Ushtarët rusë që marrin pjesë në pushtimin e Ukrainës janë në “rrëmujë të plotë”, sipas regjistrimeve zanore të siguruara nga një kompani britanike e inteligjencës.
Mesazhet e përgjuara të radios tregojnë se ushtarët shpesh refuzojnë t’i binden urdhrave nga Komanda Qendrore për të bombarduar qytetet ukrainase dhe ankohen për mbarimin e furnizimeve me ushqim dhe karburant.
Pamjet janë ndër rreth 24 orë materiale të mbledhura nga kompania e inteligjencës ShadowBreak që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës javën e kaluar.
Në një nga bisedat e përgjuara, të cilën e ka dëgjuar The Telegraph, një ushtar tingëllon sikur po qan.
Në një tjetër, një ushtar dëgjohet duke humbur durimin kur pyet se kur do të arrijë ushqimi ose karburanti. Ai thotë: “Kemi tre ditë këtu! Kur dreqin po vjen?”
Mesazhi i tretë zbulon një shkëmbim të tensionuar në të cilin i njëjti ushtar duhet t’i kujtojë një kolegu që flet nga qendra komanduese se nuk mund të përdorin artileri në zonë derisa civilët – të cilët janë shënuar si “mall” – të largohen.
Themeluesi i ShadowBreak, Samuel Cardillo tha për mediat britanike se mesazhet i ishin dërguar atij nga amatorë të radios.
Ai tha: “Ajo që zbuluam është se operativët rusë po veprojnë në rrëmujë të plotë. Ata nuk e kanë idenë se ku po shkojnë dhe si të komunikojnë siç duhet me njëri-tjetrin. Ka pasur periudha kur kemi dëgjuar ushtarë rusë duke qarë në betejë, momente kur ata kanë fyer njëri-tjetrin. Pra, padyshim që nuk janë në një moral të lartë”.
Cardillo tha se disa nga mesazhet janë gjithashtu “dëshmi të krimeve të luftës” pasi zbulojnë një urdhër për të lëshuar raketa në zonat urbane.
Pamjet e tjera thonë se disa ushtarë të frustruar po tërhiqen përsëri në Rusi, ndërsa një mesazh me tekst që ushtari i dërgoi nënës së tij, thuhet se thotë: “E vetmja gjë që dua tani është të vras veten”.
Si një shenjë shtesë se morali ushtarak rus mund të jetë i keq, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane i tha New York Times të martën se disa ushtarë “qëllimisht hapën vrima” në tanket e benzinës në automjetet e tyre me shpresën për të shmangur një luftë.
Pjesë të ushtrisë ruse përdorin ende ‘walkie talkie’ analoge (radio me dy drejtime), duke i bërë ata më të prekshëm ndaj përgjimit. Gjithashtu thuhet se forcat ukrainase nuk kanë pasur probleme me ndërhyrjen në komunikimet ruse dhe ndërprerjen e tyre me tingujt e himnit kombëtar të Ukrainës.
Komunikimet tregojnë gjithashtu se ushtarëve rusë iu tha se do të hasnin pak rezistencë kur të hynin në Ukrainë. Në vend të kësaj, forcat ukrainase janë tani në ditën e nëntë të rezistencës ndaj sulmit rus, dhe video të shumta zbulojnë civilët që përballen me njësitë e pushtimit dhe autokolonat. /tesheshi.com/