Më nderuan 20 vjet me rradhë dhe me votën e tyre më dhanë 6 mandate rradhazi me besim e dashni të madhe. U kërkoj të falun për çfarë nuk kam mundur apo nuk kam ditur të bëj. Unë do të vazhdoj të jem në politikë.
Ish-nënkryetarja e PD-së dhe ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli është lënë jashtë kandidimit për zgjedhjet e 25 qershorit, por ka vendosur të mos rrijë e heshtuar. Ajo sot ka lajmëruar një konferencë shtypi së bashku me kolegun Arben Imami, dhe ai jashtë listës së PD-së.
Para konferencës Topalli ka nisur një letër të gjatë mediave, ku hedh akuza të ashpra ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Letra e plotë e Jozefina Topallit:
Prej 26 Majit, edhe zyrtarisht, kjo nuk është me Partia Demokratike e Dhjetorit 1990. Jo pse mungoj unë në listën e deputetëve, por sepse shpirti i Partisë Demokratike është zëvendësuar me llogarinë e ftohtë të Republikës së Re.
E di se ata pak demokratë që kanë mbetur dhe që numërohen me gishtat e njerës dorë janë edhe më zemërthyer se unë, sepse do të bëjnë fushatë për dicka që nuk e besojnë, që nuk është e tyrja, për Republikën e Re të Lulzim Bashes.
Nuk e dija sesi do ta pagëzonte krijesen e tij Lulzim Basha, por e kam ditur që në fillim, disa herë edhe e kam shprehur me rezerva, se Lulzim Basha po zhbënte Partinë Demokratike, se ai kurrë nuk ka luftuar për asnjë fitore të Partise Demokratike dhe se e vetmja axhendë e tij ka qenë ajo personale.
Po e nis nga fundi i ngjarjeve.
E di që shumë demokratë janë merzitur me mua, kur i kërkova Lulzim Bashës të mos bojkotojë zgjedhjet, kur nuk erdha më në çadër ashtu siç do të kisha dashur. Por une e dija që Lulzim Basha po e përdorte shpirtin e demokratëve, revoltën e tyre kundër Edi Rames, për të mbyllur pazaret e veta politike me Edi Ramën. Dhe ashtu u bë! Kauza për zgjedhjet e lira e të ndershme u verifikua si një kauzë e rreme e Lulzim Bashës.
“I rremë” është fjala që e përshkruan më mirë Kryetarin e Republikës së Re. Dhe kjo është arsyeja pse gjithmonë i kam përsëritur privatisht dhe publikisht se kam diferenca të mëdha me të.
I rremë, për premtimin e madh dhe të pambajtur për ringritjen e Partisë Demokratike, që u shndërrua në një grusht njerëzish servilë të Kryetarit apo klientë të familjes së tij. Nga dita që që u vu në krye të PD-së, Lulzim Basha nuk i konsideroi kurrë anëtaret e thjeshtë si aksionerë të PD, por e përdori logon e opozitës si ndërmarrje private biznesi me aksionerë familjarë.
I rremë, për premtimin e madh dhe të pambajtur se do të bashkonte dhe ribashkonte PD për të forcuar shtyllën kurrizore të PD, që përfundoi në një karrige me rrota, të cilën e shtyn herë me Ramën, herë me Metën, por asnjëherë me demokratët.
I rremë, për premtimin e madh dhe të pambajtur se PD do të jetë gardiane e pakompromistë e interesit publik. Me përjashtim të dy viteve të fundit, Lulzim Basha, ky i Republikës së Re, ka qëndruar 11 vjet në majat e pushtetit, 4 prej të cilave në krye të Bashkisë së Tiranës, ku nuk la asnjë gjurmë në favor të interesit publik. Përkundrazi! Modelin klientelist familjar e bëri model të drejtimit dhe vendimarrjes në Partinë Demokratike.
I rremë edhe për premtimin më të madh të jetës 2 vjeçare në opozitë, atë të Republikës së Re pa oligarkë, të cilët Lulzim Basha ditën i mallkon, ndërsa natën darkon familjarisht në vilat e tyre luksoze.
Më e rënda është se për Lulzim Bashen nuk është problem as fakti se PD rrezikon me të keqen! Atij i mjafton që të jetë në krye dhe të mbajë logon e vulën e PD.
Do të isha edhe unë si Kryetari i Republikës së Re, e rreme, po të thosha se nuk do të doja të isha në Parlament. Por, fatmirësisht, nuk jam e rreme.
Po! Unë doja të isha në Parlament, por doja të isha nga “Lista PD”, jo nga “Lista Basha”. për të thënë të vërtetën, duke mos më kandiduar, më ka hequr një barrë të rëndë, atë të dilemës për t’a pranuar apo jo një mandat që vetëm logon do ta kishte të PD, por do të ishte një mandat në shërbim të axhendës personale për pushtet të familjes Basha!
Këtë të dytën natyrisht nuk e bëja në asnjë rrethanë.
Por tani nuk kam me asnjë dilemë. Çfarë e kam dyshuar prej kohësh, është vertetuar plotësisht: Lulzim Basha nuk ndryshon nga Edi Rama dhe as Republika e tij Re nuk ka ndonjë ndryshim nga Rilindja.
Qofsha e gabuar!
Ajo që me ngroh është se këto ditë kam marrë mesazhe të pafundme. Kam lexuar fjalë zemre, që nuk e di a i meritoj. Por e di shumë mirë se këto 20 vjet kam qenë e privilegjuar, që kisha besimin e demokratëve të vërtetë dhe çdo qytetari që ka identifikuar tek figura ime politike dhe njerëzore përpjekjen e vet të përditshme për të ndërtuar jetën me ndershmëri.
Dua të falenderoj zotin Berisha e në mënyrë të veçantë shkodranët e mi. Ata më nderuan 20 vjet me rradhë dhe me votën e tyre me dhanë 6 mandate rradhazi me besim e dashni të madhe.
U kërkoj të falun për çfarë nuk kam mundur apo nuk kam ditur të bëj.
Unë do të vazhdoj të jem në politikë.
Nga jashtë parlamentit do të ngrihem kundër çdo padrejtësie dhe çdo akti korruptiv, që ushqen shqiptarët me bindjen se ky vend nuk bëhet. Unë besoj se Shqipëria mund të bëhet me politikanë të pakorruptuar, me autoritet dhe integritet të lartë moral.
Çdo gjë varet nga shqiptarët.
Tani është koha.”/tesheshi.com/