Debati që ka përfshirë botën e kinemasë në Amerikë nisi nga nominimet për çmimet Oskar që sikundër edhe vitin e kaluar, ishin “të bardhë” apo thënë thjesht nuk pati nominime për njerëzit e racave të tjera.
Edhe pse vitin që shkoi shumë njerëz të njohur të kinemasë protestuan për fenomenin, edhe këtë vit asgjë nuk ndryshoi. Madje, ka nga ata që thonë se për çdo vit ka ndodhur e njëjta gjë, edhe pse nuk ka pasur protesta. Vetëm një aktore me ngjyrë ka fituar në historinë e Oskarëve e ajo është Halle Berry, ndërsa vetëm 7 për qind e aktorëve më të mirë janë persona me ngjyrë (me 40 vjet në mes çmimeve, ata janë Sidney Poitier dhe Denzel Washington).
Gjithsesi, debati përfshin edhe ata që thonë se të paktën këtë vit nuk është faji i Akademisë që nuk kishte asnjë të nominuar me ngjyrë. Në këtë pikë, mediat kanë komentuar gjerësisht arsyet. “The Guardian” në një artikull interesant për debatin e racizmit në ndarjen e Oskarëve, jep një arsye përse vërtet nuk ka aktorë me ngjyrë që e meritojnë çmimin në shumicën e ceremonive. Jo për shkak se ata nuk dinë të aktrojnë, por si thotë Viola Davis “e vetmja gjë që ndan aktorët me ngjyrë nga të tjerët është dhënia e një mundësie”.
Producentët, argumenton autori i artikullit, duhet të jenë më të larmishëm në mënyrën e të menduarit. Regjisorët duhet të kërkojnë për tipa të rinj aktorësh. Skenaristët duhet të përpiqen më shumë për të shkruar pjesë interesante për aktorët me ngjyrë që tejkalojnë stereotipet.
Nuk ka arsye tjetër, pasi kur vjen puna tek paratë të dhënat nga shitja e biletave tregojnë se aktorët me ngjyrë mund të sjellin të ardhura të mëdha.
Ja disa nga stereotipet për të cilët përdoren aktorët me ngjyrë kur vjen puna tek ndarja e roleve në filma.
Zezaku magjik
Një nga klishetë më të përdorura për personazhet me ngjyrë në filmat e Hollivudit është ai i zezakut që ka forcë magjike ose qartësi shpirtërore. Këto personazhe ekzistojnë vetëm për t’u dhënë mundësi personazhit të bardhë të rritet si njeri ose të arrijë qëllimet.
Shembujt më të njohur janë Will Smith në “Bagger Vance”, Michael Clarke Duncan në “Milja e Gjelbër”, Whoopi Goldberg në filmin “Shpirti” dhe pjesa më e madhe e roleve të Morgan Freeman.
Keqbërësi
Personazhi është ose një burrë apo grua e re zezake, fare I paarsimuar, pa ndonjë shpjegim pas agresivitetit të tyre dhe që zakonisht e lënë shpejt rolin: Ice Cube në “Boys in the Hood”, Clifton Collins Jr në “187”, Noel Clarke në “Kidulthood”. Ose personazh zemërbardhë, më i qetë, dhe agresioni i të cilit ka lidhje me një jetë të paqëndrueshme familjare: Cuba Gooding Jr në “Boys n the Hood”, John Boyega në “Attack the Block”, Renoly Santiago në “Dangerous Minds”.
Sportist i jashtëzakonshëm
Potenciali i tyre i vërtetë fizik zakonisht çlirohet një i bardhë, ish-protagonist i sportit që beson tek ta: Quinton Aaron në “The Blind Side”, Cuba Gooding Jr në “Jerry Maguire”, Michael B Jordan në “Creed”, i gjithë ekipi në “Cool Runnings”.
Sheiku djallëzor super i pasur
Shumë i pasur për një njohur vlerën e diçkaje, epshor dhe i fiksuar pas grave amerikane. Shembuj për këtë sterotip përfshijnë: Eugene Levy në “Father of the Bride II”, Spiros Focás në “Jewel of the Nile”, Richard Romanus në “Protocol”.
Aziatiku i ngathët e i pafat
Një burrë që është i pafat në dashuri, edhe pse shpesh personazhet luhen nga aktorë shumë të pashëm. Personazhi nuk mund të gjejë një vajzë, por nëse e gjen, kjo realizohet vetëm me ndërhyrjen e protagonistit të bardhë.
Dadot
Zakonisht, një grua zezake zemërmirë e mbipeshë që i shërben me gëzim familjes së bardhë, pa asnjë aspiratë për veten. Dadot nuk janë kurrë të spikatura, janë të keqarsimuara dhe me këmbë në tokë. Mjaft të kujtosh Hattie McDaniel në “Bashkë me erën”, Cicely Tyson në “The Help”, Lillian Randolph tek “It’s a Wonderful Life”.
Polici i vjetër i lodhur
Vepron si një kundërbalancë ndaj një polici të bardhë, më të ri dhe më energjik. Shërben për të dhënë këshilla bazuar në eksperiencën e pasur që ka por shpesh injorohet në favor të instikteve të policit të bardhë. Danny Glover në “Lethal Weapon”, Reginald VelJohnson në “Die Hard”, Morgan Freeman në “Se7en”.
Ndihmësi i përjetshëm
Është ose një person i shkathët, por pa shumë aftësi dhe i dobishëm, veprimet e të cilit zakonisht rezultojnë domethënëse (shpesh aksidentalisht): Chris Tucker në “Silver Linings Playbook”, Chris Tucker në “The Fifth Element”, Jonathan Ke Quan në “Indiana Jones” dhe “Temple of Doom”.
Ose një person besnik dhe pa fjalë, normalisht në zotërim të talenteve fizike por motivacioni i vetëm i të cilit mbetet ndihma ndaj protagonistit të bardhë për të arritur qëllimin: Ernie Hudson në “Ghostbusters”, Arthur Wilson në “Casablanca”, Shaobo Qin në “Ocean’s Eleven”.
E besuara e shkathët
Një grua që ekziston në film vetëm për të dëgjuar protagonisten e bardhë sesi po shkon karriera apo jeta e saj dhe për të dhënë zgjidhje të thjeshta por në fund të sakta. Stacey Dash në “Clueless”, Viola Davis në “Eat Pray Love”.
Terroristi
Keqbërës i rrezikshëm, edhe pse i paaftë. Mish për top: në përbërje të bisedave të tyre dëgjohet shpesh sesi thërrasin “Allahu Akbar”. Mjaft të kujtojmë libianët në filmin “Back to the Future”, Sayed Badreya në filmin “Executive Decision” apo Art Malik në filmin “True Lies”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/