Kreu demokrat Lulzim Basha u përjashtua nga seanca e sotme parlamentare nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, por ai nuk ka pranuar të lërë sallën, duke bllokuar punimet e Parlamentit.
Ligjvënësi demokrat, Ervin Salianji, tha se deputetët e PD nuk kanë ndërmend të largohen, përfshirë këtu edhe Bashën, ndërsa do të qëndrojnë në Kuvend deri në orën 13:00, kur pritet të rinisë seanca.
“Maxhoranca kërkon një parlament pa fjalë dhe debat. Kur shkon në shkollë i papërgatitur siç ka ardhur maxhoranca sot nuk jepet një javë shtesë, por vendoset katër. Mesa duket PS-së kjo çështje i dhemb shumë, janë të papërgatitur dhe po kërkojnë me çdo mjet të shtyjnë seancën e Kuvendit. Kështu i bie që për katër vjet të mos kemi seancë fare, shtyj një javë dhe pastaj edhe një javë tjetër. Ne do rrimë këtu në seancë, dhe fjalën e kryetarit të opozitës nuk ia jep kryetari i kuvendit i cili harron se neni 55 i agjitacion dhe propagandë i përket një kohe tjetër”, tha ai.
Ndërkohë në lidhje me qëndrimin e punonjësve të Gardës së Republikës, të cilëve Ruçi u kërkoi të marrin masa dhe të nxjerrin jashtë sallës Lulzim Bashën, Salianji u shpreh “mos mendoni se janë kaq të fortë këta. Janë trembur dhe kanë ikur të gjithë deputetët e maxhorancës, përfshirë edhe qeverinë”. /tesheshi.com/