Nga Mensur Krasniqi
“Përse vetëm katër liderët e partive më të mëdha politike në Maqedoni, asaj të VMRO-së, BDI, LSDM dhe PDSH-së, janë ftuar në takimin e Vjenës dhe jo edhe përfaqësues të partive tjera opozitare dhe organizata joqeveritare?!
Kjo është pyetja të cilën e ka shtruar nëpërmjet rrjetit social Twitter ndërmjetësi i mëparshëm i BE-së për dalje nga kriza politike të Maqedonisë, belgu Piter Vanhaute.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të Lëvizjes për Reforma në PDSH, Arben Taravari shkuarja e 4 lidërve politikë në tryezën e negociatave në Vjenë, nuk është zgjidhje adekuate e problemit për dalje nga kriza politike në Maqedoni. Ai madje mendon se është e pabesueshme që vet shkaktarët e krizës të zgjidhin krizën.
“Unë mendoj se këta e kanë humbur besimin tek populli, sepse kemi parë që përmes këtij sistemi kanë bërë vetëm pazarlleqe dhe plane me institucionet e shtetit, sesi të shpëtojnë nga hetimi i Prokurorisë Speciale Publike. Pra, kjo klasë politike duket qartë se janë të kapur nga përgjimet, dhe nuk e kanë ndërmend të krijojnë kushte për të zgjidhur krizën politike, por janë të interesuar më shumë për të shpëtuar kokën nga krimi e korrupsioni. Këta parti politike kanë erozion moral brenda strukturave të tyre, dhe iniciativa e tillë për dalje nga kriza vlerësoj se do të dështojë”, ka thënë për portalin tesheshi.com, Arben Taravari.
Derisa dy partitë politike shqiptare, gjithashtu, sipas Taravarit kanë humbur kredibilitetin nga populli, dhe nga faktori ndërkombëtar, pasi janë të kapur nga shërbimet e këtij sistemi, dhe zgjidhje prej tyre është krejt e pamundur të kërkohet në tryezën e negociatave në Vjenë.
“Pra, ne mendojmë se në kuadër të këtij takimi duhen ftuar dhe përfaqësues nga sektori civil dhe partitë tjera jashtëparlamentare, pasi kështu një mënyrë më e gjithëpërfshirëse në negociata mund të vijë deri të zgjidhja e krizës së thellë politike”, shtoi Taravari.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i partisë opozitare shqiptare, RDK-së, Artan Dika ka përshëndetur përkrahjen dhe propozimin e belgut Vanhaute, duke e konsideruar atë një diplomatë me përvojë që e njeh realitetin në këtë shtet. Ndryshe, sipas tij katër liderët politikë që do udhëtojnë në Vjenë aspak nuk e kanë hallin e Maqedonisë sa e kanë hallin se si ta ruajnë pushtetin, gjegjësisht të marrin pushtetin në duar të tyre.
“Propozimet e Z. Van Hautte jane propozime të një diplomati me përvojë dhe që e njeh mirë realitetin në Maqedoni. Tashmë është bërë e qartë se prodhuesit e kësaj krize kanë për qëllim vetëm rruajtjen e pushtetit dhe për këtë nuk po lënë pa përdorur asnjë mjet”, deklaroi për tesheshi.com, Artan Dika.
Ndërkaq, analisti Ramadan Ramadani vlerëson se palët e kyçura(përfaqësuesit e 4 partive politike) në procesin e zgjedhjes së krizës politike deri tani kanë dëshmuar se nuk kanë kapacitet ose nuk dëshirojnë të ngelen besnike ndaj BE-së edhe përkundër investimeve të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare dhe dashamirëve të Maqedonisë që ta nxjerrin nga kjo krizë politike këtë vend.
“Ky prononcim i ish-negociuesit shpreh nevojën e kyçjes më të gjerë shoqërore në Maqedoni për zgjidhjen e krizës; sidomos pasi palët e kyçura deri më tani dëshmuan se nuk janë të afta dhe besnike që të zgjidhin këtë krizë përkundër investimeve të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare dhe dashamirëve të Maqedonisë. Sidomos pasi protestat e fundit janë me përkrahje të gjerë shoqërore dhe askush nga palët nuk mund të njëjtat ti kontrollojë deri në masë sa të njëjtat të ndalen në rastin e arritjes së ndonjë marrëveshjeje”, theksoi për portalin tesheshi.com, Ramadan Ramadani, analist nga Instituti për mendim të lirë “Nisma”.
Vërejtjet e tyre për mosinkuadrimin e partive tjera opozitare së bashku me organizatat joqeveritare në bisedimet me përfaqësuesit e BE-së për dalje nga kriza politike, së fundmi do ti shprehin edhe nga Lëvizja Besa, parti e re kjo në bllokun politik shqiptar në Maqedoni. Ata për portalin tesheshi.com informuan se gjatë mbrëmjes së sotme do të takohen e gjithë Kryesia Qendërore e tyre dhe më pas do të dalin me një komunikatë për media. /tesheshi.com/