Nga Bardha Nergjoni
Historia dhe librat janë pasioni i Simonit, që herë pas here hedh dritë mbi figura e ngjarje që i përkasin një zone të tërë të mbuluar nga harresa. Këtë herë studiuesi Simon Vrusho sjell në kujtesë nëpërmjet mbesës së patriotit, një figurë komplekse të zonës së Beratit, Selim Hoxha. Një ngjarje gjatë luftës shënoi jetën e tij në marrëdhënie me komunizmin por që shpëtoi gjithashtu edhe fshatin historik të urtësisë dhe zgjuarsisë, Levan Plak.
Simoni shkruan ndër të tjera se Selim Hoxha ishte një njeri zengjin në fshatin Levan Plak, Berat, me tokë, ullinj, vreshtë, edhe me tufa bagëtish, me 100 koshere bletë, etj. “Kishte një shtëpi të madhe dykatëshe, edhe me kalë me shalë, por pa asnjë titull, as qehaja, as aga, as be, njeri edhe me arsim, edhe me përvojë jete, edhe i ditur. E zë Lufta e Dytë Botërore, kur ishte rreth të 60-ve. Anonte nga nacionalistët, por ndihmote edhe partizanët e komunistët. I dyzuar, Jonuz Hoxha, njeri influent, me lidhje, miqësi, taraf, përballet me gjermanët në fshatin e tij të lindjes. Shumica e banorëve ishin fshehur në pyll, por jo të gjithë. Pak veta qëndrojnë… Vapë, qershor 1944. Madje Jemin Hoxha, nuk e prish terezinë, nuk e prish as gjumin e drekës nën hijen e mënit dhe as Selim Hoxha nuk ikën nga ballkoni i katit të dytë, ku dremiste. Vijnë gjermanët, e zgjojnë Jeminin, e lidhin dhe e mbështesin në trungun e një ulliri. -Unë jam nacionalist,- thotë Jemini. Di dy fjalë gjermanisht.- Ich bin ein Nationalist… Thonë se këtë shprehje: “Ich bin ein Nationalist!” tek qafa e Sinjës e ka shqiptuar edhe Jonuz Hoxha. Levani shpëton pa u djegur. Një Zot e di se çfarë ka ndodhur realisht, por fshati i shpëton si zjarrit e si masakrës. Levan Plak ishte një fshat simbiozë, ku strehoheshin edhe partizanë, miq, miqtë e miqve… Legjendat thonë se Selim Hoxha ka ngritur flamurin e bardhë në Levan. Por ai nuk ishte as kryetar bashkie, as prefekt, as kryetar komune, as kryeplak, as drejtues i ndonjë formacioni të armatosur, qoftë dhe nacionalist, por influent ishte, influent nga dija, mençuria, zgjuarësia, pse jo, thonë, dhe nga dinakëria… Thonë se ai merr një nga çarçafët e bardhë të nderur për t’u tharë dhe e nder në formë të tillë që nga larg, kush hynte në fshat, çarçafi t’i ngjante si flamur i bardhë. Si Selim Hoxha, ashtu edhe Jonuz Hoxha, pas çlirimit dënohen, duke bërë vite të tëra burg. U hiqen triskat e Frontit, shpallen kulakë për një çarçaf të bardhë, ndonëse kishin strehuar edhe fëmijët e partizanëve. Kështu ngjet kur çarçafi merret për flamur të bardhë dhe na del një Peten në Levan, Shpirag, Berat…
Jemineja në rrëfimin për gjyshin e saj, Selim Hoxha, i dënuar padrejtësisht nga diktatura, thotë se nuk ka pasur foto mbi varrin e tij, sepse, sipas regjimit, nuk duhej t’ia dinin as vendin ku prehej. “Nuk kishin lejuar mbi pllakën e varrit as datëlindjen, por vetëm ate te vdekjes (1971). Siç e shikoni, as dita, as muaji i vdekjes nuk iu lejua tim eti t’ia shënonte mbi atë pllakë guri varri atij njeriu, që e rriti si një fisnik i vërtetë. Plagë e pati shpirtin im atë për këto, por ç’të bënte? E detyronin rrethanat, Lufta e Dytë Botërore, që Selim Hoxhën nuk e gjeti kadi, si në të ri të tij, por kryeplak të fshatit Levan Plak. Ka kryer studimet për teologji dhe në ato vite, sa e mbaj mend edhe unë, ka shërbyer edhe si mjek popullor në fshatrat e Shpiragut dhe të krahinës së Mallakastrës. Kishte dy vëllezër: Ramadanin, dentist dhe Barjamin, ortoped. Ka pasur edhe dy motra, nga të cilat, me njërën nuk ka pasur asnjë kontakt, sepse edhe ajo ishte martuar në një familje me damkë. Motra tjetër ishte martuar aty, në fshat, por i ndërprenë lidhjet me familjen e gjyshit, për shkak të damkës që mori ai, pas kryerjes së dënimit prej afro 7 vjetësh burg. Arrestimi i tij ka ndodhur më 1945-ën, duke lënë të vetmuar djalin, Shuaipin, babai im, Jeminenë, gruan dhe Haxhirenë, të bijën.
Si është historia e çarçafit të bardhë?
Në gjyq u cilësua si armik i popullit, për arsye se pat bërë paqe me pushtuesin italian. Im atë ma tregonte historinë e “Çarcafit të bardhë”. Ngjan si historia e Kadaresë tek “Darka e gabuar”, historia e Doktor Gurametos” ( Vasil Laboviti). Pas arrestimit të tij fillon kalvari i vuajtjeve, si: vdekja e papritur e Jeminesë (e shoqja), shurdhimi total i të birit (Shuaipit), si dhe plagosja pa dashje e së bijës nga pakujdesia e atyre që gjoja kujdeseshin për ta. Historinë e plagosjes së hallës, babai, Shuaipi dhe gjyshi Selim, e tregonin si një lojë të të mëdhenjve ndaj fëmijëve të pambrojtur, të mbetur pa nënë, (e vdekur tashmë), dhe me baba të burgosur.
Si i kaloi gjyshi juaj vitet e komunizmit?
Dënimi fillestar i gjyshit ka qenë “me vdekje”, por më pas është kthyer me “25 vjet”. Nga një amnisti është liruar me 1952. Kreu 7 vjet burg dhe, kur u kthye në shtëpi, i gjeti të dy femijët e tij sakatë dhe pa nënë. Dhe kjo nuk ishte asgje, krahasuar me çfarë hoqi ai, i mohuar nga të gjithë të afërmit e gjakut të tij. Nuk kishte më për atë as biseda, as komunikime, as takime, as dhe me shokë si Ymer Dishnica, që pothuajse ishte i të njëjtave bindje politike. Në fshehtësi, pa u kuptuar Dishnica i dërgonte të fala dhe e ndihmonte, kur mundej. Selim Hoxha jetoi pas burgut rreth 20 vjet, të cilat i kaloi si një mentor i denjë ndaj fëmijëve për të qenë të aftë,në kushte kaq të vështira, të mund të përballonin atë lloj regjimi që u ra për pjesë.
Kam jetuar rreth 6-7 vjet me të dhe nuk gjej fjalë ta përshkruaj se ç’gjysh të mrekullueshëm kam pasur. Lumturinë e jetës sime vetëm në ato vite e kam njohur, sepse më pas për ne filloi një tjetër kalvar vuajtjesh. Quheshim femijët e reaksionarit dhe nipërit e armikut të popullit dhe kjo bërtitej, thuhej me zë të lartë, sepse nën zë degjohej shpesh që ia lavdëronin mençurine, urtësine, diturinë dhe pjekurinë e tij. Ne, të 5 (pesë) femijët e Shuaip Hoxhës, nipër, mbesa të Selim Hoxhës, kemi shkëlqyer si në sjellje, si në mësime, por ne nuk patëm asnjë të drejtë të vazhdonim një shkolle. Jo vetëm ne, por edhe femijët e vëllezërve të gjyshit, u privuan nga ajo mundësi. Të dy vëllezërit e gjyshit paten, njëri 3 dhe tjetri 2 djem, të cilët rritën e edukuan fëmijë të mrekullueshëm, të cilët as neve nuk na mohuan plotësisht, gjë për të cilën edhe më më vjen keq, sepse mendoja shpesh që komunistët e kuptonin këtë, ndaj nuk i lejuan as ata të shkolloheshin. Një pjesë e femijëve të gjakut të gjyshit, që e mohuan tim atë kategorikisht, si femijë armiku, u shkolluan (fëmijet e motrës së martuar po aty në të njëjtin fshat).
Selim Hoxha ka qenë caktuar edhe delegat më Marrëveshjen e Mukjes, po kështu ka njohur profesione të ndryshme, por ka qenë dhe klerik mysliman. Si qëndron e vërteta?
Di edhe se gjyshi ka qenë caktuar edhe si delegat për në “Marrëveshjen e Mukjes” për krahun nacionalist, por nuk mori pjesë, si shumë të tjerë që, gjoja i ktheu Fronti Antifashist. Ka punuar edhe për fjalimin që do të mbahej atje nga nacionalistët.
Ka studiuar në medrese dhe e ka ushtruar profesionin e hoxhës në Levan,. Studionte gjithashtu dhe mjekësinë shkencore. Studime ka kryer edhe në Janinë ose Turqi, por nuk jam shumë e qartë për këtë. Profesionin e kadiut e ka ushtruar gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut në Gjykatën e Beratit të asaj kohe. Edhe historinë e lidhjes me bashkëshorten e ka nga ky profesion.
Si i këshilloi fëmijët të ruheshin në periudhën e komunizmit?
Ne biseda me të afërt ishte i kujdesshëm, ndërsa me tim atë diskutonte shpesh për miq, të afërm e shokë që i ishin larguar, por që u jepte të drejtë se duhet të ruanin veten. Pas vdekjes, prindërit e mi shumë të frikësuar, por edhe të këshilluar nga ai, kështu thotë nëna, dogjën të gjitha librat e tij dhe gjithçka. Fatkeqësisht nuk ndodhej në shtëpine tonë asgjë nga ai, përveç një kurani, të cilin ua kishte lënë bashkë me porosinë se, në rast se zbulohej, ta digjnin. Hirin e librave, së bashku me atë te raftit ku mbaheshin, im atë e groposi dhe unë e mbaj mend po nuk e di arsyen.
Si është historia e emrit të fshatit Levan Plak?
Xhamia e Levanit thuhet se ka qenë në krye të lagjes “Myzyraj”, po jo vetëm unë, por as edhe im atë nuk e mbante mend. Për historinë e fshatit Levan Plak në fisin tonë tregohej shpesh se ka pasur pleq të cilëve u zinte fjala vend dhe u merrej mendimi edhe nga mjaft banorë të fshatrave të tjerë përreth. Duke u përdorur për dekada “Do pyesim plakun e Levanit” i mbeti Levani Plak. Këtu ze vend edhe historia e ndarjes së kufijve midis fshatit Cfir dhe Metoh. Pra, kufinjtë jane vendosur nga Plaku i Levanit që ishte i ati i Selim Hoxhës. Me gurët e xhamisë është ndërtuar një qivur, kurse me pjesën tjetër, shumë kohë më vonë, është përdorur për shkollen. Nuk e di vitin e ndërtimit te saj, por di që edhe sot ndodhet në tokën që e ka dhuruar Selim Hoxha.
Familja juaj ishte mjaft e respektuar dhe një derë e madhe në Levan Plak…
Shtëpine dykatëshe e mbaj mend që ishte me një ballkon të madh me pamje nga veri-perendimi dhe çdo dhome kishte banjë brenda. Jetonte bashkë me vëllezërit aty dhe, përveç dhomave të miqve kishte dhoma për çdo fëmijë-djalë, të gjitha me musëndra të veçanta. Tërthorazi, gjyshin e ndihmonin edhe aty në fshat, edhe në rreth. Këtë ndihmë ia dedikonin mirënjohjes për drejtësinë e tij ndaj tyre në të kaluarën. Ata që e kanë ndihmuar në fshat ishin Safet Agalliu, Faslli Osmani, Shyqyri Kullsi, etj., ndërsa nga shokët mbaj mend një plak orëndreqës tek Babë Dudë Karbunara dhe Dr. Ymer Dishnica, etj. Në Berat kishte edhe Ilmi Velagoshtin, të afërmin e tij. Shtëpinë e dajë Ylmiut e përdorte si të vetën, madje aty ka bërë edhe dasmën e Haxhiresë dhe të Dilaverit, djali i Barjamit. Me këta njerëz të shkëlqyer mbajme lidhje të ngushta edhe sot.
Lagjja jonë shpjegohej se quhej Myzyraj, për faktin se ndodhej poshtë zyrave të fshatit, por unë mendoj se duhet të ketë lidhje me fisin e Myzyrajve të Elbasanit. /tesheshi.com/