Historia e njerëzimit nuk ka qenë kurrë mangët me sundimtarë të tmerrshëm: lista është e gjatë edhe nëse përfshin vetëm perandorët romakë. Sundimtarët kanë qenë vrastarë si Neroni apo Xhengiz Khan, të paaftë si Eduarti II, tërësisht të pabesë si Çarli I apo miqësorë por të papërshtatshëm si Luizi XVI i Francës apo cari Nikolas II.
Disa përçudnime mbretërore kanë qenë të kufizuar në aftësinë e tyre për të bërë dëme serioze, por të tjera kanë shkaktuar vuajtje të mëdha për kombet e tyre e popujt e tjerë.
Kjo është një listë e shkurtuar e nëntë monarkëve më të këqinj në historinë e botës:
Gaius Caligula (AD 12–41)
Ka shumë kandidatë të tjerë për perandorin më të keq romak, si Neroni apo Commodus për shembull, por mbretërimi i çmendur i perandorit Kaligula ka vendosur standarde të larta. Pas një nisjeje premtuese të mbretërimit, ai u përcaktua specifikisht në drejtim të kërcënimit dhe poshtërimit të senatit dhe komandës së lartë të ushtrisë, dhe ai ofendoi rëndë, jo vetëm në Jeruzalem, duke e shpallur veten zot: madje edhe romakët normalisht e njihnin perëndifikimin vetëm pas vdekjes.
Kaligula vendosi një mbretëri terrori përmes arrestimeve arbitrare për tradhti, pak a shumë në gjurmët e paraardhësit të tij, Tiberius. Për të qarkullonin fjalë se bënte incest me motrën dhe se jetonte një jetë të pangopur nga ana seksuale. Historia e shpalljes së kalit të tij konsull, edhe pse mund të jetë e ekzagjeruar, nuk është jashtë karakterit të tij.
Gabimi i pafalshëm i Kaligulës ishte vendosja në rrezik e reputacionit ushtarak të Romës duke shpallur një lloj lufte ireale në det, e duke urdhëruar ushtarët e tij të sulmonin dallgët me shpatat e tyre dhe të mblidhnin shporta me guacka ndërsa ai festonte “fitoren” ndaj zotit të detrave, Neptunit. Gjithashtu ai dështoi në fushatën ndaj gjermanëve, të cilën gjithsesi e shpalli një triumf të vetin. Ai u vra nga roja Pretoriane në vitin 41 përpara erës së re.
Pasardhësi i Kaligulës, Claudius, bëri përmirësim, por pavarësisht përshkrimit që i bëhet atij në librat e historisë, përmirësimi nuk ishte edhe aq i madh.
Papa Gjoni XII (954–964)
Edhe sipas standarteve të shkujdesura të papatit mesjetar, Gjoni XII del në pah si një katastrofë e nivelit më të lartë. Ai u zgjodh papë në moshën e pjekurisë, 18 vjeç si pjesë e një marrëveshjeje politike me fisnikërinë romake, dhe trashëgoi një konflikt për kontrollin e Italisë midis papatit dhe mbretit italian Berengarius.
Gjoni pati mbështetjen e perandorit të fuqishëm gjerman, Otto I, i cili ishte betuar të mbronte titullin e Gjonit, por Gjoni vetë ishte shumë i zënë me një jetë plot festa me të pira e seks në Lateran që të kujdesej nëse i merrej apo i mbrohej posti.
Atij i doli pija mjaftueshëm sa të pranonte zotimin e Otos për besnikëri të përjetshme dhe më pas, menjëherë u lidh pas shpinës së tij me armikun Berengarius.
Kuptohet që Otto u zemërua, dhe e rrëzoi Gjonin duke e akuzuar, mes të tjerash edhe për korrupsion klerikal, vrasje, dëshmi të rreme dhe incest. Otto e zëvendësoi atë me një papë të ri, Leo VIII. Sidoqoftë, Gjoni u rikthye dhe i dënoi pa mëshirë mbështetësit e Leos: i preu duart një kardinali e një peshkop e rrahu me kamzhik.
Lufta frontale shpërtheu mes Gjonit dhe Ottos, derisa papa Gjoni papritur vdiq ndërsa ishte në shtrat me gruan e një burri tjetër, të paktën kështu thonë librat e historisë.
Mbreti Xhon (1199–1216)
Mbretërimi i Xhonit është një kujtesë e dobishme se vrasja e tradhtia mund të jenë të falshme në një monark, por jo paaftësia.
Xhoni ishte djali më i vogël dhe më i preferuar i Henrit II, por atij nuk i ishin besuar toka dhe në mënyrë tallesë ishte mbiquajtur Xhoni pa prona. Ai u përpoq jo suksesshëm të ngjitej në pushtet kur vëllai i tij Riçardi ishte në kryqëzatë dhe për këtë u dërgua në mërgim me kthimin e mbretit Riçard.
Me ardhjen në fron, Xhoni vrau nipin e vet, Arturin me frikën se ai mund të ndiqte rrugën e tij, shumë më suksesshëm në pretendimin e fronit, dhe nisi një luftë shkatërrimtare me mbretin Philippe-Auguste të Francës në të cilën humbi gjithë Normandinë. Ky akt i vetëm inkompetence iu humbi baronëve një pjesë të rëndësishme të bazës së pushtetit të tyre dhe ai u distancua prej tyre edhe më shumë me kërkesa arbitrare për para dhe madje duke u marrë me forcë edhe gratë.
Të nervozuar, ata e detyruan atë të pranonte Magna Carta-n; sapo ai e nënshkroi atë, sidoqoftëm ai e ktheu fjalën dhe e zhyti vendin në një pështjellim lufte dhe në pushtimin francez. Disa tiranë edhe janë rehabilituar nga historia – por jo Xhoni.
Mbreti Richard II (1377–99)
Në ndryshim nga Riçardi III, Riçardi II ka arsye të mira për të qenë mirënjohës ndaj Shekspirit i cili e portretizoi këtë monark që të habiste me paaftësinë e tij, si një figurë tragjike, një viktimë të rrethanave dhe makinacioneve të të tjerëve sesa si një autor vanitoz dhe vetëplotësues i rënies së tij si ishte në të vërtetë.
Ai nuk nxori asnjë mësim nga paraardhësi katastrofik, Eduarti II, e Riçardi e distancoi fisnikërinë duke mbledhur rreth vetes një tufë miqsh rreth e rrotull e më pas përfundoi duke u konfrontuar me parlamentin në lidhje me kërkesat për para.
Mbretërimi i tij u përshkallëzua në një lojë manovrash politike midis atij dhe xhaxhait më të aftë e më me ndikim, Xhonit të Gauntit, përpara se të degjeneronte në një ndeshje mërie midis Riçardit dhe pesë Lordëve Apelues që ai ose i kishte vrarë apo i kishte detyruar të mërgonin.
Riçardi mund të kishte shpaguar veten me aftësi luftarake apo administrative, por ai nuk kishte asnjë prej tyre. Komploti i Henry Bolingbroke në vitin 1399, edhe pse i paligjshëm, përfundoi mbretërimin katastrofik të Riçardit II. Mbështetës të tij në shkrimin e historisë mund të kundërshtojnë përfshirjen në listë, por vërtet që ka shumë pak gjëra që mund të thuhen në favor të tij.
Ivan IV “I tmerrshmi” (1547–84)
Princi Ivan Vassilyevitch u rrit në oborrin e Moskës, jeta e tij ishte shpesh në rrezik nga rivaliteti i oborrtarëve fisnikë. Kjo i dha atij një urrejtje për tërë jetën ndaj fisnikërisë dhe një rremb të fuqishëm mizorie të pamëshirshme. Në moshën 13- vjeçare ai ua dha një nga këta fisnikë qenve për ta ngrënë të gjallë.
Ivan ishte Princi i Muscovy-s prej vitit 1533 dhe në vitin 1547 ai u kurorëzua car apo perandor i të gjithë Rusisë – sundimtari i parë që mbajti këtë titull. Ai shtypi fisnikët, duke u vjedhur tokat që ua dha mbështetësve të vet, e gjithashtu dënoi me miliona rusë në një gjendje të përhershme vasaliteti.
Ivan mori në zotërim një zonë të gjerë në Rusi si pronë personale e cila patrullohej nga një forcë policore me kuaj që kishte kartë të bardhë për të arrestuar dhe ekzekutuar këdo që donte. Duke pasur mosbesim ndaj qytetit të Novgorodit ai e plaçkiti dhunshëm atë dhe masakroi banorët, ndërsa u përfshi në një seri katastrofike e në fund të pasuksesshme luftërash me fqinjët e Rusisë.
Ivan rrahu nusen shtatzënë të djalit të vet dhe vrau të birin në një shpërthim zemërimi. Ivan ishte në shumë mënyra një sundimtar i zoti, por mizoria e tij, paranoja dhe etja për gjak e përfshijnë atë në listën e sundimtarëve më të këqinj.
Mary, mbretëresha e skocezëve (1542–67)
Tragjedia në mbretërimin e Merit ka bërë që të nënvlerësohet fakti që ajo ishte mbretëreshë e padobishme për skocezët. Duhet pranuar se drejtimi i Skocisë së shekullit të 16-të nuk ishte një detyrë e lehtë, por ajo u bë edhe më e vështirë për Merin nga lideri i sertë presbiterian, John Knox si dhe nga bashkëshorti i saj i dhunshëm e i vrazhdë, lordi Darnley.
Pavarësisht këtyre, Meri tregoi se nuk kishte asnjë nga aftësitë politike në shtrimin e konflikteve fetare e separatist si kushërira e saj, Elisabeta, dhe ajo u përfshi në konfrontime pa thelb me Knoksin dhe presbiterianët. Në një kohë kur sundimi i një gruaje shihej me dyshim në të gjitha rastet, ajo e përmbushi stereotipin duke jetuar në një botë të mbushur me rehati e favoritë, mes të cilëve edhe mësuesi i saj italian e fatkeq i kitarës, David Rizzio.
Përfshirja e dyshuar e Merit në vrasjen spektakolare të lordit Darnley më 10 Shkurt 1567 ishte një gabim politik i shkallës sipërore, martesa e saj tre muaj më pas me të dyshuarin kryesor të vrasjes, Earl i Bothëell, ishte një veprim i pabesueshëm budallallëku. Nuk është habi që skocezët e rrëzuan Merin dhe e mbyllën në qeli.
Pasi u arratis, ajo u tregua aq e çmendur sat ë hidhte poshtë avantazhin e saj duke shkuar në Angli, ku mund të shihej vetëm si një kërcënim, në vend që të shkonte në Francë, ku do të ishte mirëpritur me krahë hapur.
Perandori Rudolf II (1576–1612)
Disa historianë e shohin më pozitivisht Rudolfin sesa në të kaluarën, mirëpo nga çdo standart ai ishte një sundimtar katastrofik. Ai u zgjodh perandor i shenjtë romak në vitin 1576, edhe pse ishte pre e periudhave të gjata të depresionit të thellë dhe melankolisë dhe e kalonte pjesën më të madhe të kohës duke u përpjekur në alkimi dhe astrologji.
Një katolik i patundur, Rudolfi shkatërroi marrëveshjen fetare që për 20 vjetët e mëparshëm kishte mbajtur katoliket dhe protestantët gjermanë larg fytit të njëri-tjetrit dhe u përfshi në një kryqëzatë për të fshirë protestanizmin nga qytete dhe fshatrat gjermane.
Kur protestantët formuan një ligë për vetëmbrojtje, hungarezët u ngritën në revolta dhe turqit nisën ofensivën, Rudolfi u mbyll në kështjellën e Pragës dhe refuzoi të fliste të gjithë. Habzburgët u detyruan të merren vesh për ta zëvendësuar Rudolfin me vëllain e tij,
Matthias, i cili riktheu paqen fetare në Gjermani dhe nënshkroi traktate me turqit dhe hungarezët, por kjo bëri që Rudolfit t’i ikte mendja nga zemërimi dhe të riniste luftën me turqit sërish.
Rudolf hezitueshëm nënshkroi letrën që jepte lirinë e besimit për protestantët në Bohemi por më pas nisi një program persekutimi. Bohemianët iu drejtuan Matiasit për ndihmë, dhe në vitin 1611, Rudolfi u detyrua të dorëzonte pushtetin tek i vëllai. Ai ndërroi jetë një vit më pas, pasi kishte hedhur themelet e luftës katastrofike 30-vjeçare që do ta copëtonte Europën brenda gjashtë vjetësh nga vdekja e tij.
Mbretëresha Ranavalona I e Madagaskarit (1828–61)
Në kohën që europianët po e zgjeronin pushtimin kolonial në gjithë botën, mbretëresha Ranavalona ishte në gjendje ta mbante Madagaskarin jashtë kontrollit britanik dhe francez, por ajo e bëri këtë duke vendosur një sundim aq mizor saqë është vlerësuar se popullsia e mbretërisë së saj u përgjysmua gjatë sundimit të saj.
Mbretëresha Ranavalona e mbajti pushtetin duke pasur besnikërinë e ushtrisë Malagasy e duke vendosur periudha të rregullta pune të detyruar për pjesën tjetër të popullsisë si shenjë taksimi. Në një rast famëkeq, ajo organizoi një gjueti bufalosh për veten, fisnikët e familjet e tyre dhe këmbënguli që një rrugë e tërë të ndërtohej në drejtimin e gjuetisë që grupi të avanconte rehat: rreth 10 mijë njerëz vdiqën duke kryer këtë copëzë të veçantë budallallëku.
Mbretëresha Ranavalona u përball me të paktën një përpjekje për komplot: kjo e bëri atë më paranojake duke ndërmarrë testin famëkeq tangena test. Njerëzit detyroheshin të hanin tre copa lëkure pule përpara se të gëlltisnin një arrë helmuese që u shkaktonte viktimave të vjella (por që shpesh edhe i helmonte viktimat). Nëse tre copat e lëkurës nuk dilnin me të vjellat, viktima ekzekutohej.
Në fillim të mbretërimit të saj, ajo inkurajoi krishtërimin, por më pas ndryshoi politikë dhe vendosi një persekutim të pamëshirshëm mbi vendasit e krishterë. Ajo i mbijetoi të gjitha komploteve dhe vdiq në shtrat.
MbretiLeopold II i Belgjikës (1865–1909)
Përfshirja e Leopoldit në listë nuk është vetëm për shkak të sundimit të tij në Belgjikë, por edhe për shkak të krimeve të kryera në mbretërinë e stërmadhe që formoi për veten në Kongo. Ai mori territore nga një marrëveshje ndërkombëtare dhe e quajti Shteti i Lirë i Kongos: nuk ishte një koloni belge, por një pronë personale e mbretit.
Ky shtet iu paraqit botës si një model lirie dhe prosperiteti, i përkushtuar në eleminimin e skllavërisë. vetëm gradualisht bota mësoi se në fakt, ishte një shtet skllevërish në të cilin kongolezët drejtoheshin përmes terrorit.
Ndërsa Leopoldi zhytej në pasuritë që vinin prej rezervave të pafundhme të Kongos në bakër, fildish dhe kauçuk, kongolezët detyroheshin të punonin duke u detyruar me gjymtimin e grave e fëmijëve të tyre, që zakonisht u priteshin duart e këmbët. Gjymtimi përdorej gjerësisht si një dënim për punëtorët që arratiseshin ose që mblidhnin më pak sesa norma.
Një hetim i zyrtarit konsullor britanik, Roger Casement tregoi se Forca Publike belge i konsideronte kongolezët as më pak e as më shumë sesa kafshë që mund të vriteshin për sport. Mbreti zhvilloi një betejë ligjore të profilit të lartë për të ndaluar që detajet e regjimit të tij në Kongo të bëheshin publike. Por u desh një fushatë ndërkombëtare që ta detyronte atë të dorëzonte Kongon tek qeveria belge.
Emri i Leopoldit do të asociohet gjithnjë me mbretërinë kongoleze të terrorit dhe vetëm kjo justifikon përfshirjen në listën e monarkëve më të këqinj.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/