Gazetarja e Kulturës në A2 CNN, Luela Myftari, me origjinë çame, ka bërë një reagim brilant ndaj deklarimeve kreut të diplomacisë greke, i cili nga Korça, krahëqafë me homologun shqiptar Igli Hasani, do shpërfaqej si një fqinj paqedashës ndaj Shqipërisë, me një të kaluar që duhej harruar.
“Politikat e ndryshimit të kufijve i përkasin të kaluarës. Sot na bashkon një histori e përbashkët, vlera të përbashkëta dhe sidomos minoriteti grek, i cili është një urë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Ashtu siç do të shkruante Seferis, historitë e vjetra nuk i interesojnë njeriu”, do deklaronte George Gerapetritis, me rastin e hapjes së konsullatës së re greke në qytetin juglindor shqiptar.
Dhe ndaj këtij deklarimi, gazetarja ka një përgjigje për këtë ministër grek, duke i kujtuar se ajo që ngjan e kaluar, në fakt është po aq dhe aktuale. Pra, tragjedia çame.
Reagimi:
Nuk ka asnjë kërkesë për ndryshim kufijsh zyrtarisht. Po minimalisht, zotëri një ndjesë për gjyshen time që ia vranë vëllanë në derën e shtëpisë, ia prenë copash ashtu të pajetë ndërsa i thonin: “ta pjekim”. I përdhunuan vajzat e reja si pa të keq, i dogjën lëkurën 36 vjeç nënës që po i jepte gji fëmijës. Gjyshja ime nuk i harron dot këto, po atë derë shtëpie do ta hapë edhe një herë ta qajë vëllanë 21 vjeç që s’e qau dot për 81 vjet se nuk e ka një varr…
Unë nuk e kam histori të vjetër këtë zotëri, kam jetuar çdo ditë me frymën që i merrej kur më tregonte për vëllanë e për klithmat e saj e të shoqeve të saj. Për veshët e çarë se ua tërhoqën florinjtë. Unë s’i kam histori të vjetra zotëri. Jetoj me to ende. I ke gjallë ato fëmijë. E unë nuk i varros dot historitë sepse kështu do ti, kryeministri yt, ministri im apo ndonjë zotëri tjetër.
Ju që Ditmirin e bëni Dhimitër dhe Gjergjin – Jorgo, Volën që e thërret Sivota, ti dhe politika nuk jeni as më të sinqertë dhe as më të pastër se gjyshrit e mi. Ndaj mos më kërko t’i varros historitë se i kam gjallë. Jetoj me to çdo ditë, siç jeton ti me një Ligj Lufte. Unë jam e paqtë me këdo grek që takoj e intervistoj se kështu jam rritur. Unë ndërgjegjen e kam të qetë zoti ministër. Ju a keni? Dhe kjo është pyetja ime e parë.
- Keni një Ligj Lufte me Shqipërinë, pse s’e hoqët kur e hoqët me Italinë?
- Si quhen dy shtete kur njëri prej tyre mban Ligjin e Luftës? Miq apo armiq?
- Kërkoni të vdekurit dhe varreza? Po sikur të kërkojmë edhe ne tanët? Se jemi miq dhe në miqësi gjërat janë reciproke.
- Kërkoni det? Po sikur të kërkojmë edhe ne pronat tona?
- Pse ke frikë të shpërndani një certifikatë lindjeje për gjyshen time? Ajo ka lindur në Grigohor, tjetra në Paramithi? Ke frikë ta pranosh që ajo lindi aty?
- Pse nuk i lë qytetarët shqiptarë, shqiptarët e atyre tokave të lëvizin të lirë si në të gjithë botën? Gjyshja ime ka shëtitur e ka jetuar edhe përtej oqeanit, po në shtëpinë e saj nuk shkon dot.
- Pse nuk i shet dot ato prona, pse nuk investon në ato zona? Apo e di që s’janë tuat?
- Unë e di që s’më ke vrarë ti, e grekët e këtyre kohëve, po a nuk mendoni se po përdhosni më keq atë vajzën e vogël që braktisi shtëpinë me vëllanë e therrur në prag të shtëpisë me këto deklarata?
- Një herë vëre vajzën tënde në vend të asaj fëmije… dhe pyet veten sa kriminela mund të jenë ato fëmijë që mbetën zbathur e zhveshur prej ushtarëve të Zervës. Sa kriminel mund të jetë një fëmijë?
Po të pyes, tani që ke edhe ti këpucë të mira edhe unë. Ajo vajzë kërkon veç një ndjesë kur të kalojë në pragun e shtëpisë së saj. Ti vjen në shtëpinë time i thua të harrojë, asaj që më rriti përtej dhembjes pa asnjë fije urrejtje për ju. Epo unë nuk harroj dot…
Bëj si të bësh, mbaji arkivat mbyllur për studiuesit, mbaji edhe historitë të kyçura sa të duash, mbaje edhe Ligjin e Luftës, mbaje edhe regjistrat e certifikatave personale edhe ato të pronave, po unë s’të lë dot pa kujtuar se me to mban edhe gjak fëmijësh, edhe përdhunime vajzash, edhe burra të varur në çengela te shkolla në Paramithi. Thuaj ç’të mundesh në Korçë, thuaji ato që të ka mësuar kryeministri të thuash, unë të tregoj edhe anën tjetër të monedhës, atë të përlyer me gjak e dhembje. Atë që ia more gjysheve të mia kur i përzure.
Me asnjë monedhë s’e blen dot heshtjen! Thjesht do e lësh të thahen njollat e gjakut siç bëre me shtëpitë që i le të rrënuara. Hijet janë aty… Historitë i kam me vete. Gjyshja, prindërit, unë, madje do kujdesem t’ia lë të regjistruara e të shkruara edhe për fëmijët tanë zotëri. Unë do kujdesem t’ua tregoj atë që ti do sot ta harrosh.