Një akademik persian udhëtoi në Indi në kërkim të Eliksirit të Jetës. Sipas legjendës, Eliksiri ishte një pije magjike, por ai gjeti një libër. Kështu përshkruhet në një shkrim në “BBC Culture”, përmbledhja e historive “Panchatantra”.
Në mijëvjeçarin e parë, gati 1500 vjet më parë, një çift çakallësh nisën të udhëtojnë nëpër botë. Ata njiheshin në Indi si Karataka dhe Damanaka, dhe ata ishin yjet e një prej historive më të mrekullueshme me kafshë në koleksionin e gjerë të njohur si “Panchatantra”.
Sjellë në Iran nga mjeku pers, Borzuya, çakallët u bënë Kalilag dhe Dimnag. Historitë rrodhën nga gjuha e vjetër indiane në arabisht, ku mbetën si Kalila dhe Dimna, nga arabishtja në gjuhën siriake, e shumë shekuj më pas, në gjermanisht. Në shekullin e tetë, çakallët – njëri i mprehtë e dinak, tjetri fisnik dhe i drejtë – e gjetën rrugën për të hyrë në kastiliançen e vjetër, ku Europa më pas, i njohu si Calila dhe Dimna.
Prej asaj kohe kur rrëfimet e “Panchatantra” synonin t’u mësonin princave mjeshtërinë e shtet-drejtimit, strategjinë, kënaqësitë dhe rreziqet e miqësisë, sjelljen morale dhe mësime për pushtetin, ato u shpërndanë në të gjithë botën.
Libri ka më shumë se 200 versione në më shumë se 50 gjuhë jo-indiane.
Ajo që këto histori të lashta e të lidhura me njëra-tjetrën mbanin në vetvete, ishte diçka që brezi ynë do ta quante “meme virale”. Ideja masivisht ndikuese e historive me kornizë, rrëfime të mbështetura brenda njëra-tjetrës si Matrioshka, frymëzoi shkrimtarë të njohur që nga Geoffrey Chaucer tek Boccaccio. Po aq e fuqishme ishte edhe ideja e kafshëve që flasin, nga xhunglat apo pyjet si vende të egra që reflektojnë betejën njerëzore për pushtet, drejtësi dhe mbijetesë, e që ndikoi fabulat e Zhan la Fonten – ndërsa sjell ndër mend edhe Fabulat e Ezopit.
Rrëfimet u përhapën përmes një rrjeti shumëngjyrësh pelegrinësh, emisarësh, kryqtarësh, murgjish, akademikësh, ushtarësh, diplomatësh, tregtarësh dhe udhëtarë të të gjitha llojeve nëpër botë. Akademikët argumentuan në lidhje se kush i shkroi – apo i mblodhi ato- rrëfimet e “Panchatantra”, duke i grumbulluar nga ndërgjegjia kolektive e kujtesës folklorike.
Pjesa më e madhe e akademikëve bien dakord që përmbledhja më e hershme e Panchatantra – origjinali në sanskritisht, tashmë i humbur, u rindërtua nga përkthime të tjera – me gjasa u hartua nga një Brahmin me emrin Vishnu Sharma në Kashmir, pothuajse midis viteve 350-400 të erës sonë. Një tjetër version, përkthyer nga Durgasimha në gjuhën indiane afërsisht në vitin 1025 të erës sonë, udhëtoi përgjatë Azisë. Që prej asaj kohe, Panchatantra ka pasur më shumë se 200 versione në të paktën 50 gjuhë jo-indiane.
Borzuya, i cili ishte kryeministër i mbretit pers, erdhi në Indi në vitin 570 të erës sonë, në kërkim të bimës legjendare që përmbante eliksirin e jetës dhe që besohej se ringjallte të vdekurit. Por, ishte një kërkim i kotë – rrugëtimet e tij përmes Himalajave, vizita e tij tek njerëzit e mençur, nuk dhanë rezultat. Chandra Rajan, përkthyes i një versioni modern të Panchatantra, shpjegon se Borzuya më në fund takoi një filozof i cili i tha atij se eliksiri në fakt ishte një libër. “Malet e larta ishin të zgjuara dhe u mësuan njerëzve intelektin: pemët dhe bimët u dhanë shkrimet virtuoze dhe mençuria e nxjerrë nga këto shkrime mbante Eliksirin e Jetës që rigjallëronte inteligjencën e vdekur. Libri kishte fuqi: kjo dihej që nga fillimi.
Udhëtar i botës
Kishte disa elementë që i tërhoqën njerëzit nga ky cikël historish, të cilat tregonin për luanë, majmunë, elefantë, çakallë, zogj, gjarpërinj, krokodilë, lepuj, tigra, shkaba dhe gaforre.
Pjesërisht ishte premtimi që bënte Panchatantra – në hapje të vet se synonte të mësonte sjelljen e zgjuar në jetë – por ndikimi i librit shkonte shumë përtej. Disa histori zgjasin, të tjera ndërthuren, pak të rralla rigjallërojnë forma antike e gjysmë të harruara të rrëfimit, dhe i bëjnë sërish të reja.
Në vitin 1668, Fonteni publikoi volumin e parë të fabulave të tij, të cilat u përdorën për të mësuar francezët për shekuj më pas. Fabulat u shkruan nga burime lindore dhe perëndimore dhe kanë një borxh të madh ndaj Panchatantra. “Më duhet të njoh se i kam një borxh të madh, Pilpay, një të urti Indian”, shkroi La Fonten.
“Pilpay” ishte një shtrembërim i “Bidpai”, që mund të ketë qenë një formë e fjalës indiane “i mësuar” –dëshmi e mënyrës sesi çdo përkthim përsoi ndryshime, duke u mbajtur pjesërisht pas rrënjëve, ndërsa udhëtonte përmes Europës dhe Azisë.
Përkthyesi i La Fonten, Elizur Wright vë në dukje: “Fabulat flinin, së bashku me gjëra të tjera, në epokën e errët të Europës. Ndërsa u rigjallërua letërsia, fabulat morën jetë. Kryqëzatat kishin vendosur mendjen europiane në kontakt me punimet indiane, (Panchatantra dhe Hitopadesa) me veshjen e tyre arabisht. Përkthimet dhe imitimet në gjuhën europiane u shumëfishuan me shpejtësi”.
Këto histori tregojnë dëshirën e thellë njerëzore për të treguar përralla me kafshë që kanë personalitet – diçka që shtrihet nga lashtësia deri në filmat e ilustruar modernë.
Po ashtu si ndikoi “Decameron” dhe “Përrallat e Canterbury” të Chaucer, “Panchatantra” e la ndikimin e vet në përrallat folklorike të lepurit në Shtetet e Bashkuara apo në disa momente të caktuara në “Një mijë e një netët”. Disa akademikë indianë argumentojnë se Panchatantra dhe përrallat budiste “Jataka” kanë ndikuar nga 30 deri në 50 për qind të ninullave për fëmije dhe baladave.
Pjesa më e madhe e historive, madje edhe atyre që janë të mira, jetojnë dhe vdesin brenda kohës së tyre. Sa më e vjetër është një histori – sa më gjatë të ketë jetuar – aq më e fuqishme bëhet. Përmbledhja ka ndikuar pothuasje në 90 nga 96 breza njerëzorë – që është magji e madhe, po aq pavdekësi sa çdo bimë që premtonte ringjallje dhe jetë të përjetshme.
Përgjatë jetës së saj të gjatë, “Panchatantra” u është mësuar nëpunësve civilë – anëtarë të kompanisë britanike “East India”, për shembull – për shkak të mësimeve të saj për mbretërimin, sjelljen e ministrave ndaj mbretit, strategjitë për të mbretëruar mbi armiqtë dhe për t’ua kthyer xhelozinë dhe urrejtjen e tyre. Dhe në Persinë e lashtë, mësohej midis teksteve të rëndësishme si një manual i dobishëm për qeverisje.
Në Indi, autori veteran për biznesin, Gurcharan Das ende nxjerr mësime nga “Panchatantra”, duke cituar filozofinë e biznesit të tregtarit të prosperuar Vardhamanaka: “Në mënyrë që të jetosh një jetë të suksesshme, thuhet në të, një biznesmen duhet të mësojë katër zotësi: së pari, të bëjë para, së dyti, t’i ruajë pasi i ka fituar, së treti, t’i shpenzojë me urtësi dhe në fund, t’i dhurojë ato”.
Në rrëfime përmbahen strategji për qeverisjen dhe mbretërimin sikundër këshilla të matura për paratë dhe pasurinë – por thelbi i
“Panchatantra” mbetet një pyll, që gëlon nga grabitqarët dhe rreziqet. Një krokodil zë mik një majmun: gruaja e tij tundohet shumë të hajë zemrën e majmunit. Një lepur, nën rrezikun se po e gjuajnë, josh një luan për vdekje. Në një prej historive më popullore e më të trishtuara, një mangustë trime mbron një fëmijë nga gjarpri, por nëna e fëmijës pasi sheh gjak në putrat e saj, supozon se kafsha e ka vrarë fëmijën dhe në zemërim e sipër, e masakron mangustën.
Duke folur për “Panchatantra” në librin e saj “Dhuna politike në Indinë e Lashtë”, historiania Upinder Singh vë në dukje se përrallat janë të dhunshme, kafshët që flasin ofrojnë vazhdimisht këshilla sesi të vrasësh ose të mos vritesh. “Theksi është vënë në nevojën për përpjekje, inteligjencë, dinakëri dhe – mbi të gjitha – ndjesinë e mirë e të fortë të mbijetesës në një botë të vështirë”, shkruan ajo.
Pylli i përrallave ka telashe e katastrofa, dhe burime të vjetra dhe lumenj ku rrinë luanët e krokodilët. Historitë rrëshqasin kudo që të shohësh, duke mësuar sesi të mbetesh gjallë në xhungël, me kë të miqësohesh, si të mbijetosh dhe ndonjëherë, si të jesh i mirë dhe bujar ndërkohë që bën gjithë këto të tjerat.
Ndoshta çfarë ne kemi dëshiruar për shekuj nga historitë shkon përtej fundeve të lumtura. “Panchatantra” na kujton se pyjet kanë vende të errëta dhe krijesat e egra nuk mund të zbuten. Ndonjëherë lepuri fiton – ndonjëherë një majmun shkon shumë larg, dhe humbet. Ndonjëherë luani është heroi, ndonjëherë ai është përbindëshi i keq që e urrejnë të gjithë.
Diçka e thellë brenda nesh ka reaguar, përgjatë kohëve, gjeografikisht dhe ndër breza, ndaj diçkaje të thellë brenda vetë “Panchatantra”. Është pjesa e egër e vetes sonë që flet në këto fabula: pjesa që nuk i përket një qyteti por që sjell në kujtesë shpella, xhungla, qiej të hapur, ndjesinë se je i rrethuar nga të gjitha anët prej rrezikut dhe mundësisë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/