Së paku shtatë palestinezë janë plagosur dhe katër të tjerë janë arrestuar pas përplasjes së ditës së sotme mes palestinezëve dhe policisë izraelite në kompleksin e xhamisë el-Aksa në Jerusalem.
Përplasja nisi pasi policia izraelite hapi një prej dyerve të kompleksit të përdorur për hyrjen e turistëve dhe vizitorëve hebrenj.
Kjo ishte ajo çfarë i raportoi Shejh Omer Kisvani, njeriu përgjegjës për drejtimin e punëve të xhamisë, agjencisë së lajmeve Anadolu Agency. Sipas tij, është e paprecedentë që diçka e tillë të ngjasë në dhjetë ditët e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Gjatë këtyre ditëve, prania e besimtarëve muslimanë në xhami është shumë më e madhe, dhe vizita e jomuslimanëve shihet si e papranueshme.
Por zëdhënësi i policisë izraelite, Micky Rosenfeld, e mohoi që vizitat e jomuslimanëve të jenë të pezulluara gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit.
Kohët e faljeve në xhaminë el-Aksa kanë qenë gjithmonë një burim konflikti midis palestinezëve dhe forcave policore izraelite. /tesheshi.com/