Ka qenë pothuajse e paimagjinueshme që do vinte një ditë që PD të gjendej kaq ekstremisht kundër Perëndimit politik. Jo vetëm pse startoi me slloganin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, porse ajo ka qenë partia më e përkëdhelur nga kancelaritë e Uashingtonit e Brukselit, duke iu ofruar pushtet dhe dhurata të tjera që e majta nuk ka mundur t’i gëzojë kurrë.
Sot, narrativa e PD-së, politike dhe ajo mediatike është ashpërsuar duke marrë trajtat e një populizmi alla Le Pen, me pretendimin se ky Perëndim po mbështet Ramën; por po të verësh me kujdes mbështetja ndaj saj përgjatë tranzicionit ka qenë ku e ku më e madhe, sa Rama do e kish zili.
Fillimisht, PD u mbështet hapur për të ardhur në pushtet më 1992 duke u sponsorizuar në gjithë aksionin e saj politik me braktisjen e Qeverisë së Stabilitetit dhe grevën e përgjithshme me epiqendër Valiasin.
Kjo mbështetje vijoi dhe më pas në qeverisje, ku krerëve iu hapeshin dyert e kancelarive perëndimore e Shqipëria vizitohej rregullisht nga liderë europianë. Dhe kujtojmë që, edhe pse drejt këtyre kancelarive drejtoheshin herëpashere peticione ankuese dhe akuzuese ndaj Berishës si autoritarist, hartuar këto nga kasta intelektuale, mes së cilëve gjithnjë gjendej Lubonja, Perëndimi nuk vijoi ta mbështeste qeverinë e PD-së. Por kjo aleancë u këput me zgjedhjet e 1996-ës, atëherë kur Berisha refuzoi urdhërin e Uashingtonit për ripërsëritje votimi në 40 zona. Më pas erdhi 97-ta, derisa PD ra nga pushteti, gjë që pasoi me një izolim të saj ndërkombëtar për shkak të ngjarjeve me nuanca grushti shtetit të14 shtatorit e të aksioneve opozitare me akte dhune ndaj institucioaneve.
Por pranvera e Perëndimit nuk do vononte. Në vitin 2001, Perëndimi do i diktonte Nanos që të ulej me Berishën, të bënte marrëveshje me te dhe t’i jepte Presidentit dhe ndonjë llokmë pushtet. Sinjali ishte dhënë, konkretizimi do vinte pak vite më vonë. Sepse ishte përkrahja e fuqishme ndërkombëtare që ia mundësoi PD-së, për më tepër me Berishën në krye, që në korrik të 2005-ës, t’u besohej sërish pushteti dhe drejtimi i Shqipërisë. Ishte diçka që pak vite më parë nuk besohej që mund të ndodhte, por ja që ndodhi, dhe kjo falë “dorës së ngrohtë”, sërish të shtrirë, të Perëndimit ndaj PD-së. Mbështetja në pushtet do ishte e gjithanshme, edhe pse ashtu si dhe sot në të kundërtën e saj, ndaj qeverisjes nr.2 të Berishës kishte ankesa e akuza pa fund.
Në qershor të 2007-ës, Tiranën do e vizitonte i pari president amerikan. Xhorxh W. Bush del me Berishën në krah, duke ia forcuar akoma dhe më shumë pozitat këtij të fundit.
E gjitha do betonohej një vit më vonë me futjen në NATO, dhe kur pa, pak javë pas Gërdecit. Dhe të merrje një dhuratë të tillë nga Perëndimi në ato momente nuk ishte diçka e vogël.
Vijnë zgjedhjet e vitit 2009. Nuk është artikuluar kurrë, por është rasti të thuhet se për asnjë çast Perëndimi nuk ia “bëri më sy” të majtës.
Përkundrazi, aleanca PD-LSI pati dhe një nuancë të lehtë “ok”-ji perëndimor, pasi PS dhe Rama shiheshin ende të padenjë për të ardhur në pushtet. Për PD në mandatin e dytë të saj do vinte një tjetër dhuratë nga Brukseli: liberalizimi i vizave.
Mbërrijnë zgjedhjet lokale. Në Tiranë, në sy të të gjithëve, ndryshohet vullneti i zgjedhësve: mandati i Ramës, i fituar nën hundën e ambasadorit amerikan llërëpërveshur, Arvizu, i jepet Bashës në tavolinën e Ristanit. Perëndimi bën një “vesh shurdh e sy qorr” duke lënë që Tirana t’i merret Ramës e t’i jepet Bashës, me një strategji të qartë marruri sërish më të mirë, dy vjet para zgjedhjeve të përgjithshme.
Vjen reforma në drejtësi. Edhe pse me një minimum historik përfaqsimi parlamentar, Uashingtoni dhe Brukseli kujdesen që PD të ketë rolin e kësaj në këtë reformë duke i dhuruar gjysmën e rolit në të. Madje deri në atë pikë sa opozita duartroket miratimin e reformës, pra edhe me votat e saj, duke e konsideruar këtë si një fitore ndaj tendencave të Ramës për ta futur drejtësinë nën sqetull.
Por më pas, gjithçka ndryshonte. Duke iu afruar ashtit të reformës, vettingut, atij procesi që pothuajse çmonton gjithë ngrehinën e deritanishme të drejtësisë, asaj pra që ka themeluar pandëshkueshmërinë karshi zullumeve të politikës deri në makabritet, PD shton dredhat e saj derisa i shmanget tërësisht me anë të një aksioni të pazakontë politik, siç është çadra, me një dalje të paprecedent jashtë sistemit. Dhe ja ku jemi sot ku, siç qartë duket, për shkak të vettingut, thënë ndryshe reformës në drejtësi, partia e cila e ka patur flamur të saj Perëndimin, edhe si një kundërvënie ndaj rivales trashëgimtare të PP-së, është shndërruar si kjo e fundit këtu e dhjetra vite më parë.
Është politikë, ka interesa, dhe nuk ka vend për etikën e mirënjohjes. Kjo, derisa është lloji i politikës që nuk e ka për hall moralin, mungesën e tij në thelb të sjelljes. /tesheshi.com/