Në 6-mujorin e parë të këtij viti në Kosovë, janë paraqitur 160 raste të reja me kancer gjiri, ose 20 raste më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sipas zyrtarëve të Institutit Onkologjik, brenda një viti në Kosovë preken me lloje të ndryshme të kancerit, rreth 800 persona.
Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se kjo gjendje nuk paraqet një rritje reale të numrit të të prekurve me kancer të gjirit, por kontrolli i grave për diagnostikim të hershëm, ka ndikuar në rritje të numrit të të sëmurëve.
“Pothuajse çdo vit rritet numri i të prekurve me kancer, por tani kemi zbulim më të hershëm dhe ka një rritje të efikasitetit të pajisjeve, pastaj është edhe sensibilizimi e të tjera. Kështu që mendoj se nuk paraqet shqetësim kjo rritje”, thotë Hyseni.
Sa u përket barnave për trajtimin e sëmundjes së kancerit të gjirit, ai nënvizon se kryesisht kishte një mbulim të mirë gjatë kësaj periudhe të vitit.
“Për kancerin e gjirit kemi furnizim stabël, mirëpo në tremujorin e katërt mund të ketë mungesë. Ndonëse kohë pas kohe kemi pasur mungesë të herceptinës, që është një ilaç që përdoret për trajtim të kancerit të gjirit”, bën të ditur Hyseni. /tesheshi.com/