Përplasja e dy ditëve më parë e dy institucioneve të larta shqiptare, si Presidenti i Republikës dhe Kryeprokurori, me strukturat më të larta të Italisë fqinje, ka krijuar një ngërç të fuqishëm mes Romës dhe Tiranës.
Burime diplomatike bënë të ditur se janë zhvilluar bisedime mjaft të akullta ndërmjet ambasadorit Italian në Tiranë, Alberto Cutillo dhe kreut të shtetit, Bujar Nishani.
Disa media pranë opozitës kanë bërë të ditur se presidenti Nishani i ka kërkuar sqarime ambasadorit Cutillo mbi çështjen e pajisjes përgjuese. Por ky fakt është cilësuar provokacion nga selia diplomatike e Romës, e cila i ka kërkuar stafit të Nishanit që të ndërhyjë për të sqaruar situatën.
Kjo pasi nuk është Presidenti i Republikës që mund t’i kërkojë sqarim një ambasadori, por Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Ambasadori italian, siç mësohet ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ku i është ankuar për sjelljen e Prokurorisë dhe Presidencës.
MPJ mësohet se me një shkresë përcjellëse ka bërë me dije dy institucionet në lidhje me problemet që kanë hapur.
Dhe gjithçka ka ndodhur këto ditë, ka qenë një takim mes Kryreprokurorit dhe ambasadorit italian, takim i tensionuar ku mësohet se diplomati i Romës i ka thënë frazën: “Unë e dua shtetin tim, por ti a e do”?
Por ajo që ka acaruar më shumë gjakrat ka qenë pikërisht një lajm jozyrtar i rrjedhur nga Prokuroria, ku thekson se letra e Drejtorit të Policisë italiane, Alessandro Pansa drejtuar Llallës nuk merret si provë pasi nuk ka datë, kokë dhe vulë.
Ky lajm që rrodhi pa asnjë citim vinte paralel me një lajm të botuar nga një media pranë ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilës Alessandro Pansa është shkarkuar me ceremoni nga posti i kreut të policisë. Dhe u perceptua sikur ai u largua vetëm për ngjarjen e Shqipërisë.
Por në fakt, kreu i policisë italiane që dorëzoi detyrën javën e shkuar, më 30 prill është emëruar nga kryeministri Matteo Renzi si Drejtor i DIS, agjencisë më të lartë të shërbimit sekret italian.
Ky department varet direkt nga Kryeministri dhe është organi kryesor në investigimin dhe operacionet kundër trafiqeve. DIS ka një databazë mjaft të fuqishme për Shqipërinë dhe është furnitori kryesor i agjencive të BE-së, por edhe të SHBA-së, me informacione për trafiqet dhe korrupsionin në Shqipëri.
Siç mësohet, Pansa ka firmosur një superdosje që mban titullin “Albania” dhe mban të gjithë lidhjet e politikës dhe drejtësisë shqiptare me trafiqet. Një dosje e tillë ndodhet në kancelaritë kryesore.
Përplasja që ka ndodhur me italianët në këto përmasa është e dyta pas asaj që ka ndodhur në vitin 2004 në Lazarat, ku u qëllua me mitroloz 12.7 milimetërsh helikopteri që po filmonte plantacionet e mbjella me drogë.
Edhe ai helikopter ishte i Interforce-s italiane. Dhe pas incidentit, qeveria e PD-së që erdhi në pushtet në 2005 dhe qëndroi deri në 1013 nuk i ka pasur relacionet e mira me italianët dhe shkëmbimi i informacioneve mes dy policive nuk ka qenë në nivel të duhur. Kishte vetëm shkëmbim informacionesh rutinë.
Madje në vitin 2013, kur qeveria “Berisha” ende nuk ishte larguar nga pushteti, italianët nxorën Guardia di Finanza në një konferencë për shtyp, ku deklaruan se në Lazarat ka drogë që prodhon 4 miliard euro fitime, më shumë se buxheti i shtetit i Shqipërisë.
Pikërisht, pas kësaj konference shtypi ndodhi mobilizimi dhe aksioni i madh i Lazaratit që shkatërroi plantacionet, e hoqi fshatin problematik nga kanabisi, por realisht nuk u kapën krerët e lartë të trafikut.
Dhe mendohet që po ata krerë po financojnë edhe këto ditë një fushatë kaosi në mënyrë që italianët e Interforce, të cilët kanë mjetet e duhur për të kapur drogën në Shqipëri, të kthehen mbrapsht.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deklaroi të enjten në “Opinion” se i kishte kërkuar homologut të tij italian, Angelino Alfano, që të niste këto ditë për në Shqipëri helikopterin e Guardia-s që të filmojë plantacionet e drogës përpara se të korret prodhimi…Dhe pikërisht kjo deklaratë ka shkaktuar reaksionin e madh…/tesheshi.com/