Podgorica zyrtare ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për emërimin e Komisionit të ri Shtetëror për Demarkacionin.
Kryetari i Komisionit malazez për shënimin e kufirit, Milan Paunoviç, shpreson që situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mali i Zi do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve.
Duke komentuar shkarkimin e ish-kryetarit Murat Meha dhe Komisionit që ka arritur marrëveshjen, zyrtari malazez ka thënë se Podgorica nuk është njoftuar zyrtarisht për asgjë. Por, ky zyrtar nuk ka dhënë sinjale se vendi i tij do të lëvizë, duke kërkuar nga pala kosovare ratifikimin e marrëveshjes.
“Paralajmërimet e mediave se Kryeministri i Kosovës ka kërkuar formimin e komisionit të ri nuk duhet të komentohen, sepse Mali i Zi nuk është njoftuar zyrtarisht”, ka thënë Paunoviç për televizionin publik të Malit të Zi.
Ai shtoi se është i bindur që në Kosovë do të gjendet një marrëveshje politike për ratifikimin e marrëveshjes, pasi bëhet fjalë për çështje të brendshme të Kosovës. /tesheshi.com/