“Shqipëria nuk e ka luksin që të vazhdojë të vonojë drejtësinë”. Kështu deklaroi zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE, Robert Wilton, i cili theksoi se gjykatave iu duhen akorduar burimet e nevojshme që të përmbushin detyrat në mënyrë efikase, që rikthen besimin dhe pritshmërinë e qytetarëve tek institucionet.
Deklaratën Wilton e bëri gjatë prezantimit të raportit të OSBE mbi “Monitorimin e Gjykimeve Administrative në 2015, në gjykatat administrative të shkallës së parë dhe në Gjykatën Administrative të Apelit”.
Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE komunikoi gjetjet e këtij raporti.
“Në lidhje me kohëzgjatjen e gjykimeve, Prezenca konstatoi faktin pozitiv se shqyrtimi i çështjeve nga gjykatat e shkallës së parë është relativisht i shpejtë. Nga ana tjetër, për shumicën e gjykatave administrative të shkallës së parë, infrastruktura që duhet të mundësojë akses të efektshëm në gjykata rezultoi e pamjaftueshme. Në lidhje me të vetmen Gjykatë Administrative Apeli në vend, monitorimi tregoi se kuadri ligjor nuk e ndihmon ngarkesën e punës së që ka aktualisht kjo Gjykatë”./tesheshi.com/