Fushata e 25 qershorit do të përballë në kryeqytet ekipet më të forta të dy partive. Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zgjedhur të futet vetë në fush-betejë me një ekip të përzierë me besnikë dhe aleatë, ndërsa kreu i PS-së Edi Rama ia ka besuar këtë garë ish-ministrave dhe deputeteve gra….
Qarku i Tiranës nxjerr më shumë deputetë se çdo qark tjetër për parlamentin e ri. Ndaj, beteja elektorale është më e fortë dhe më energjike në kryeqytet dhe rrethinat e tij. Në zgjedhjet vitit 2013 kanë dalë gjithsesj 32 deputetë nga Tirana, nga të cilët
PS mori 16 , PD 11, LSI 3 dhe PR e PDIU nga 1 deputet.
Në këto zgjedhje PD-ja i ka “humbur” 3 deputetë që pa hyrë në zgjedhje pasi ua ka lënë zonë të lirë aleatëve të tij. Fatmir Mediu i Partisë Republikane dhe Dashamir Shehi i LZHK-së janë në listën e sigurtë, ndërsa Fuad (Adi) Haxhiymeri i PAA-së është në vendin e 13-të, por jo pa shanse për t’u futur në Kuvend për shkak të vokacionit të tij si sipërmarrës dhe tirans i vjetër me mbështetje në elektorat. Duke pretenduar se dhe deputetin e PR-së të marrë në 2013-ën i bashkohet votave të PD-së, ku janë shkrirë gjithë aleatët lista fituese mund të zgjerohet me 1 ose 2 deputetë në këto zgjedhje.
Basha, Berisha dhe gratë e Tiranës
Listën e kryeson vetë Basha i ndjekur nga 5 gra, tre prej tyre janë prurje të reja në këto lista por jo të panjohura për publikun dhe 2 deputete aktuale. E para është Orjola Pampuri, pedagogia e psikologjisë që u bë e famshme me fjalimet në çadër. Pampuri beson se do të fitojë besimin e zgjedhësve për dy arsye që janë familjare: si tiranse tabani dhe si familje e persekutuar nga regjimi komunist. “Gjyshi im ka prejardhjen nga Gjakova. Ai u arratis për në Shqipëri para vitit ’44, por këtu përjetoi më pas persekutimin komunist. Nga të dyja anët e familjes jam e djathtë, ndërsa bashkëshorti im ka qenë student i dhjetorit”- thotë Pampuri, e cila në fakt nuk është as anëtare e Partisë Demokratike, por i qëndroi asaj afër në ditët e vështira të 3-muajve të protestës në çadër.
Pas saj në listë është Rudina Hajdari, e cila beson se ka një të drejtë morale për të çuar “amanetin” e babait të saj në vend. Rudina është vajza e “dëshmorit të demokracisë”, Azem Hajdari, një nga themeluesit e PD-së, nga njerëzit më aktiv në lëvizjen e vitit 1990, i cili u vra në vitin 1998 para selisë së PD-së. Rudina, ndryshe nga karakteri ekspresiv i të atit ka një profil shumë të butë. Ajo vjen në Tiranë pas studimeve në Amerikë.
Grida Duma vijon listën, si një njeri besnik i Bashës, ish-zv/ministre, kandidate për bashkinë Durrës në 2015-ën, një njeri shumë publik, por jo fort e pëlqyer në radhët e kastës së vjetër të PD-së.
Albana Vokshi dhe Jorida Tabaku, dy deputete aktuale të PD-së janë po ashtu në listën e sigurtë një hap para kryetarit historik të kësaj partie Sali Berisha. Vokshi ka qenë një opozitare e flaktë gjatë 4 viteve të opozitës duke vendosur në qendër të akuzave publike, por dhe ligjore, ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj për konçensionet në Shëndetësi. Tabaku është gjithashtu një pinjolle e një familje tiranase të vjetër dhe ka krijuar tashmë elektoratin e saj kryesisht në njësinë nr.8 në Tiranë.
Doktor Halim Kosova kthehet në PD pas një gare qytetare, por të humbur, përballë Erjon Veliajt për bashkinë e Tiranës. Kosova gjithashtu shihet si një njeri popullor dhe simpatik për elektoratin. Gent Strazimiri, një deputet “grindavec” njeriu që u caktua nga Berisha për të “çmontuar puçin e shtetit” pas 21 janarit me një hetim parlamentar, ka arritur të marrë një vend të sigurt në këtë listë.
Pas tij vjen Gert Bogdani, ish-zëdhënës i PD-së, një deputet jo fort aktiv në 4-vjeçarin e opozitës, si duket ndaj dhe është renditur i 12-i në listë pas aleatëve të PD-së, po jo pa shanse për të fituar.
Lista e PS-së, nga pushteti ekzekutiv në fushatë
Partia Socialiste lufton që në betejën e 25 qershorit të shtojë numrin e deputetëve që ka nxjerrë nga qarku i Tiranës, duke synuar t’ia marrë këto LSI-së, të cilën 4 vjet më parë e ka pasur aleate. Në fushën e lojës Rama shkon me një ekip ish-zyrtarësh; ish-ministra, ish-perfekti i Tiranës, zv/ministra apo deputetë aktualë.
Listëne kryeson një grua, Elona Gjebrea, e cila deri pak javë më parë ishte numri dy i ministrisë së Brendshme. Gjebrea ka drejtuar Zyrën e Koordinimit Kombëtar në luftën kundër trafikimit të personave, por kur ka ardhur në atë zyrë shteti ishte një “outsider” dhe i vetmi angazhim i saj publik kishte të bënte me shoqërinë civile. Gjebrea është renditur në listë para dy shefave të saj Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj dhe fushatën do t’a fokusojë kryesisht në njësinë 1 në Tiranë.
Ish-ministrat e Ramës që nga zyrat e qeverisë kanë veshur atletet për fushatë janë Saimir Tahiri, gati 4 vjet ministër i Rendit, më i sulmuari nga opozita dhe nga aleatja e PS-së në qeverisje, LSI-ja. Ai fliste për suksese në luftën kundër drogës, për krijimin e një policie profesionale dhe me barazi gjinore, por sulmohej se ka kanabizuar vendin dhe ka bërë një polici politike. Tahiri ka një dualitet brenda partisë me kryetarin e Bashkisë Erjon Veliaj, se cili do të jetë pasardhësi i Ramës, por të dy bashkë i janë përkushtuar fushatës për hir të fitores së përbashkët.
Arben Ahmetaj, ish-ministër i Financave gjatë qeverisjes së fundit garon në Tiranë. Ahmetaj ka pasur një përvojë pune dhe me paardhësin e Ramës në parti, Fatos Nanon, por shpejt ndoqi erën e ndryshimit dhe u bë një nga njerëzit besnik të kryetarit të ri.
Olta Xhaçka, deputete dhe disa javë ministre e Punës dhe Mirëqënies Sociale dhe Orgeta Manasterliu, ish-drejtoreshë e QSUT-së dhe disa javë ministre e Shëndetësisë janë po ashtu në listën e sigurtë të PS-së. E para vjen nga Mjaft-i ashtu si Veliaj, ndërsa e dyta ka qenë e angazhuar që herët në strukturat rinore të kësaj partie.
Lista vijon me deputetë aktualë që njihen si njerëzi e afërt të Ramës, si Besnik Bare, Blerina Gjylameti, Ervin Bushati dhe Vasilika Hysi.
Të vetmit përfaqësues të “PS-së së vjetër” të Fatos Nanos janë Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj,edhe ky i fundit u bë ministër në ndryshimet e qeverisë në Prill. Majko është ndoshta nga të vetmit e PS-së para epokës “Rama” që qëndron akoma i palëkundur në pozitat e tij. Një njeri popullor që duket se e ka gjetur gjuhën e bashkëpunimit dhe me kryetarin e ri.
Në garë është dhe ish-prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi, deputetë biznesmenë si Sadri Abasi dhe njeri i afërt i Metës së LSI-së, Spartak Braho, të cilin Rama ka preferuar t’a fusë në listën e tij, por ai mban nr.19 në listë dhe është në dyshim përfaqësimi në Kuvend. Po ashtu, ministrja e Inovacionit Milena Harito është pozicionuar në një vend jo fort të favorshëm të listës, nr.21./tesheshi.com/