Pothuajse e ka betonuar qëndrimin e vet opozita maqedonase, më saktë LSDM-ja si parti udhëheqëse e saj, për t’i bojkotuar përfundimisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ato të 5 qershorit.
Kjo u bë me dije të shtunën paradite, kur LSDM, së bashku me partnerët e koalicionit nënshkruan të ashtëquajturën “Platformë për Maqedoni Demokratike”.
Pas aktit të nënshkrimit, ishte lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ai që bëri me dije vendimin për bojkot përfundimtar, duke u bërë thirrje njëherësh dhe zgjedhësve që të bëjnë të njëjtën gjë, pra të mos dalin në votime.
Pretendim kryesor është ai i mospastrimit të listave zgjedhore, duke aluduar se pushteti po përpiqet t’i fitojë zgjedhjet me manipulime.
Kujtojmë se deri në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pati një angazhim maksimal të faktorit ndërkombëtar për ta çuar vendin drejt tyre, si një prej formave për zgjidhjen e krizës së rëndë politike të provokuara nga “bombat” e përgjimeve.
Më pas, “lufta e madhe” qe për zhvendosjen e datës së votimeve, nga 24 prill në 5 qershor. Por tani, duket se gjithçka është kthyer në pikën zero, ku do të duhet një tjetër seri angazhimesh ndërkombëtare për t’i futur zhvillimet në shinat e duhura. /tesheshi.com/