Vatikani i sinjalizoi Kinës se Papa Françesku ishte i gatshëm të takohej me presidentin kinez Xi Jinping ndërsa të dy ishin në kryeqytetin e Kazakistanit, por Pekini u përgjigj se nuk kishte kohë të mjaftueshme.
Burimi i Vatikanit i cituar nga Reuters nuk tha se si dhe kur është bërë afrimi me Kinën, me të cilën Selia e Shenjtë është angazhuar në një dialog “delikat” për statusin e Kishës Katolike Romake në atë vend. Vatikani “shprehte disponueshmërinë e tij” dhe pala kineze u përgjigj se “e vlerësonte gjestin”, por nuk kishte kohë të lirë në orarin e Xi.
Xi Jinping ishte dje, të mërkurën, në Nur-Sulltan për një vizitë zyrtare, ndërsa Papa Françesku mori pjesë në të njëjtin qytet në një konferencë të liderëve fetarë nga e gjithë bota.
Një takim mes të dyve, qoftë edhe për pak minuta, do të përbënte një ngjarje historike.
Të martën, kur u pyet nga gazetarët që e shoqëronin në fluturimin për në Kazakistan nëse kishte mundësi që ai të takohej me Xi, Françesku u përgjigj se “nuk ka asnjë informacion për këtë”. Kur u pyet nëse ka në plan të shkojë në Kinë, ai u përgjigj: “Unë jam gjithmonë i gatshëm të shkoj në Kinë”. /tesheshi.com/