Zëra nga komuniteti musliman në Shqipëri(bashkësia e besimtarëve apo organizma të tyre dhe jo KMSH), kërkojnë nga qeveria që “ora e xhumasë” të marrë një zgjidhje përfundimtare.
Kujtojmë se së fundi ishte deputeti opozitar Lefter Gështenja që e morri këtë nisëm, ballafaquar paradoksalisht me një “jo” nga mazhoranca, pa arsye bindëse. Themi paradoksalisht, pasi për shumëçka tjetër, mazhoranca aktuale ka treguar luajalitet nga faktorit musliman në shtet e institucione, ndaj dhe “jo”-ja ngjante të ishte më tepër politike, meqë propozimi po bëhej nga një zë opozitar.
Por, Forumi Musliman Shqiptar, një OJQ e zëshme e jetës islame shqiptare, sjell në kujtesë faktin se kërkesa daton më herët se ajo e z. Gështenja, që gjithsesi meriton falenderime dhe mirënjohje për inisiativën e tij shembullore.
“Përmes një letre në vitin 2021 – thotë ky forum – Forumi Musliman i Shqipërisë së bashku me fondacionin ALSAR dhe Lidhjen e Hoxhallarëve të Shqipërisë i është drejtuar Drejtorisë së Administratës Publike për: Lehtësimin e kryerjes së ritit fetar ‘ORA E XHUMASË’ për besimtarët muslimanë punonjës të administratës publike. Në bazë të takimit që kemi patur me një nga nënpunësit e lartë të këtij organizmi, na u sigurua se ky shqetësim është përcjellur edhe në qeveri. Tashmë pas kaq kohësh nisma e një deputeti e solli përsëri vëmendjen drejt kësaj teme kryesisht për të amenduar Kodin e Punës, që t’iu jete mundësi punonjësve të falin xhumanë duke u larguar nga vendi i punës për të paktën dy orë. Në fakt nisma e deputetit është ndërmarrë nga ai vetë pa e diskutuar me grupet e interesit.
Pra, ne si grup interesi meqë kemi kërkuar prej disa vitesh, që besimtarët muslimanë të lejohen për faljen e namazit të xhumase, me këtë shkresë të firmosur nga 1100 besimtarë nga Elbasani, Tirana, Kavaja, Durrësi e Shkodra, i jemi drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për të shprehur interesimin tonë, që kjo kërkesë e jona të formalizohet. Kërkesa së bashku me 1,100 firmat mbështetëse u protokollua pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Madje, juristët/ekspertët besimtarë na sugjerojnë, që kjo nismë të bëhet realitet ka nevojë për një frymë më të gjerë dhe mund të realizohet përmes një VKM-je të Këshillit të Ministrave, e cila do t’i jepte fund këtij shqetësimi. Prej vitesh pranë Forumit Musliman të Shqipërisë besimtarë që punojnë në vende të ndryshme në administratën publike dhe në sektorë të ndryshëm shtetërorë kanë paraqitur ankesa të ndryshme për faljen e xhumasë për të cilat kanë pasur pengesa nga drejtuesit përkatës. Po ashtu na kanë mbërritur ankesa edhe nga sektori privat, prandaj mendojmë, që një VKM do të ishte një zgjidhje më e mirë”.
Kështu, nëse “jo”-ja ndaj deputetit Geshtenja ka qenë politike, ekziston arsyeja e fortë për një “po” si përgjigje ndaj një kërkese të vitit 2021.
Sepse nuk është e denjë që një administratë shtetërore me plot besimtarë muslimanë në të gjitha nivelet e saj, deri dhe në qeveri, u privon atyre të drejtën e një ore leje në kryerjen e një obligimi fetar. Kjo vlen dhe për kategori të tjera shoqërore, ku mjaft fakti i të qënit të muslimanëve shumicë fetare. Pra, nuk është kërkesë e ndonjë komuniteti vurnerabël e në minorancë, por e një bashkësie me peshë përcaktuese në jetën shqiptare në çdo drejtim, si dje në histori e si sot në aktualitet. /tesheshi.com/