të njëjtin përshkrim per Rikalon dhe familjen e tij, sidomos gjenerata e atëhershme e studentëve.
“Qeveria të jetë e dinjiteshtshme, institucionet tona të jenë me duar të pastra. Studentët që pretendohet së janë rrahur nga Dukgajini janë me emër e mbiemër që kanë dhënëdëshmitë e tyre. Andaj e thërras Prokurorinë e Shtetit ta thotë fjalën e vet dhe ta qartësojë pozicionin e ministrit Rikallo nëse ky person në moshën që ka pasur ka rrahur e maltretuar për banorët shqiptarë. Ta shkarkoni këtë ministër dhe drejtësia ta thotë fjalën e vet, por këtë nuk mund ta bëni”, tha Zemaj.
Fjalën më pas e mori deputeti i Vetëvendosje-s Albin Kurti tha se Rikallo është verifikuar nga Vuçiçi por jo edhe nga ne.
“Nenad Rikallo është akuzuar nga banorët të lagjes “Dardania” se ka ushtruar dhunë gjatë kohës së luftës. E vërteta s’mund të jetë zyrtare, por qytetare. Jo tri institucione, por 20 njerëz. Kur të fillon procesi gjyqësor, atëherë institucionet mund të thirren si palë mbrojtëse. Paramendoni sikur institucionet si AKI, Policia e Prokuroria të kishin thënë se po kena të dhëna. Haradinaj u ka bërë një pyetje, në të cilën nëse do të përgjigjeshin pozitivisht do ta rrënonin vetën. Pse barrën e provës ta marr Qeveria e institucionet tjera. Pse jo Rikallo”, tha Kurti.
Kurse deputeti i LDK-së, Naser Rugova iu ka drejtuar ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, duke i thënë se ka qenë e rrugës që vet ai ta lirojë pozitën dhe t’i jap mundësi organeve të drejtësisë që ta bëjnë punën e vet, kurse, kryeministri Haradianj ta emërojë dikë tjetër.
Kundër Haradinajt i doli edhe ish -olegia e partisë, Donika Kadaj-Bujupi, e cila kërkoi nga kryeministri ta shkarkoi Rikalon jo pse është serb por se njëzet qytetarë po bëjnë me gisht nga ai se i ka maltretuar gjatë luftës.
“Shkarkojeni dhe emëroni një ministër tjetër që nuk ka bërë krime. Nëse ju e mbroni, jeni përgjgjegjës për protestat që do pasojnë dhe ata që e mbrojnë krimin do jenë bashkëfajtor, kur ky krim do vërtetohet. Dëgjoni zërin e qytetarëve dhe Kuvendit në mënyrë që të mos përsëriten protestat”, tha Kadaj-Bujupi. /tesheshi.com/