Ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk do të kenë mundësi të ndjekin live sot e në vazhdim nga Franca, Himnin e flamurit dhe përballjen e Kombëtares në Kampionatin e parë ëndërr europian, Partia Demokratike arsyeton se TVSH nuk e transmeton, pavarësisht se drejtuesit e saj kanë pohuar e pranuar blerjen e kësaj të drejte, e cila është “grisur” për interesa klieteliste.
“Një pjese të mirë të shqiptarëve nuk jua mban xhepi ta blejnë këtë shërbim. Nuk munden ekonomikisht. Nuk mund të ndjekin nga pas kryeministrin me shpurën e tij në stadiume, megjithëse janë tifozë më të mëdhenj dhe më të sinqertë se ai. TVSH si i vetmi televizion publik dhe i vetmi televizion me shtrirje gati 100% në territor refuzon ta transmetojë”, – tha deputeti demokrat Lucciano Bocci.
Ai renditi disa prej arsyeve të mosdhënies së ndeshjeve të kombëtares së Futbollit nga TVSH
– RTSH fsheh blerjen e realizuar me negociata, për të drejtën e transmetimit të kampionatit Europian nga TVSH.
– Ish drejtori i komanduar Martin Leka, në seancën dëgjimore në Komisionin e Edukimit të datës 25. 11. 2015 e ka pohuar dhe mbrojtur një gjë të tillë, pas insistimit tonë.
– RTSH e Gëllçit “gropos” dhe sakrifikon 1.5 milion euro (850 mijë Euro blerja + 700 mijë euro, nga të ardhurat e reklamave), para të publikut (Procesverbali i mbledhjes poshtë)
– Gjithçka bëhet për interesat e “të tretëve”, për xhirot miliardere dhe fitimet marramendëse.
– Po Kryeministri ku e ka vendin këtu?!!! Nuk e dinte?! Kam frikë se e ka urdhëruar vetë! Insistimi për të vendosur Gëllçin “e nxorri paksa kokën”! Ka dhe më!!!
– Prokuroria duhet të nisë menjëherë çështjen, për të vënë para përgjegjësisë “killerat” e parave të publikut dhe të interesit të publikut sikurse dhe të emocioneve të tij. /tesheshi.com/