Autoriteti Palestinez do t’u dorëzojë autoriteteve amerikane plumbin që vrau gazetaren amerikano-palestineze Shireen Abu Akleh, gjatë një operacioni të forcave izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, ngjarje e ndodhur javë më parë.
“Ne ramë dakord t’ua jepnim plumbin amerikanëve” për t’u ekzaminuar, tha Akram al-Khatib, prokurori i përgjithshëm i Autoritetit Palestinez, pa dhënë detaje.
Shumë investigime, të mediave apo organizatave të ndryshme, kanë dalë në përfundimin e njëjtë se gazetarja me famë u vra nga izraelitët. Këta të fundit thanë fillimisht se ajo mund të ishte qëlluar nga palestinezët, por ky version nuk qëndronte as llogjikisht.
Shireen Abu Akleh ishte një gazetare e traditës në raportimin e jetës dhe ngjarjeve të palestinezëve dhe ishte bërë shumë e dashur për ta. Kjo u pa dhe në varrimin e saj. Edhe pse me besim të krishterë, Shireen Abu Akleh gëzonte respektin e palestinezëve për raportimet e saj në vite. /tesheshi.com/