Identifikimi i viktimave të masakrës së Srebrenicës së vitit 1995 dhe varrimi më pas me nderime i tyre është bërë një ritual i përmotshëm në Bosnjë-Hercegovinë.
Një kamion i mbuluar me flamurin boshnjak është nisur sot nga qyteti i Visokos, me mbetjet e 127 viktimave të identifikuara në të.
Rrugëtimi i fundit i viktimave të masakrës së Srebrenicës ka vijuar më pas nëpër rrugët e Sarajevës, ku njerëz të shumtë kishin dalë për t’u bërë nderimin e fundit. Lule pa fund u hodhën mbi kamionin, ndërsa të pranishmit luteshin për viktimat me lot në sy.
Potoçari ishte ndalesa e fundit e kamionit me viktimat e identifikuara, që do të varrosen aty dy ditë më pas, më 11 korrik, në 21-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Më i riu mes 127 viktimave të identifikuara ishte 14-vjeçari Avdija Memiç.
Sipas Institutit për Personat e Humbur në Bosnjë-Hercegovinë, 8.400 njerëz vazhdojnë të rezultojnë të humbur pas luftës së dy dekadave më parë.
8.000 muslimanë boshnjakë u masakruan në Srebrenicë në vitin 1995 nga forcat serbo-boshnjake, edhe pse në “zonën e sigurt” kishte trupa holandeze që vepronin në kuadër të OKB-së. /tesheshi.com/