Partia Demokratike ka akuzuar sot Kryeministrin Edi Rama se i jep tendera në çdo institucion mikut të tij, deputetit Sadri Abazi me kompaninë Alko-impex. Sipas PD-së, korrupsioni i oligarkëve të Ramës ka prishur garën dhe konkurrencën, dhe është i pranishëm në çdo zyrë e në çdo formë.
Grida Duma u shpreh se këta oligarkë janë kujdesur të kapin dhe institucionet e prokurimit. Ajo bëri me dije se faktet janë tronditëse dhe tregojnë tentakulat e kësaj hajdutërie, të vjedhjes së parave të shqiptarëve, që janë shtrirë kudo.
“Kemi sot disa pyetje që kërkojnë përgjigje”, – tha ajo ndërsa shtroi pyetjet: “-A është sot një prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP, komisionit të prokurimeve publike?
-A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut, me një funksionare të lartë të KPP?”
Grida Duma u shpreh se nga njëra anë, Sadriu kap çdo tender kudo ku futet, nga ana tjetër i mbyll gojën kujtdo që mund të ankohet pasi ka kapur edhe KPP-në.
“Ky pra është korrupsioni i Edi Ramës. Korrupsion që po shton luksin e oligarkëve dhe klientelës së tij e që po varfëron çdo ditë qytetarët e vendit. Kjo është arseja pse qeveritarët dhe oligarkët majmen çdo ditë, shtojnë pasurinë e tyre, ndërsa çdo ditë e më shumë populli zhytet në papunësi, mjerim e varfëri”, – përfundoi deklaratën e saj Grida Duma. /tesheshi.com/