PDK e Kadri Veselit nuk do shkojë tërësisht e vetme në garën e 6 tetorit. Ajo nënshkroi një marrëveshje koalicioni me Lëvizjen për Bashkim, një forcë modeste në politikën kosovare, ku sipas saj, kandidatët për deputetë nga LB do të jenë pjesë e përbashkët e një liste me ata të PDK-së.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lartë kontributin që Lëvizja për Bashkim ka dhënë në të kaluarën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Qeverinë e Kosovës por edhe në institucione të tjera qendrore dhe lokale. Në Qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga kryeministri Kadri Veseli, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja për Bashkim do të jenë partnerë në luftën kundër korrupsionit dhe në angazhimet e tjera për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në deklaratën e partisë së drejtuar nga Veseli, e themeluar dhe e drejtuar për shumë vite nga Thaçi.
Ndërkohë, rivalja historike LDK dhe VV, po shkojnë të vetme drejt 6 tetorit. Ndërsa AAK-ja e Haradinajt, lidhi koalicion me Socialdemokratët e rinj të udhëhequr nga Shpend Ahmeti. /tesheshi.com/