Pas publikimit të raportit të Venecias, opozita jashtëparlamnetare i ka dalë në krah Metës, e akuzuar Ramën për tentativë rrëzimi antikushtetues të presidentit.
“Opozita e Bashkuar përshëndet opinionin e Komisionit të Venecias që rrëzoi planin antikushtetues të Edi Ramës për të uzurpuar institucionin e Presidentit të Republikës.
Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkleje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën.
Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfrimuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend.
Komisioni i Venecias pohon se qeveria e Edi Ramës nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi”, thuhet në reagim. /tesheshi.com/