Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me artikullin e publikuar në “The Economist”, duke u shprehur se ky është një artikull-reklamë i paguar nga vetë Rama për t’i thurur lëvdata vetes.
“Edi Rama ka shpenzuar qindra milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë për të blerë 8 faqe reklamash në revistën më të shtrenjtë në botë, The Economist, për një artikull-reklamë që thur lëvdata për të, por që në krye tregon se është shkrim i paguar. Sipas rregullave britanike të reklamës, në çdo faqe ku lëvdohet Edi Rama, shkruhet Advertisement Feature, çka do të thotë, shkrim i paguar”, deklaroi koordinatorja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma.
Sipas Grida Dumës, ky shpërdorim i parave të shqiptarëve, jo vetëm nuk e ndihmon Shqipërinë dhe gjendjen e rëndë të qytetarëve, por nuk zbardh asgjë në imazhin e nxirë të një kryeministri që ka 200 milionë euro pasuri me ryshfete pallatesh.
“Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Ballkan, dhe nuk ka shkrim të blerë a reklamë të shtrenjtë që e shpëton nga gjykimi i drejtë i qytetarëve”, mbylli deklaratën, Grida Duma./tesheshi.com/