Ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, është operuar në zemër të mërkurën pas disa shtrëngimeve që ka pasur së fundmi.
Mjeku i cili ka kryer intervenimin bën të ditur se gjendja e Sejdiut është stabël dhe operacioni është kryer me sukses.
Doktori, i Kirurgjisë Kardio-Torakale në Spitalin Amerikan, Besnik Kojiçiçi, ka deklaruar se operacioni ka shkuar mirë dhe se gjendja e ish Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, është stabël.
“Zoti Sejdiu ka pasur një sëmundje koronare me ato shqetësimet që i ka secili pacient me sëmundje të tilla. Dhembje në gjoks, shtrëngime, plogështi. Është bërë diagnostikimi me sëmundje koronare dhe intervenimin e kemi bërë dje”, ka thënë ai për “Express”.
Kojiçiçi tregon se Sejdiut i janë vënë disa disa “by-passa”.
“Pa probleme i kemi bërë “by-pass”, tani është mirë, sot ka lëvizur, ka ecur, gjendja e tij është e mirë. Deri tani unë si kirurg, jam i kënaqur me ecurinë e operacionit. Për momentin është në reanimacion duke qëndruar.”, shpjegon tutje doktori që e ka operuar ish presidentin Sejdiu.
E ndërkohë Fatmir Sejdiu, do të qëndrojë një javë në klinikën e Kardiologjisë në Spitalin Amerikan.
Ish –Presidenti Sejdiu ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, duke ardhur në krye të saj në vitin 2006.
Nga pozicioni i presidentit kishte udhëhequr bisedimet për statusin në Vjenë, të cilat janë zhvilluar me palën serbe me ndërmjetësim ndërkombëtar, e që në vitin 2008 kishin rezultuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. /tesheshi.com/