Tri partitë opozitare: Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja dhe NISMA nuk i kanë shkuar në takim presidentit Hashim Thaçi për të diskutuar për reformën zgjedhore.
Pozitivisht ftesës së presidentit Thaçi i janë përgjigjur kryeministri i vendit, njëherësh kreu i LDK-së, Isa Mustafa; nga PDK po merr pjesë Enver Hoxhaj në mungesë të Kadri Veselit i cili ndodhet për vizitë në Hungari; nga Partia e Drejtësisë, Ferid Agani si dhe liderët e partive tjera minoritare.
Pjesë e takimit janë edhe Ambasada e SHBA-ve, Zyra e BE-së në Kosovë dhe OSBE-ja.
Presidenti Thaçi në fjalimin e tij ka kërkuar zvogëlimin e numrit të deputetëve në Kuvend nga 120 në 100, ndarjen e nga një ulëseje edhe për komunitetin malazez dhe kroat, të cilët nuk janë të përfaqësuar në Kuvend, si dhe ka propozuar që presidenti të zgjedhet nga populli. /tesheshi.com/