Përkujtimi më 11 korrik i masakrës së Srebrenicës është bërë një ritual, ashtu siç është bërë ritual dhe varrimi i viktimave të gjetura të groposura gjetiu dhe të identifikuara.
Mijëra veta janë mbledhur sot në Srebrenicë për ta përkujtuar edhe një herë masakrën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. E bashkë me përkujtimin e 21-vjetorit të saj, u është dhënë lamtumira e fundit dhe 127 viktimave të tjera të identifikuara.
Viktimat e gjetura dhe të identifikuara së fundi janë shtënë në dhé në Potoçari, pranë Srebrenicës.
Srebrenica është kthyer në një simbol të vuajtjes kolektive për boshnjakët muslimanë. 8.000 djem e burra boshnjakë do të vriteshin në korrik të vitit 1995 nga forcat serbo-boshnjake të udhëhequra nga famëkeqi Ratko Mlladiç.
Ndërsa në vitet e shkuara ka patur dhe pjesëmarrje të një numri zyrtarësh serbë në ceremonitë e varrimit, për herë të parë sot nuk ka qenë i pranishëm asnjë prej tyre, pasi më herët qe bërë e ditur se nuk ishin të mirëpritur ata të cilët nuk pranonin që në Srebrenicë të kishte patur një gjenocid.
Pjesëmarrja vitin e shkuar e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, në 20-vjetorin e masakrës do të shoqërohej me incidente, me sulm verbal e me gurë ndaj tij. /tesheshi.com/