Nga Gani Gashi
Lajmi nga Brukseli se Ura e Ibrit do rihapet për qarkullim të lirë të njerëzve aty nga mesi i muajit tetor, pra pas rreth një muaji e gjysëm, sigurisht që përbën një lajm të mirë. Por ja që banorët shqiptarë të Mitrovicës, të mësuar me zhgënjime të njëpasnjëshme nga politikat e ndërkombëtarëve të pasluftës, të cilat kanë kulmuar me bllokimin e Urës – që për paradoks quhet dhe e “Paqes”, një emërtesë serbe kjo plot hile – nuk janë dhe aq entuziastë se vërtet historia e mbrapshtë e kësaj Ure do ndryshojë për mirë. Madje, sipas njërit prej tyre, me marrëveshjen e fundit në Bruksel, Ura ka rënë përfundimisht në dorë të serbëve. Kjo pas lajmit se në Urë do ndërhyret për rinovim. Dhe ky është një detaj që fsheh një djall të madh brenda.
Reagimi fillimisht ka qenë ekstra profesional. “Ura mbi Ibër, në të cilën strukturat paralele serbe dhe qeveria e Serbisë, vitin e kaluar pas largimit të barrikadës së zallit dhe betonit vendosi barrikadën tjetër të quajtur “Parku i Paqes”, nuk i duhet kurrfarë intervenimi”, thotë inxhinieri i ndërtimit, Gani Beshiri.
Sipas tij, kjo urë është një nga më të qëndrueshmet në Kosovë sa i përket statikës si dhe një nga urat më të bukura të Kosovës sa i përket arkitekturës.
“Politikanët e Kosovës si duket nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për hapje të Urës, apo ndoshta kanë arritur ndonjë marrëveshje, por që është shumë e dëmshme dhe atyre po iu duhet kohë, e kështu kanë po sajojnë skenare të paqena për probleme që nuk ekzistojnë. Urës i duhet një intervenim politik e jo intervenim në ndërtimtari”, ka thënë ing. Beshiri.
Në anën tjetër, Driton Sulejmani, banori i veriut të Mitrovicës ka theksuar se politikanët shqiptarë nuk po e tregojnë realitetin sa i përket marrëveshjes për Urën e Ibrit.
“Marrëveshja që unë e kam parë në media, është projekti të cilin e kanë hartuar strukturat paralele serbe në Kosovë në bashkëpunim me qeverinë e Serbisë”, ka thënë ai.
“Ura nuk do të hapet për qarkullim pasi që projekti serb është i tillë”, ka shtuar Sulejmani dhe saktëson se projekti i deklaruar kryeministri Isa Mustafapër rinovim fizik të urës, është një ndër pikat e projektit serb për këtë objekt.
Mundet që “Parku i Paqes” të hiqet me 15 tetor, por qarkullim të makinave nuk do të ketë”, ka thënë Sulejmani.
Ai sqaron se sipas projektit serb për Urën që thotë se e ka parë me vëmendje, rinovimi ritet të përfundojë në fund të vitit 2016 dhe për një vit nuk do të ketë kalim të automjeteve nga jugu në veri. Që do të thotë se gjatë gjithë vitit 2017 makinat do mund të lëvizin vetëm nga veriu i Mitrovicës në jug, dhe ky do të jetë një test si provë e kthimit të mirëbesimit në mes të banorëve të veriut dhe atyre të jugut.
Pastaj do të lirohet për qarkullim vetëm rruga që të shpie nga Ura e Ibrit në Lagjen e Boshnjakeve, e më pastaj do të lirohet edhe rruga për në fshatin Suhodoll, pra rrugë këto që shkojnë përbri lumit Ibër.
Sulejmani ka shtuar se rruga kryesore nga Ura për në veri të Mitrovicës do të kthehet në shesh, e me këtë do t`iu pamundësojë shqiptarëve të jugut që të hyjnë në pjesën veriore. E lirë për qarkullim në vitin 2018 do të jetë vetëm rruga që të shpie për në Lagjen e Boshnjakëve dhe atje për në fshatin Suhodoll.
“Të gjitha këto kanë qenë të preçizuara në projektin strukturave paralele të Serbisë, e që si duket është nënshkruar nga politikanët e Kosovës”, ka thënë pra Driton Sulejmani për portalintesheshi.com.
Po me sheshin e Bac Ademit çdo bëhet?!
Ndërsa Emir Azemi, përfaqësues i shqiptarëve të Lagjes së Boshnjakëve dhe n/kryetar i kryesuesit të Asamblesë Komunale të veriut të Mitrovicës i ka thënë portalit tesheshi.com, përmes telefonit si nuk e di se çka do të ndodhë me sheshin “Ademi Jashari” që është vendosur nga shqiptarë vitin e kaluar në veri të Mitrovicës.
“Nuk kam asnjë informacion se çka do të ndodhë me sheshin ‘Adem Jashari’, por pavarësisht asaj sheshin e kanë vendosur qytetarët dhe ata do të vendosin lidhur me fatin e tij”, ka thënë Azemi.
Po ashtu nuk dihet as fatin e sheshit të “UÇK-së”, që është vendosur në qendër të fshatit Suhodoll në veri të Mitrovicës nga ana e shqiptarëve.
“Nuk kemi asnjë informacion se a është biseduar në Bruksel edhe për sheshin “UÇK-së”, ka thënë Gëzim Paçarada, banor i Suhodollit.
“Sheshin e kanë vendosur banorët shqiptarë, i gjithë fshati është i banuar me shqiptarë dhe ne do të vendosim për të”, ka thënë Paçarada. /tesheshi.com/