Kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, bashkangjiti dy pritshmëri fetare gjatë një mesazhi për Pashkë, atë të nisjes së ndërtimit të një shtatoreje të Nënë Terezës te Parku i Liqenit, si dhe përfundimin e Xhamisë së Madhe.
“Qyteti i Tiranës, ashtu siç mori vendimin për t’i rikthyer Kishën e Shën Prokopit Kishës Ortodokse, tani do fillojë shumë shpejt vendosjen e shtatores për të përkujtuar Nënë Terezën, Shenjtoren që Shqipëria i dha botës. Është një kontribut i vogël për gjithë komunitetin e besimtarëve”, tha Veliaj, duke përmendur më pas Xhaminë e Madhe në kuadër të bashkëjetesës fetare.
Ai e quajti një muaj fantastik këtë për Tiranën, ku siç tha, “kemi Pashkët e të gjitha besimeve, kemi Ramazanin dhe Bajramin. Presim hapjen e Xhamisë së re. Unë them se në një vend ku mbizotëron harmonia, nuk ka asnjë arsye pse të jemi të ndarë e të përçarë me njëri-tjetrin”, kumtoi ai. /tesheshi.com/