Vetëm një javë para mbylljes së kampionatit spanjoll, atëherë kur qoftë dhe gabimi më i vogël kushton shtrenjtë, Atletiko e Madridit ka humbur pabesueshmërisht në transfertë ndaj Levantes së vendit të fundit.
E njëjta Atletiko që eliminoi Bajernin e Mynihut në gjysmëfinalen e Champions League-s është mundur sot nga ekipi më i dobët i La Ligës.
Kjo humbje e zbret Atletikon në vend të tretë, duke ia lënë vendin e dytë Realit të Madridit, e njëkohësisht e mbyll përfundimisht çështjen e titullit për të. Një humbje fatale me një goxha çmim.
Prandaj futbolli spanjoll është i bukur, se rezervon dhe të papriturat më të pamendueshme.
Për udhëtuesit e Atletikos ndeshja do të fillonte shumë mirë ndaj Levantes së rënë tashmë një kategori më poshtë. Fernando Torres ka shënuar që në minutën e dytë. Casadesus do të barazonte në minutën e 30-të, kurse Giuseppe Rossi do t’i jepte fitoren Levantes me golin e realizuar në minutën e 90-të.
Ndërkaq, Barcelona kryesuese ka fituar thellë në derbin ndaj Espanjolit. Katalanasit janë treguar të papërmbajtshëm në “Camp Nou”, duke shënuar pesë gola ndaj bashkëqytetasve. 5-0 ka përfunduar ky takim, me dy gola të shënuar nga Suarez, një nga Messi, një nga Rafinha e një tjetër nga Neymar.
Reali i Madridit po ashtu ka buzëqeshur në fund të 90 minutave me Valencian. Madrilenët ia kanë dalë të fitojnë 3-2, duke mbetur kërcënuesit e vetëm të Barcelonës në javën e fundit. /tesheshi.com/